Ndërlidhjet

"Ngrirja" e raporteve ndëretnike


Raportet ndëretnike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, nga shumë qarqe vlerësohen si të ngrira. Ndërsa përfaqësues të institucioneve thonë të jenë të hapur për dialog ndëretnik, opozita vlerëson se nuk ka këmbëngulje të mjaftueshme për të integruar serbët, e bashkë me ta edhe veriun. Serbët e veriut thonë se që nga pavarësia, dialogu shqiptaro-serb ka ngecur.


Institucionet e Kosovës vazhdimisht përsërisin se duan integrimin e pjesës veriore të Kosovës, e kontrolluar tash nëntë vjet nga strukturat paralele serbe. Njohës të rrethanave thonë se një nga format, që do të mund të kishte sukses në integrimin e kësaj pjese, është ajo përmes dialogut shqiptaro-serb.

Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, e quan të mjaftueshëm dialogun institucional me ata përfaqësues që tashmë njohin Kosovën si të pavarur.

"Ne kemi një dialog si institucion me të gjithë, me ata përfaqësues politikë e publikë të komunitetit serb dhe të komuniteteve tjera, të cilët e pranojnë pavarësinë e Kosovës, që e pranojnë realitetin ekzistues në Kosovë dhe që e pranojnë legjitimitetin e institucioneve të vendit", thotë Krasniqi.

Por, marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, përqindja e serbëve që pranojnë institucionet e Kosovës, është tejet e vogël. Ndërsa, mbetet i madh numri i atyre që janë të përfshirë në strukturat paralele serbe.

Dragan Veliq, nga Këshilli Nacional Serb, është njëri nga ata që nuk i njeh institucionet e Kosovës së pavarur. Por, nuk është kundër dialogut.

"Fatkeqësisht, pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë, më 17 shkurt, edhe ai dialog i vogël që ka ekzistuar mes serbëve dhe shqiptarëve, tashmë është ndërprerë. I kemi dy palë që kanë perceptimet dhe qëndrim ndaj zgjidhjes së problemeve, sikur që tashmë gjithçka është zgjidhur, sikur nuk duhet biseduar më", thotë Veliq.

Kritik ndaj institucioneve është Ardian Gjini, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai mendon se institucionet duhet të jenë më këmbëngulëse dhe të përpiqen në integrimin e serbëve në shoqërinë e Kosovës.

"Nëse e kemi një situatë ku serbët e Kosovës janë të irrituar për çfarëdo arsyeje, atëherë insistimi për vendosjen e këtij dialogu duhet të rritet. Serbët e Kosovës duhet ta shohin se është rritur niveli i angazhimit për ta vendosur këtë dialog", thotë Gjini.

Deputeti Gjini thotë se duhet pasur kontakte më të drejtpërdrejta me pakicën serbe, për të krijuar një pasqyrë se çka i duhet komunitetit serb, në mënyrë që të joshet integrimi në shoqërinë kosovare.

Ndryshe nga institucionet që hezitojnë të bisedojnë me përfaqësues të strukturave paralele, Gjini thotë se nuk duhet përjashtuar asnjë qytetar i Kosovës nga dialogu.

"Unë mendoj se Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës duhet të bisedojnë me të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Ne nuk duhet të tolerojmë shkeljen e ligjit, por duhet biseduar edhe me ata që mendojnë se zgjidhjet që sot janë në Kosovë, nuk janë më të mirat", thotë Gjini.

Ndërkohë, Veliq mendon se ngarkesat politike të të dyja palëve janë duke pamundësuar dialogun, qoftë edhe për çështjet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme.

"Nëse nisim të bisedojmë në mënyrë institucionale, atëherë që në fillim s'ka mundësi për bisedime, sepse të dyja palët kanë qëndrimet e tyre për çështjet kryesore, pra për statusin, dhe secili dialog bëhet i pamundur. Për këtë arsye, duhet filluar nga nivelet e ulëta, të niset dialog përmes organizatave joqeveritare, mes partive dhe OJQ-ve, të zgjidhen çështje pas çështjesh, në mënyrë që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të gjithë", shprehet Veliq.

Në mesin e serbëve ka mendime se bisedimet me shqiptarët apo hyrja në institucione do të thotë pranim i pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër, shqiptarët thonë se Beogradi i manipulon me të madhe serbët e Kosovës, të cilët do të duhej të kthenin sytë kah Prishtina.

Dhe, derisa serbët e Kosovës besojnë se procesi i statusit duhet të nisë nga fillimi, për shqiptarët kjo çështje është mbyllur më 17 shkurt, kur është shpallur pavarësia e Kosovës.

Livia Plaks, drejtoreshë e Projektit për Relacione Etnike, projekt ky i përfshirë edhe në Kosovë që nga vitet e 90-ta, thotë se mund të shkojë edhe një dekadë derisa të tejkalohen këto ndasi në mes të dy komuniteteve.
XS
SM
MD
LG