Ndërlidhjet

Koalicioni qeveritar në Maqedoni


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

BDI dhe VMRO-DPMNE kanë dhënë vlerësime të ndryshme sa i përket funksionimit të koalicionit qeveritar, në veçanti pas aksioneve të policisë në vendbanimet shqiptare.




Bashkimi Demokratik për Integrim konfirmon se tensionet janë rritur pas ndërhyrjes së forcave speciale në mbi 20 familje shqiptare në zonat e Shkupit dhe Kumanovës.

“BDI dhe VMRO-DPMNE morën legjitimitetin e elektoratit për të formuar Qeverinë, kështu që qeverisja duhet të jetë në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Por, padyshim se me ngjarjet e fundit janë shfaqur pakënaqësi në radhët e BDI-së, të cilat do të diskutohen në mbledhjen e radhës së kryesisë së partisë”, tha Rafis Haliti, nënkryetar i BDI-së.

Por, zyrtarja e lartë e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva, tha se raportet me BDI-në janë stabile, sikurse edhe situata e sigurisë në Maqedoni.

“Unë nuk shoh vështirësi në marrëdhëniet mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, veçanërisht nëse shihet bashkëpunimi ynë këtu në Parlament, dhe mendoj se është normale që të kenë qëndrime ndryshe për çështje të caktuara”, deklaroi Silvana Boneva, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, partitë opozitare shqiptare kanë vazhduar t'i bëjnë thirrje BDI-së që të ndryshojë qasjen e veprimit, madje Hysni Shaqiri, ish-nënkryetar i Parlamentit dhe tani drejtues i Bashkimit Demokratik Kombëtar, tha se Ali Ahmeti menjëherë duhet të braktisë Qeverinë.

“Ta ngremë zërin e përbashkët dhe t’i kundërvihemi kësaj fushate anti-shqiptare, që ne vete ngërthen një politikë fund e krye kundër interesave të shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi Hysni Shaqiri.

Shfaqjen e krizës në raportet mes BDI-së dhe VMRO-së e konfirmojnë edhe analistë politikë. Rizvan Sulejmani, drejtor i Institutit për studime politike, thekson se kjo krizë mund të bartet edhe jashtë Qeverisë.

“Ka probleme të brendshme, të cilat mund të evoluojnë ndoshta edhe me një krizë më të thellë politike, por besoj se që të dy partitë kryesore politike në pushtet janë të preokupuara me zgjedhjet lokale dhe kalkulojnë me to”.

“Por, sidoqoftë, kjo është një situatë që mund ta nxjerrë Maqedoninë në terren të rrezikshëm politik dhe të sigurisë. Mendoj se subjektet politike duhet të jenë më të kujdesshme dhe partia shqiptare në Qeveri nuk guxon edhe më tutje të largohet nga vullneti i popullit dhe të delegjitimohet, pasi kjo mund të krijojë situata të parapara për sigurinë e shtetit”, deklaroi Rizvan Sulejmani, drejtor i Institutit për studime politike.
XS
SM
MD
LG