Ndërlidhjet

Thaçi: Raporti i Ban Ki Moonit s'është obligativ


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Zyrtarët kosovarë i janë përgjigjur negativisht kërkesës së Serbisë drejtuar Kombeve të Bashkuara për fillimin e zbatimit të 6-pikëshit. Raporti i Ban Ki Moonit, sipas tyre, nuk është obligativ për Kosovën dhe dallon nga deklarata presidenciale e KS-së.


Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, i cili në vete përmban edhe planin 6-pikësh, nuk ka karakter obligues për Kosovën, thonë udhëheqësit kosovarë.

Sipas lidershipit të Kosovës, dokumentet e vetme që do të implementohen në Kosovë, janë Kushtetuta dhe plani i presidentit Ahtisaari.

Duke iu përgjigjur kërkesës së Serbisë drejtuar Kombeve të Bashkuara për fillimin e zbatimit të planit gjashtëpikësh, kryeministri Hashim Thaçi tha se raporti i Bani Ki Moonit dallon nga deklarata presidenciale e miratuar në Këshillin e Sigurimit dhe si i tillë nuk është obligues për institucionet e Kosovës që ta zbatojnë.

“Në raportin e Këshillit të Sigurimit është i përfshirë edhe 6-pikëshi, edhe 4-pikëshi kosovar. Ai dokument nuk është obligativ, ndërsa në deklaratën presidenciale ka një mesazh të vullnetit të mirë dhe se institucionet e Republikës së Kosovës do të respektojnë vetëm Kushtetutën e vendit”,
tha Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi tha po ashtu se vizita e një delegacioni ministror të Qeverisë së Serbisë që po realizohet në Kosovë, është bërë me dijen e Prishtinës. Ai tha se institucionet vendore kanë qenë të njoftuara nga autoritetet ndërkombëtare për këtë vizitë.

“Ministrat serbë për herë të parë kanë kërkuar leje nga autoritetet civile ndërkombëtare dhe autoritetet civile ndërkombëtare kanë kërkuar mendimin e institucioneve, me dijen edhe të institucioneve të Serbisë; do të thotë, autoritetet e Serbisë kërkojnë leje nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe ne jemi në favor të ndërtimit të relacioneve ndërshtetërore të mira edhe me Serbinë”.

“Prandaj, institucionet, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë e informuar dhe vazhdimisht, gjatë gjithë protokollit, ky delegacion do të jetë i vëzhguar, menaxhuar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi.

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi gjatë takimit me kryeministrin e Irlandës.

Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka dashur t’i komentojë çështjet që ndërlidhen me Serbinë, por ai tha sot, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Irlandës, Brian Cowen, se Kosova po funksionon si shtet dhe po ndërton marrëdhënie bilaterale me shtetet tjera, ku ndër to është edhe Irlanda, si një shtet mik i Kosovës.



“Kemi mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme që Republika e Irlandës i ka bërë Kosovës tash e gjatë kohë, përkushtimin e saj që ta mbështesë Kosovën në zhvillimet e mëtutjeshme, për pranimin e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë lëshuar dhunshëm Kosovën në kohë të liga; ka qenë si në familjen e vet për mbështetjen në proceset e mëvonshme, bashkë me vendet anëtare të BE-së dhe SHBA-në - ka qenë e parezervë”,
deklaroi Sejdiu.

Në anën tjetër, kryeministri irlandez, Brian Cowen, tha se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën si në planin e pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare, ashtu edhe në atë të ndihmave që qeveria e këtij vendi do t’i ndajë për Kosovën.

Kryeministri Cowen tha se prania ndërkombëtare në Kosovë mbetet e ndërlidhur me vendimet e OKB-së dhe jo të vendeve veç e veç.

“Kjo është çështje që i përket Këshillit të Sigurimit, që në bashkëpunim me rajonin të vendosë për praninë ushtarake në Kosovë dhe kohën sa do të zgjasë kjo”, tha kryeministri irlandez.

Ai shprehu besimin e tij se pavarësisht raporteve të Kosovës dhe Serbisë, Kosova, në perspektivë, e ka vendin e vet në Bashkimin Evropian si një shtet i pavarur.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG