Ndërlidhjet

“Për UNMIK-un s’ka më struktura paralele”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Institucionet e financuara nga Beogradi zyrtar në brendi të territorit të Kosovës, nuk mund të konsiderohen apo të deklarohen publikisht si institucione paralele në Kosovë, thuhet në qarqet e larta të Kombeve të Bashkuara. Pakkush në misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) guxon ta interpretojë këtë ndryshe në publik, përpos përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, Lamberto Zannier. Një komunikim i brendshëm nga selia e OKB-së për zyrtarët e lartë në UNMIK, thotë prerazi që ky interpretim është i vetmi “i saktë ligjërisht” për personelin e mbetur të UNMIK-ut, e deri në ekzistencën e këtij misioni në Kosovë... Strukturat udhëheqëse të administratës së UNMIK-ut, para pak më shumë se një viti, gjatë maratonës së negociatave për statusin e Kosovës, patën alarmuar Departamentin e Operacioneve Paqeruajtëse në OKB me një raport të detajuar të pranisë administrative të Serbisë në Kosovë. Në dokument numërohen më se 300 institucione paralele, të cilat i ka mbledhur shërbimi i inteligjencës i UNMIK-ut në mbarë territorin e Kosovës...

KOSOVA SOT
Ndonëse komentet e fundit të autorit kryesor të dokumentit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, lidhur me mbajtjen apo mosmbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë, sipas dinamikës së paraparë në dokument, mund ta inkurajojnë koalicionin qeverisës për mosmbajtjen e zgjedhjeve, opozitarët deklarojnë se nuk do të lëshojnë pe në kërkesat e tyre dhe do të insistojnë që zgjedhjet parlamentare të shpallen dhe të mbahen njëkohësisht në vitin 2009. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, mendon se në deklarimin e tij rreth zgjedhjeve, Ahtisaari vetëm sa ka rikujtuar se ekziston provizioni për mbajtjen e zgjedhjeve, dhe ai në deklarimin e tij rreth këtij zhvillimi nuk e ka përjashtuar atë, por ka rikujtuar se duhet gjetur momentin më të përshtatshëm për realizimin e tij. Për Gjinin, kjo është një çështje tepër me rëndësi, edhe pse ata që nuk preferojnë zgjedhje, mund ta interpretojnë Ahtisaarin si duan vetë, për të shpëtuar në test demokratike, në të cilin mund të dalin edhe humbës...

EXPRESS
Në një raport të publikuar nga Misioni i OSBE-së që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, janë konstatuar disa lëshime të organit më të lartë legjislativ në vend, si dhe janë dhënë rekomandime për funksionim më efikas të shtëpisë së përfaqësuesve. Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka bërë një lëshim në mbledhjen e 23 shtatorit, kur ka aprovuar projektbuxhetin e Kuvendit për vitin 2009 pa përfshirjen paraprake të Komisionit për buxhet dhe financa... Një tjetër lëshim në punën e Kuvendit ka të bëjë me shpërndarjen e projektligjeve. Rregulla 35.1 parasheh që shqyrtimi i parë i projektligjit duhet të bëhet jo më parë se dhjetë ditë pune dhe as më shumë se tri javë pune nga dita pas shpërndarjes së tij. Gjatë periudhës raportuese, OSBE ka gjetur se shqyrtimi i parë i gjashtë projektligjeve nuk është në pajtim me rregullën e lartpërmendur...

LAJM
Gati një vit pas shpalljes së pavarësisë dhe pothuajse dy vjet pas publikimit të planit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, Kosova ende nuk e ka Këshillin e saj të Sigurisë. Këshilli i Sigurisë së Kosovës ende nuk është konstituuar dhe funksionalizuar, ndonëse për të nuk ka nevojë të hapen dhe rihapen konkurse, të bëhen kalkulime të ndryshme apo të përzgjidhen njerëz në bazë të preferencave personale, që i takojnë partisë apo klanit të ngushtë. Konstituimin dhe funksionalizimin e tij nuk mund ta pengojnë as ndërkombëtarët, siç është bërë zakon të aludohet kur bëhen vonesa në emërime të krerëve të institucioneve. KSK-ja vetvetiu konsiderohet e formuar, meqë përbëhet nga krerët e institucioneve politike dhe atyre të sigurisë në Kosovë. Tash, pas emërimit të komandantit të përgjithshëm të FSK-së dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, mungon vetëm edhe drejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe kështu Këshilli i Sigurisë do të kompletohej, do ta fillonte punën, në një fazë kur Kosovës po i kanosen rreziqe si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë, ku strukturat paralele në veri dhe shërbimet e sigurimit serb po kërcënojnë seriozisht funksionalitetin e shtetit...

BOTA SOT
Kuvendi i Republikës së Kosovës po e mbyll një vit të suksesshëm të punës, një vit me agjendë të zhvillimeve historike, vlerësoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në përmbyllje të vitit 2008. “E arritur e madhe e Kuvendit dhe gjithë Kosovës këtë vit, padyshim kanë qenë shpallja e pavarësisë, miratimi i simboleve shtetërore dhe i Kushtetutës, miratimi i ligjeve të shtetësisë së Kosovës, formimi i institucioneve përkatëse kushtetuese të saj, njohja e Republikës së Kosovës nga 53 shtete anëtare të OKB-së dhe promovimi i shtetit demokratik të Kosovës”, tha Jakup Krasniqi. Duke përmbledhur edhe më tej të arriturat e Kuvendit të Kosovës, Krasniqi tha se legjislatura në vijim e Kuvendit ka arritur me sukses të sigurojë përfaqësimin e të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë, duke promovuar njëkohësisht demokracinë dhe kulturën parlamentare...

INFOPRESS
Dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi, pas opozitës është kërkuar edhe nga ana e Kryesisë së Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës. Kjo kryesi, sipas zyrtarëve të saj,ka marrë vendim që të kërkojë dorëheqjen e parevokueshme të ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi, pasi që nëse deri më 15 dhjetor nuk është bërë pagesa e 44 eurove për punëtorët e QMF-ve, pas kësaj ata kanë premtuar se në emër të mantelbardhëve nga ministria do të kërkohen edhe përgjegjësi politike. Për më tepër, sipas sindikalistëve, jo vetëm që pagesa nuk është bërë për shërbimin parësor të shëndetit brenda këtij afati, por as për nivelet e tjera, dytësor dhe tretësor, për muajin dhjetor. Asllan Bajrami, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, ka thënë se arsyeja e kërkesës për dorëheqje të ministrit është pozita më e lartë e tij për shëndetësinë e Kosovës dhe pozita aq e ulët e punëtorëve shëndetësorë dhe shëndetësisë në përgjithësi në Kosovë...

EPOKA E RE
Shpallja e pavarësisë, Kushtetuta, Konferenca e Donatorëve, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe lufta e pakompromis e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, janë cilësuar nga kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e fundit të kabinetit të tij për vitin 2008, suksese të mëdha për shtetin më të ri në botë, Republikën e Kosovës. “Viti 2008 ishte vit i sukseseve të mëdha të Kosovës, vit i pavarësisë, i Kushtetutës, i suksesit të madh në Konferencën e Donatorëve; vit i kurorëzimit të përpjekjeve shekullore, vit i qeverisjes së mirë, i sundimit të ligjit dhe i luftës së pakompromis të korrupsionit dhe dukurive të tjera negative”, ka thënë Thaçi. Kreu i ekzekutivit në mënyre të veçantë ka falënderuar opozitën demokratike për mbështetjen e plotë që i ka dhënë Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera në mbështetje për të gjitha vendimet historike që janë marrë për shtetin e Republikës së Kosovës...

ZËRI
OKB-ja është duke menduar idenë që të mbajë një rol, sado të vogël, në Kosovë edhe në çështjet e sundimit të ligjit, pavarësisht faktit se misioni i kësaj organizate në Kosovë (UNMIK) është përshëndetur nga përgjegjësitë e tilla që nga 9 dhjetori. Një burim ndërkombëtar i ka thënë dje “Zërit” se telashet me të cilat është duke u përballur UNMIK-u në transferin e kompetencave te misioni i BE-së për sundim të ligjit (EULEX) po e bëjnë të pashmangshëm themelimin e një zyre të tillë, e cila, sipas tij, do të mund t’i kanalizonte përpjekjet për kryerjen e këtij transferi. “Transferi është duke u bërë më i vështirë se që është parashikuar. UNMIK është duke i dorëzuar apo tashmë ka bërë dorëzimin e përgjegjësive te EULEX në çështje të policisë, drejtësisë dhe doganave. Por, transferi po tregohet se është i vështirë dhe për këtë po shihet nevoja që UNMIK-u ta ketë një rol, sado të vogël”, ka thënë dje një burim ndërkombëtar i gazetës...
XS
SM
MD
LG