Ndërlidhjet

“Shkelet Kushtetuta – me lejen e Qeverisë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Në një konferencë përmbyllëse të vlerësimit të aktiviteteve të përgjithshme politike në vend dhe të zhvillimeve brendapartiake në LDD gjatë vitit 2008, lideri i këtij subjekti politik, Nexhat Daci, veç vlerësimeve pozitive për aktin e zhvillimit madhor të shpalljes së shtetit, adresoi kritika kundër qeverisë së koalicionit PDK-LDK. Zoti Daci, qëndrimet e veta për zhvillimet njëvjeçare në vend, i bëri publike të hënën, në një konferencë të veçantë të organizuar për media. “Viti 2008 historikisht ishte vit i Kosovës, vit i shpresë dhe i gëzimit”, tha Daci. Mirëpo, ai ka konstatuar se ky favor nacional nuk është shfrytëzuar sa duhet nga klasa politike në pushtet për të ecur me sukses përpara. “Viti 2008 tregon dhe demonstron një qeverisje pa vizion dhe pa hapje të perspektivës për zhvillim ekonomik, punësim, shërbime shëndetësore, dhe vit në të cilin, me paraqitjen e qeverisjes në Kosovë, shkenca përjashtohet nga fjalori i zhvillimit, e paraqet Kosovën në 2009-ën si të vetmin shtet të cilit nuk i duhen shkencat, sepse asnjë euro nuk është ndarë në buxhetin e aprovuar për këto qëllime”, tha Daci...

EPOKA E RE
Ambasadorja e parë franceze në Kosovë, Delphine Borione, ka thënë se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja e vetme për paqe në Ballkanin historikisht të trazuar. “Për këtë arsye ne kemi dhënë përkrahjen tonë të plotë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e përcaktuar ashtu siç e parashihte plani i presidentit Ahtisaari”, është shprehur Borione në një intervistë ekskluzive për “Epokën e Re”. Sa i përket planit gjashtëpikësh, të cilin Prishtina e refuzoi për arsye se cenonte sovranitetin shtetëror të Kosovës, Borione mendon se ajo çështje tanimë është një gjë e kaluar dhe gjërat duhet të shikohen kah e ardhmja. “Pozita që ka mbajtur Kosova karshi atij propozimi, ka qenë mirë e dëgjuar. Tani ajo është pas nesh. Ne duhet të shohim të ardhmen, sepse kemi shumë sfida për të përballuar”, ka theksuar Borione...

KOHA DITORE
Republika e Serbisë ka intensifikuar veprimet në shkeljen e sovranitetit dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke i forcuar strukturat paralele në Kosovë dhe duke i nxitur serbët lokalë kundër institucioneve vendore. Një veprim i tillë, të hënë, sipas kryeministrit të Kosovës, është bërë madje me lejen e vetë Qeverisë së Kosovës. Një delegacion i Qeverisë serbe, në krye me ministrin për Kosovën, Goran Bogdanoviq, dhe ministrin për Pushtetin Lokal, Millan Markoviq, të hënën ka qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë, me ç’rast një një nga enklavat serbe afër Prishtinës, Graçanicë, kanë inauguruar filialin e Post-Telekomit të Serbisë. Po ashtu, ata kanë zhvilluar edhe një takim me kryetarët e komunave serbe të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet ilegale të 11 majit... Duke i trimëruar serbët vendorë që të mos iu binden institucioneve të Kosovës, madje edhe që të mos pajisen me tabela regjistrimi për veturat e tyre, ministri serb, Goran Bogdanoviq, ka thënë se Serbia në Kosovë do të bashkëpunojë vetëm me bashkësinë ndërkombëtare...

INFOPRESS
Prishtina zyrtare është duke vrojtuar rreth mundësisë së marrjes së vendimit për bllokimin e mallrave që vijnë nga Serbia. Sekretariati i marrëveshjes rajonale për tregti të lirë, CEFTA, ende nuk i ka kthyer përgjigje Prishtinës për “hallet e saj”. Ndërkaq, Serbia dhe Bosnja Hercegovina vazhdojnë bllokadën tregtare që aplikohet prej 3 dhjetorit. Ata këtë e kanë bërë me arsyetimin se dokumentacioni përcjellës është i vërtetuar nga Doganat e Kosovës, e jo sikurse deri më tash nga Doganat e UNMIK-ut. Ndërkaq, pala kosovare këtë e sheh më shumë si vendim politik, sesa teknik... Ahmet Shala, ministër për Ekonomi dhe Financa, ka kërkuar mbështetjen e bizneseve në rast se Qeveria e Kosovës detyrohet të bllokojë importin e mallrave nga Serbia, pasi që kjo e fundit ka bllokuar eksportet e Kosovës. Sipas tij, ka mundësi të ndodhë që disa biznese të dëmtohen në rast të aplikimit të këtij vendimi...

ZËRI
Republika e Irlandës është e gatshme ta ndihmojë Kosovën, duke i ofruar edhe ndihmën që mbështetet në praktikën e saj gjatë procesit të gjatë paqësor, ka thënë dje në Prishtinë, kryeministri irlandez, Brajan Kouen. Gjatë një vizite që Kouen i bëri Prishtinës, i shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes së këtij vendi, ai është pritur në një takim të përbashkët nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Kouen tha se Kosova për qeverinë e tij është tashmë një shtet i pavarur që aspiron drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “I përgëzoj institucionet për angazhimet në zbatimin e planit të Ahtisaarit, përkushtimit ndaj pakicave dhe miratimit të ligjeve. Irlanda ka qenë ndër të parat vende që ka njohur Kosovën, si dhe do të vazhdojë me përkushtimin në kuadër të pranisë në forcën e KFOR-it...”

LAJM
Rezoluta për dënimin e krimeve të komunizmit vazhdon të endet zyrave të Kuvendit të Kosovës. Edhe pse anëtarët e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi kanë punuar për disa muaj në hartimin e projektrezolutës, ajo nuk është lejuar nga Kryesia e Kuvendit që të futet në rendin e ditës të seancave të deritashme. Arsyetimi zyrtar i Kryesisë ka qenë vlerësimi i implikimeve buxhetore pas miratimit të kësaj projektrezolute. Mirëpo, përveç kësaj arsyeje, e cila si e tillë është e paqëndrueshme, sipas disa deputetëve, ka edhe zvarritje për motive politike. Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të AKR-së, thotë se rezoluta për dënimin e krimeve të komunizmit po zvarritet nga Kryesia e Kuvendit. Sipas tij, mënyra e trajtimit të saj nga disa anëtarë të Kryesisë ka lënë të kuptohet se mund të ketë edhe motive politike në këtë zvarritje. Ai e konsideron të paqëndrueshëm arsyetimin se gjoja ka nevojë për vlerësim të implikimeve financiare...

EXPRESS
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se misioni i Bashkimit Evropian që është funksionalizuar më 9 dhjetor, është duke bërë një punë të kënaqshme, duke theksuar se duhet të fillohet me ushtrimin e autoritetit të institucioneve kosovare në veri të vendit. “Është me rëndësi që EULEX-i është në veri. Është duke bërë një punë fillestare, të kënaqshme, të mirë, kemi bashkëpunim të ngushtë të institucioneve me EULEX-in. Tash është hapi tjetër që duhet të fillojë me ushtrimin e autoritetit edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi, duke shtuar se kanë filluar ndryshimet pozitive. Ndërsa, rreth bisedimeve të mundshme teknike me Serbinë, Thaçi theksoi se për çështje praktike që ndërlidhen me interesat e dy vendeve dhe dy popujve, në të ardhmen mund të ketë takime ndërshtetërore, por, sipas tij, pretendimet e Serbisë për kthim prapa të proceseve, nuk do të jenë të pranueshme për Kosovën...

BOTA SOT
I emëruar nga Qeveria për të udhëhequr ekipin ligjor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, eksperti britanik Michael Wood, së bashku me ekspertë të tjerë ndërkombëtarë, po qëndrojnë në Kosovë, me qëllim të hartimit të deklaratës me shkrim që pritet t’i dorëzohet GJND-së deri më 17 prill të vitit të ardhshëm. Ndonëse vizita e tij po bëhet pa paralajmërim media, prezencën e tij në Kosovë e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni... “Ata janë këtu për të bërë punë dhe kanë filluar hartimin e deklaratës me shkrim, të cilën Kosova pritet ta deponojë në GJND deri më 17 prill 2009. Deklarata e parë me shkrim duhet të dorëzohet deri më 17 prill, dhe jo vetëm deklarata e Kosovës si palë direkte e interesuar në këtë proces, por edhe deklaratat e secilit shtet anëtar i OKB-së, që kanë vullnet dhe dëshirë të deponojnë deklaratë me shkrim në përkrahje të njërës apo tjetrës palë”, tha ministri Hyseni...
XS
SM
MD
LG