Ndërlidhjet

UNMIK-u, pasi t'i bartë përgjegjësitë te EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës, do mbajë një Zyrë Ndërlidhëse për Sundimin e Ligjit. Kjo do të ndihmojë në zgjidhjen e rasteve të ndërlidhura me qeveritë apo institucionet që nuk e njohin Kosovën e pavarur.


Që nga 9 dhjetori, kur EULEX-i ka nisur shtrirjen në Kosovë, roli i UNMIK-ut është zvogëluar dukshëm. Megjithatë, nuk është shuar ashtu siç ishin pritjet pas shpalljes së pavarësisë.

Madje, edhe pasi që t'i bartë përgjegjësitë te misioni evropian për sundimin e ligjit, UNMIK-u do të ketë një rol të vogël në Kosovë përmes Zyrës Ndërlidhëse për Sundimin e Ligjit.

"Do të jetë një Zyrë Ndërlidhëse e UNMIK-ut për Sundimin e Ligjit. Kjo do të veprojë atëherë kur UNMIK-u duhet të luajë ndonjë rol kur kemi përballje ndërkombëtare me qeveritë që nuk e njohin Kosovën, me Interpolin, me Tribunalin e Hagës. Por, mbase do të ketë ndonjë rol edhe në çështjen e personave të zhdukur", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Analisti për çështje sigurie, Ramadan Qehaja, e sheh fare si të panevojshëm këtë rol të UNMIK-ut. Ai mendon se me ardhjen e EULEX-it, roli i UNMIK-ut duhet të shuhet i tëri.

"Sipas mendimit tim, do të ishte më së miri që ai të mos ekzistonte më në Kosovë, sepse ne tashmë jemi shtet i pavarur, e kemi misionin e BE-së. Roli i UNMIK-ut tanimë është shuar, por, si duket, për shkaqe teknike të mosfunksionimit të bollshëm dhe pamundësisë së marrjes së kompetencave që duhet t'i ketë EULEX-i këtu, kjo bartje po shkon ngadalë", tha Qehaja.

Ndryshe, UNMIK-u ka bartur përgjegjësitë në fushën e policisë, doganave, derisa është duke u përballur me vështirësi në fushën e drejtësisë, përkatësisht në gjykatat që veprojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

"Janë disa detaje për të cilat duhet punuar ende. Secila kompetencë, secila përgjegjësi do të transferohet, p.sh. policia është transferuar shumë shpejt, doganat shumë shpejt, dhe kanë për të zgjidhur disa detaje në çështjen e gjykatës në Mitrovicë. Nuk shohim ndonjë pengesë dhe po shkon mirë procesi mes UNMIK-ut e EULEX-it", thotë Rusell Geekie.

Mbetja e një zyre të UNMIK-ut, sado e vogël të jetë, sipas analistëve, do të ketë ndikim negativ, sidomos te serbët e Kosovës, të cilët edhe më tej e shohin UNMIK-un si mision të vetëm legal në Kosovë. Kjo, sipas tyre, mban të gjalla iluzionet te kjo pjesë e serbëve, që nuk duan ta pranojnë realitetin e pas 17 Shkurtit.

Ramadan Qehaja sqaron:

"Ka një domethënie pse kjo pjesë e UNMIK-ut ka mbetur. Kjo është çështje që duhet të funksionojë ashtu siç është paramenduar për momentin, edhe për shkak të padëgjueshmërisë që kemi në pjesën veriore të Kosovës", thotë Qehaja.

Vendosjes së EULEX-it i ka paraprirë një deklaratë presidenciale e Këshillit të Sigurimit, e cila nuk sqaron në përpikëri bazën legale të këtij misioni, gjë që ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme nga Prishtina dhe Beogradi.

Sidoqoftë, edhe pse vendosja e EULEX-it ka marrë dritë jeshile nga Beogradi, një pjesë e serbëve të veriut të Kosovës vazhdojnë ta shohin si mision të vetëm legal UNMIK-un.
XS
SM
MD
LG