Ndërlidhjet

Serbët: EULEX-i ka filluar zbatimin e Planit Ahtisaari në veri


Mitrovicë

Mitrovicë

Kryetarët e komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet serbe të 11 majit, kanë ardhur në përfundim se misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi, EULEX, në qetësi ka filluar implementimin e planit të Martti Ahtisaarit dhe të Kushtetutës së Kosovës.


Kryetarët e komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë ardhur në përfundim se misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi, EULEX-i, në qetësi ka filluar implementimin e planit të Martti Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës, gjë të cilën, kohë më parë, Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë e kanë quajtur të papranueshme.

Ata kanë përsëritur se nuk do të bashkëpunojnë me EULEX-in derisa ai mision të mos jetë neutral ndaj statusit.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, ka thënë se do të kërkohet nga përfaqësuesi i Beogradit zyrtar interpretimi i planit gjashtëpikësh.

"Është e dukshme se rreth gjashtë pikave ka interpretime të ndryshme, kurse neve na interesojnë gjërat më të thjeshta. Kur është në pyetje policia, duam përgjigje nga ana e Ministrisë për Kosovën, si dhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme”.

“Pra, para së gjithash, duam atë përgjigje nga shteti ynë – a do të punojnë në stacionet policore serbët, a do të drejtojë UNMIK-u policinë apo kush tjetër, EULEX-i, apo mos e dhashtë Zoti institucionet e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme e shtetit të papranueshëm të Kosovës", tha Ristiq.

EULEX-i ndërkohë ka ripërsëritur qëndrimin e tij të mëhershëm, duke theksuar se bazë ligjore e veprimit të këtij misioni në Kosovë mbetet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe aksioni i përbashkët i 4 shkurtit të vitit 2008.

E pyetur nëse EULEX-i do të marrë parasysh qëndrimin e krerëve komunalë serbë në veri, zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, u shpreh:

"Tani po më parashtroni një pyetje politike... Siç e dini, EULEX-i në Kosovë është një mision teknik për sundimin e ligjit, i cili do t'i mbështesë institucionet kosovare në ndërtimin e një sistemi funksional të sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën", tha ajo.

Përgjegjësitë dhe dosjet e ndryshme në gjykatat në veri të Kosovës, objektet e të cilave ishin zaptuar nga protestues serbw pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të cilat pastaj ishin mbyllur për disa muaj duke u rifunksionalizuar në muajin tetor nga misioni i Kombeve të Bashkuara, akoma nuk kanë kaluar tërësisht nga UNMIK-u te EULEX-i.

Madje, UNMIK-u ka paralajmëruar se për shkak të vështirësive të transferimit të përgjgjësive në fushën e sundimit të ligjit, do të jetë e nevojshme hapja e një zyre ndërlidhëse për këtë çështje.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Ristiq, kërkon qartësi rreth funksionimit të gjyqeve në veri dhe rreth kornizave ligjore në kuadër të të cilave do të veprojnë ato.

"Do të paralajmërojmë UNMIK-un, i cili, të paktën formalisht, është ende drejtuesi kryesor në Kosovë, që të mos luajë me zjarr dhe të mos provojë instalimin e çfarëdo doganash, derisa për atë çështje nuk arrihet marrëveshja mes UNMIK-ut, Beogradit dhe strukturave tona lokale",
theksoi Ristiq.

Rikonfigurimi i UNMIK-ut dhe zvogëlimi i stafit të këtij misoni, një pjesë e konsiderueshme e të cilit ka kaluar në misionin EULEX, nga kryetarët e komunave serbe të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, të cilat ishin cilësuar si të pavlefshme nga autoritetet kosovare dhe administrata e OKB-së, është vlerësuar si brengë e madhe.

Ata kanë thënë se do t'i kërkojnë udhëzime konkrete Beogradit zyrtar për veprimet në terren përgjatë javëve dhe muajve që vijnë.
XS
SM
MD
LG