Ndërlidhjet

“Bisedimet me Serbinë vazhdojnë pas festave”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Përderisa misioni i Kombeve të Bashkuara kishte mandat, por thjesht nuk donte t’i shkatërronte strukturat paralele në veri, kontrabandën dhe krimin e organizuar, apo të ndërpriste aktivitetet destruktive të Serbisë në Kosovë, misioni i Bashkimit Evropian pohon se nuk ka mandat për t’i penguar këto veprime, ndonëse thirret në atë se është “mision i sundimit të rendit dhe ligjit”. Madje, zyrtarët e EULEX-it bëhen nervozë kur pyetën nga gazetarët apo kur kritikohen nga opozita, se përse ky mision nuk po reagon ndaj provokimeve të Serbisë. Për këtë, EUELX-i thotë se përgjegjëse janë institucionet e Kosovës. “Duhet t’i pyesni institucionet e Kosovës për këto çështje, ato janë përgjegjëse për veprime të tilla që nga 17 shkurti, jo EULEX-i. Ju e keni shpallur pavarësinë, e keni Kushtetutën, i keni institucionet shtetërore – ato duhet të merren me këto punë. EULEX-i është këtu që të monitorojë, ndihmojë dhe këshillojë institucionet në polici, drejtësi, dogana”, thotë për Lajm, zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal...

KOSOVA SOT

Bashkësia ndërkombëtare do të kërkojë që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë mes tyre, qoftë edhe në nivelin teknik edhe gjatë vitit 2009. sipas diplomatëve ndërkombëtar, kjo do t’i ndihmonte stabilitetit në rajon, ndërkaq që do të mundësonte edhe qasjen më fleksibile të Serbisë karshi Kosovës. Sipas të njëjtëve zyrtarë, vendimi i shteteve të veçanta për të njohur pavarësinë e Kosovës do të ishte shumë më i lehtë në rastin kur mes Serbisë dhe Kosovës do të ekzistonte një linjë bisedimesh. Burime nga kabineti i presidentit serb, Boris Tadiq, thonë se pas festave do të ketë bisedime për planin 6-pikësh. Shefi i ICO-së, Pieter Feith, në një intervistë për Kosova Sot (e cila do të botohet në numrin special të Vitit të Ri), rendit bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit si një nga top prioritetet për vitin 2009. sipas përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë, qasja fleksibile e Serbisë ndaj Kosovës do të vijë nga nevoja që Beogradi të ketë qasje pro-evropiane...

BOTA SOT
Përfoljet dhe shkrimet në disa media se në veriun e Mitrovicës, aty ku veprojnë strukturat paralele serbe, edhe tash pas vendosjes së EULEX-it, ka filluar regjistrimi i popullsisë, janë veprime provokuese të Qeverisë së Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës. Gjithashtu këto lloj veprimesh janë ndërhyrje e Qeverisë serbe në punët e brendshme të Kosovës dhe institucionet e Kosovës nuk duhet të mbesin indiferente ndaj provokimeve të tilla të vazhdueshme, por duhet të përdorin mekanizmat e mundshëm demokratikë, që këtyre veprimeve ilegale t’u thuhet “stop”.... Prof. Rifat Blakaj, zëvendësministër i Shërbimeve Publike, nuk duket i shqetësuar se në pjesën veriore të Mitrovicës ka filluar regjistrimi i popullsisë. Ai madje beson në një keqinterpretim të medieve, sepse, siç u shpreh ai, atje bëhet një regjistrim që ka për qëllim diçka tjetër... “Kjo është edhe një propagandë, e cila do të krijojë habi dhe paqartësi në lidhje edhe me regjistrimin për të cilin ne jemi në përgatitje”...

ZËRI
Zyrtarë të UNMIK-ut kanë bërë të ditur të enjten se Zyra për Sundim të Ligjit në këtë mision është duke e kryer punën si duhet në bartjen e plotë të kompetencave te misioni i ri i BE-së për sundim të ligjit (EULEX). Sipas zëdhënësit ë UNMIK-ut, Rusell Geekie, zyra për sundimin e ligjit do të funksionojë “për të plotësuar ndonjë zbrazëtirë që mund të ekzistojë gjatë ose pas bartjes së funksioneve të sundimit të ligjit”. “Për shembull, UNMIK-u mund të shërbejë si ndërmjetës me organizatat ndërkombëtare në të cilat Kosova nuk është anëtare, apo te shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Geekie, duke përmendur në këtë rast Tribunalin e Hagës si institucion në të cilin UNMIK-u mund t’i japë shërbimet e veta...

INFOPRESS
Banka qendrore ende nuk ka fond për sigurimin e depozitave të klientëve në bankat komerciale. Por, përveç kësaj nuk ka as ligj për sigurimin e depozituesve. Qeveria po bën përpjekje për krijimin e tyre, por, sipas Ahmet Shalës, ministër për Ekonomi dhe Financa, për një gjë të tillë nuk duhet ngutur. Shala, në një intervistë për “Infopress”, ka thënë se praktikat e ndryshme ndërkombëtare kanë ngritur mekanizma të ndryshëm për mbrojtjen e depozitave. “Edhe këtu në Kosovë ka zëra që një gjë e tillë duhet të ndodhë. Por, vetë fakti se bankat kanë treguar një performancë të mirë në ngritjen e depozitave, kjo tregon se bankat i kemi të qëndrueshme dhe të menaxhueshme nga Banka Qendrore”, ka thënë Shala. Por, a paraqet rreziku mungesa e ligjit për sigurimin e depozitave?...

EPOKA E RE
Pas deklaratës së ministrit serb për Kosovën në Qeverinë e Beogradit, Goran Bogdanoviq, se gjykatësit serbë nuk do t’i zbatojnë ligjet e kOsovës,por të punojnë me ligjet që kanë qenë deri novitet 1989 dhe rregulloret e UNMIK-ut, ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, duke ia bërë të qartë ministrit serb se në Kosovë do të punohet vetëm në bazë të Kushtetutës. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë se institucionet e Kosovës nuk janë të habitura nga deklarata e ministrit serb, Bogdanoviqq, pasi që Serbia gjithmonë ndaj Kosovës ka pasur një qasje jokonstruktive dhe jorealiste... “Megjithatë, mund t’ua bëjmë të qartë Bogdanoviqit dhe të gjithëve se në Kosovë do të implementohet Kushtetuta, plani i presidentit Ahtisaari dhe të gjitha ligjet që bazën e kanë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi...

EXPRESS
Mundësia për të ndërtuar një hidrocentral në Dri, përkatësisht në fshatin Zhur, tash po shqyrtohet në mënyrë shumë më serioze se para disa vitesh. Banka Botërore, si financues, studimin e fizibilitetit ia ka besuar kompanisë “Elektroprojekt” nga Kroacia. E tërë kjo punë pritet të jetë e gatshme më së voni në prill të vitit 2009. Megjithatë, vlerësimet nuk priten të ndryshojnë shumë nga ato që janë bërë në vitin 2001. “Ne jemi duke pritur studimin e fizibilitetit, ashtu që të marrim vendimin përfundimtar për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit”, tha zëvendësministri i Energjisë dhe Minierave, Blerim Rexha. Vlerësimet janë duke u bërë në veçanti në aspektin mjedisor dhe social. "Banka Botërore financon studimin e plotë të fizibilitetit për hidrocentralin e Zhurit, së bashku me vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis dhe shoqëri”, tha Lundrim Aliu, zyrtar nga Banka Botërore. Ai tha se deri në mars ose prill do të marrin vlerësimet nga konsulentët e angazhuar. Lorik Haxhiu, drejtues i Zyrës së Panelit, sipas të dhënave nga një studim paraprak i bërë në vitin 2001, thotë se hidrocentrali i Zhurit parashihet të ketë kapacitet prej 292 megavatesh për orë, por vetëm në kohën e pikut...

KOHA DITORE
“Sa janë paralele institucionet e Serbisë në Kosovë, aq janë paralele edhe institucionet e Kosovës! Në OKB askush s’thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legale”. Ky është komenti i një zyrtari të OKB-së në Kosovë, i cili kërkon që të mos i përmendet emri. Në të vërtetë kjo është formula e shpjegimit, të cilën disa zyrtarë të Departamentit të OKB-së për Operacione Paqeruajtëse (DPKO) ua kanë dërguar punonjësve të misionit të OKB-së në Kosovë – UNMIK. Gazeta ka pasur rastin që të shohë shkresën që kanë dërguar zyrtarë të DPKO-së për personelin e lartë të UNMIK-ut, si përgjigje për çështjen e institucioneve paralele serbe në Kosovë të dërguar në qershor të këtij viti, pak para ardhjes së shefit të ri, Lamberto Zannier... Zyrtarë të tjerë të UNMIK-ut ndërkaq thonë se nuk kanë të drejtë të komentojnë zyrtarisht për këtë çështje... “Legalisht nuk është e qartë ende nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë legale, andaj nuk mund ta quajmë bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, apo çfarëdo institucioni tjetër si paralel, nëse e njëjta nuk vlen për Prishtinën”, thotë komunikimi i brendshëm nga selia e OKB-së për zyrtarët e UNMIK-ut, të cilin e ka parë gazeta...
XS
SM
MD
LG