Ndërlidhjet

logo-print

Lëndët e pazgjidhura sfidojnë gjyqësorin


Gjykata në Mitrovicë

Gjykata në Mitrovicë

Sistemi gjyqësor i Kosovës vazhdon të ballafaqohet me një varg problemesh të natyrave të ndryshme, që, sipas punonjësve të gjyqësorit kosovar, kanë ndikuar në rritjen e numrit të lëndëve të pazgjidhura në Kosovë.



Mungesa e legjislacionit në sfera të caktuara, numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mungesa e stimuluesve për punonjësit e sistemit gjyqësor në Kosovë - mbesin disa nga sfidat kryesore, me të cilat vazhdon të ballafaqohet gjyqësori kosovar.

Këta dhe shumë faktorë të tjerë, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kanë ndikuar në grumbullimin e një numri të madh të lëndëve të pazgjidhura, që, sipas të dhënave të këtij institucioni për nëntëmujorin e parë të vitit 2009, kap shifrën prej rreth 258,673 lëndëve në gjykatat e rregullta dhe ato për kundërvajtje në Republikë.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rexhep Haxhimusa, sqaron një pjesë të problematikës me të cilën ballafaqohet sistemi gjyqësor i Kosovës.

"Prej fillimit ku ndodh ngjarja e deri në kurorëzimin e tyre në një aktgjykim, sigurisht se ka një moskoordinim të mjaftueshëm të organeve, si policia, prokuroria dhe organeve të tjera që merren me zbulimin e veprave të dëmshme për shoqërinë dhe ato që ne i quajmë mungesa të natyrave subjektive",
thotë Haxhimusa.

Në grumbullimin e lëndëve të pazgjidhura duket të ketë ndikuar edhe mbyllja e gjykatave në veri të Kosovës, të cilat disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, në muajin shkurt të këtij viti, ishin uzurpuar nga protestues serbë.

Personeli shqiptar që punonte në ato gjykata ishte zhvendosur nga Mitrovica për në Gjykatën Komunale në Vushtrri, ku me kapacitete të përgjysmuara trajtoheshin vetëm rastet urgjente që janë të lidhura me paraburgim.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, vlerëson se të drejtat e qytetarëve të Kosovës nuk kanë mundur të realizohen për shkak të mungesës së autoritetit në veri dhe si pasojë e mundësive për të trajtuar lëndët e natyrave të ndryshme.

"Po shkelen të drejtat e njeriut për çdo ditë, sepse nuk jemi duke iu përmbajtur standardeve për kryerjen e obligimeve tona apo realizimit të të drejtave të qytetarëve përmes organeve tona", konsideron Baruti.

Sistemi gjyqësor i Kosovës së fundi është kritikuar nga një varg organizatash dhe institucionesh ndërkombëtare, sipas të cilave, ka lëshime të dukshme në çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve. Këtë mangësi e pranon dhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Haxhimusa, i cili thekson se arsyeja kryesore që ndikon në këtë sferë, është mungesa e mjeteve financiare.

Ai thotë se Kosova nuk mund t’i dërgojë dëshmitarët e mbrojtur jashtë vendit, për shkak të buxhetit të kufizuar.

"Ne duhet definitivisht të kemi një trajtim krejt tjetër ligjor me dëshmitarët e rregullt ose të natyrshëm dhe me dëshmitarët anonimë, bashkëpunëtorë dhe të formave të tjera. Në mungesë të mjeteve financiare, nuk mund të kemi dëshmitarë anonimë", shtoi Haxhimusa.

Misioni për forcimin e sundimit të ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX, që nga data 9 dhjetor ka marrë mbi vete përgjegjësinë për të asistuar, këshilluar dhe monitoruar institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë.

Ndërkohë, sfidat aktuale të institucioneve kosovare të drejtësisë pritet të jenë sfidë dhe për EULEX-in, sidomos kur bëhet fjalë për marrjen e përgjegjësive nga punonjësit e Kombeve të Bashkuara në gjykatat në veri, si dhe trajtimin e lëndëve të trashëguara nga UNMIK-u.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG