Ndërlidhjet

Protestë para gjykatës në Mitrovicë


Gjykata në Mitrovicë
Gjykata në Mitrovicë

Serbët kanë protestuar para ndërtesës së Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, duke kërkuar kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në ndërtesë, para se aty të fillojnë punën zyrtarët e EULEX-it.

UNMIK-u thotë se mbase do ta lë Gjykatën në përgjegjësi të EULEX-it më 15 janar. Qeveria e Kosovës është optimiste se shumë shpejt do ta fusë në sistemin kosovar të drejtësisë edhe këtë gjykatë.


Dhjetëra serbë kanë protestuar, mëngjesin e sotëm, para hyrjes kryesore të Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në veri të Mitrovicës, për shkak se, siç kanë thënë, deri më sot përfaqësuesit e UNMIK-ut nuk kanë filluar realizimin e fazës së dytë të rifillimit të punës së gjykatës.

Njëri nga përfaqësuesit e punëtorëve serbë, gjykatësi Nikolla Kabashiq, ka deklaruar se ende nuk është filluar me fazën e dytë, e cila do të nënkuptonte fillimin e punës për gjykatësit dhe prokurorët serbë.

"Faza e dytë është dashur të nisë më 3 dhjetor. Në këtë fazë është dashur të përfshihen gjykatësit dhe prokurorët serbë që jetojnë në veri, pra në katër komunat veriore, natyrisht duke respektuar disa kushte”.

“Sot është 24 dhjetori, ne ende nuk jemi brenda, ndërsa siç qëndrojnë punët, ne kemi kuptuar se UNMIK-u po mundohet të blejë kohë, derisa të vijë EULEX-i. Nuk pajtohemi me UNMIK-un, i cili dje na ka njoftuar se ata do të tërhiqen plotësisht nga kjo ndërtesë më 15 janar, kur në këtë ndërtesë të hyjnë gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it", tha Kabashiq.

Gjykata në veri është bërë mollë sherri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, situata është përkeqësuar në muajin mars, kur UNMIK-u dhe KFOR-i kishin intervenuar për të liruar gjykatën nga okupimi që i bënë ish-punëtorët serbë. Trazirat patën lënë të vdekur një polic ukrainas dhe shumë të lënduar në mesin e forcave ndërkombëtare.

Më 3 tetor, gjykatësit dhe prokurorët e UNMIK-ut kanë rifilluar punën në gjykatë, por jo edhe punonjësit serbë dhe shqiptarë.

UNMIK-u thotë se aktualisht është në negociata për t’i transferuar përgjegjësitë te EULEX-i.

"Siç e dini, EULEX-i është bërë operacional më 9 dhjetor. Tani kemi rol tjetër nga ai që kemi pasur më parë dhe funksionet tona në fushën e sundimit të ligjit, i janë transferuar EULEX-it. Aktualisht kemi një propozim për të transferuar gjykatën e Mitrovicës te EULEX-i më 15 janar, por ende mbetet propozim. Ende ka negociata rreth çështjeve teknike, praktike. Nuk mund të japim datë të saktë", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Por, ende nuk dihet se kur do të kthehen punonjësit shqiptarë dhe serbë në gjykatë. Kapllan Baruti është kryetar i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë dhe aktualisht me stafin e tij është zhvendosur në Vushtrri, ku punon me kapacitete të përgjysmuara.

"Ne kemi kontakte me gjyqtarët e EULEX-it dhe nuk kemi ndonjë termin të caktuar se kur do të bëhet kjo, por kemi premtime se ata janë të angazhuar maksimalisht në këtë drejtim", tha Baruti.

Por, vetë ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, është optimiste se çështja e gjykatës në veriun e banuar me shumicë serbe, do të zgjidhet shpejt.

"Këtë çështje e kemi sensibilizuar që nga dita e parë e mbylljes së atyre institucioneve; kemi kërkuar që ato sa më shpejt të hapen. Këto ditë EULEX-i është shtrirë edhe në institucionet e drejtësisë. Mirëpo, ka vërejtur se pa gjyqtarë dhe prokurorë vendorë, nuk ka mundësi të punojë. Kështu që jemi duke bërë strategjinë për ta dërguar edhe stafin vendor - prokurorë, gjyqtarë, staf administrativ etj.", tha ministrja Kelmendi.

Serbët, në anën tjetër, kanë paralajmëruar se do të pengojnë punën e gjykatës, nëse nuk plotësohen disa kushte të parashtruara nga ta. Sërish Nikolla Kabashiq:

"Sot jemi mbledhur që simbolikisht ta mbyllim për 30 minuta këtë gjykatë, por nëse pas 15 janarit nuk ka marrëveshje, kjo gjykatë nuk do të punojë nëse në të nuk ka gjykatës serbë, kjo gjykatë nuk do të punojë me ligje të shtetit të pavarur të Kosovës”.

“Kjo ndërtesë nuk mund të jetë nën sistemin e shtetit të pavarur të Kosovës. Kjo gjykatë u takon banorëve që jetojnë këtu. Tubimi ynë nuk është kundër EULEX-it; jemi kundër asaj që gjykatësit serbë nuk janë të përfshirë në tërë këtë proces dhe që gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it të hyjnë para nesh", tha Kabashiq.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut, Kapllan Baruti, thotë se kërkesat e punonjësve serbë që të mos punohet me ligjet kosovare, janë të parealizueshme.

"Unë mendoj se një gjë e tillë, në situatën e tanishme është e pamundur, duke pasur parasysh edhe statusin politik të Kosovës. Kjo më tepër është një çështje politike, e cila nuk më përket mua që të jap vlerësime, por, si profesionist, mendoj se është e pamundur të realizohet", tha Baruti.

Megjithatë, mungesa e një kornize të saktë legale, nën të cilën vepron EULEX-i, ka lënë vend për interpretime të ndryshme.

Aktualisht, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, përveç gjyqtarëve të UNMIK-ut, janë vendosur edhe tre gjyqtarë dhe dy prokurorë të EULEX-it.
XS
SM
MD
LG