Ndërlidhjet

Pozita dhe opozita për punën e institucioneve


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Pozita dhe opozita ndajnë vlerësime të ndryshme në lidhje me punën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2008. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi tha sot se Qeveria prin për kah transparenca në tërë rajonin, opozita konsideron se Kosova, me këtë formë të qeverisjes, po futet në një krizë qeveritare.


Krerët e institucioneve ekzekutive dhe legjislative të Kosovës e vlerësojnë vitin 2008 një vit të sukseseve, që, sipas tyre, do t’i sjellë Kosovës perspektivën e qartë të integrimeve në familjen e vendeve evropiane. Në anën tjetër, opozita ndan kritika të shumta, sidomos në adresë të Qeverisë.

Por, kryeministri Hashim Thaçi vlerëson se Qeveria e tij është një prej qeverive më transparente në rajon. Kryeministri kosovar thotë se viti 2008 si vit i pavarësisë, është shënuar edhe me një qeverisje demokratike, që do t’ia hapë rrugën Kosovës edhe për zhvillimin ekonomik, por edhe për integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Kurse, kritikat e opozitës, ai i vlerëson si kritika që vijnë nga njerëz të frustruar.

“Unë i ftoj të gjithë që në këtë fundvit sinqerisht të jenë pjesë e këtij gëzimi të madh gjithëpopullor, e këtyre përgjegjësive të larta shtetërore që kemi treguar. I ftoj që t’i lënë anash dallimet partiake, i ftoj që të punojnë për shtet më tepër, sesa për interesat afatshkurtra të pretendimeve për pushtet. Pushteti nuk rrëmbehet, fitohet me votën e qytetarëve”, tha Thaçi.

Ndryshe nga kryeministri Thaçi mendon nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi. Sipas tij, një formë e tillë e qeverisjes, ku ka një shpërputhje mes vendimeve dhe veprimeve, do ta sjellë Kosovën para një krize qeveritare.

“Ka një shpërputhje mes vendimeve dhe veprimeve dhe kjo mund ta sjellë Qeverinë në fillim të vitit të ardhshëm në një krizë, e cila do të jetë me pasoja, për arsye se edhe për opozitën është më mirë të kemi një shtet funksional. Por, mënyra se si po veprohet dhe mënyra se si po sillen institucionet e Kosovës sot, nuk ofron asgjë tjetër përveçse një krizë të ardhshme”,
thotë Isufi.

Po sot, edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka prezantuar rezultatet e legjislaturës së Kosovës, duke besuar se Kuvendi këtë vit ka shënuar rezultatet më të mira në historinë e deritashme parlamentare të Kosovës.

“Të arritura të mëdha të Kuvendit dhe të Kosovës këtë vit, padyshim kanë qenë shpallja e pavarësisë, miratimi i simboleve shtetërore dhe i Kushtetutës, miratimi i ligjeve të shtetësisë së Kosovës, formimi i institucioneve përkatëse kushtetuese të saj, njohja e Republikës së Kosovës nga 53 shtete anëtare të OKB-së dhe promovimi i shtetit demokratik të Kosovës”, tha Jakup Krasniqi.

Por, deputeti i Lidhjes Demokratike të Daradanisë, Lulëzim Zeneli, thotë se institucionet po i nënçmojnë apo neglizhojnë detyrat që kanë, e një prej tyre, sipas tij, është që pas shpalljes, institucionet edhe ta ruajnë sovranitetin e Kosovës. Zeneli vlerëson se ky sovranitet është cenuar dhe po cenohet çdo ditë nga Serbia, përderisa Qeveria dhe Kuvendi nuk reagojnë.

“Institucionet e vendit janë vendosur në një qetësi absolute apo gjumë dimëror. Gjatë këtij viti na kanë përcjellë atake dhe sulme të vazhdueshme në drejtim të cenimit të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nga ana e Republikës së Serbisë dhe, në këtë drejtim, lirisht mund të them se pushteti aktual nuk ka qenë në nivelin e përgjegjësisë”, vlerëson Zeneli.

Sidoqoftë, pavarësisht mospajtimeve rreth formës së qeverisjes dhe politikave që po zbaton lidershipi aktual, një vlerësim i përbashkët i pozitës dhe i opozitës është se viti 2008 paraqet një vit historik për Kosovën, marrë parasysh shpalljen dhe njohjen e pavarësisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG