Ndërlidhjet

Opozita e pakënaqur me vetveten


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës shprehen të pakënaqura me organizimin dhe konsolidimin e tyre, duke besuar se kanë mundur të kenë një rol edhe më të madh në Kuvend karshi Qeverisë dhe mazhorancës.




Përkundër disa përpjekjeve, opozita në Kuvendin e Kosovës nuk ka arritur të konsolidohet dhe të veprojë bashkërisht për çështje të interesit të tri partive nga tabori opozitar, vlerësojnë deputetët e këtyre partive politike.

Deputetja Besa Gaxherri, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, thotë se partitë opozitare nuk kanë arritur t’i tejkalojnë interesat e ngushta partiake në interesin e gjithë opozitës. Gaxherri në rend të parë fajëson dy partitë tjera në opozitë, që nuk kanë bashkëpunuar në masën e mjaftueshme për një opozitë më të unifikuar karshi Qeverisë dhe shumicës në Kuvend.

“Opozita ka qenë e predispozuar që të jetë jo e suksesshme. Vlerësimi im për opozitën është me notë negative, ngase kjo opozitë në përbërjen e vet ka tri subjekte politike, përafërsisht me numër të njëjtë deputetësh dhe realisht jo me të njëjtin program. AKR-ja ka qenë në krah të koalicionit qeverisës, kurse nëse e shikojmë edhe AAK-në, për çështje të caktuara edhe ata kanë ditur të anojnë kah mazhoranca”, vlerëson Gaxherri.

Duke mos parë shumë mundësi që tri partitë opozitare të kenë një zë më të fuqishëm në Kuvend, deputetja Gaxherri thotë se tash duhet pritur zgjedhjet e lira, në mënyrë që secili subjekt politik edhe një herë të dëshmojë vetveten si forcë politike.

Ndërkohë, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, thotë se opozita ka mundur të ketë një rol më të madh në Kuvend. Në disa raste ajo thotë se partitë e taborit opozitar janë treguar të suksesshme, kurse në raste të tjera, edhe Syla vlerëson se opozita ka mundur të tregohet më e unifikuar.

“Sa i përket interesave të opozitës, mendoj se aty ku grupet parlamentare e kanë parë të arsyeshme dhe kanë pasur interesa të përbashkëta, kanë punuar dhe janë angazhuar konform atyre interesave. Megjithatë, ka pasur çështje dhe ende është në proces çështja e unifikimit apo lidhjeve edhe më të ngushta në mes të akterëve të opozitës”, thotë Syla.

Në anën tjetër, deputeti Ibrahim Makolli, nga Aleanca Kosova e Re, thotë se opozita nuk ka arritur ende që fillimisht t’i identifikojë çështjet e interesit të përbashkët të tri partive më të mëdha joqeveritare në Kuvend. Megjithatë, sipas tij, krahasuar me fazën e parë të punës, nga vjeshta e këndej, opozita ishte më mirë e organizuar.

“Opozita tashmë duhet të fillojë të mendojë drejt në krijim të një politike më të qartë në raport me Qeverinë. Besoj po ashtu që duke marrë parasysh shumë aktorë, të cilët janë ndikues, qoftë para zgjedhjeve, por edhe në vazhdimësi, do të jetë shumë më e përgjegjshme dhe do të ketë shumë më shumë mundësi që t’i harmonizojë politikat e veta”, thekson Makolli.

Ndryshe, në fillimin e punës së Kuvendit në sesionet e vjeshtës, udhëheqësit opozitarë qenë takuar në përpjekje të riorganizimit si opozitë në Kuvend. Unifikimi për disa nga interesat e përbashkëta të opozitës ishte vlerësuar atë kohë se do të jetë në interes edhe të Kosovës. Sidoqoftë, tani vetë deputetët opozitarë konsiderojnë se nuk e kanë arritur këtë konsolidim dhe organizim të dëshiruar.
XS
SM
MD
LG