Ndërlidhjet

Haradinaj: EULEX-i të respektojë ujdinë Prishtinë-Bruksel


Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj

"Më vjen keq që EULEX-i ka për ombrellë 1244-shin. EULEX-i duhet të punojë vetëm në bazë të kontratës së parë, përkatësisht marrëveshjes Prishtinë-Bruksel”, thotë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, po i afrohemi fundit të vitit 2008. Cilat mendoni se janë sfidat përballë Kosovës në vitin që po hyjmë?

RAMUSH HARADINAJ
Si Kosovë kemi sfidë kryesore përmirësimin e qeverisjes në vend dhe bërjes së politikave; me këtë kam parasysh politikën e jashtme – duhet ta fuqizojmë; pastaj politikat integruese ndaj pakicave dhe politikat që lidhen me tranzicionin – kërkohet që Prishtina zyrtare të jetë në zotësinë e parë të vetë tranzicionit që ndodh në Kosovë.

Pastaj, natyrshëm, ajo që është bazë e zhvillimeve në Kosovë dhe e jetës së njerëzve, është ekonomia dhe rritja ekonomike e vendit, kur dihet se ka përfshirë globin një krizë ekonomike dhe financiare.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet politikat për integrimin e pakicave. Cila mendoni se do të ishte rrugëdalja nga gjendja e krijuar në veri?

RAMUSH HARADINAJ
Meqë Kushtetuta e vendit është e avancuar dhe parasheh zgjidhje të avancuara për serbët në përgjithësi në Kosovë, por edhe në veri, atëherë një plan zbatues i Kushtetutës - përkatësisht i shtrirjes së juridiksionit edhe pushtetit në veri nga Prishtina - do të ishte i nevojshëm, në të cilin do të mund të parashiheshin edhe pjesë të punës që kryhen nga akterët ndërkombëtarë, si EULEX-i, meqë tash është në funksion në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka interpretime të ndryshme lidhur me mandatin e misionit evropian në Kosovë. Si e shihni ju këtë çështje?

RAMUSH HARADINAJ
Mua më vjen keq që EULEX-i ka për ombrellë 1244-shin. Për ne 1244-shi është i shpallur si ‘null’ rezolutë më 17 shkurt dhe në mesin e qershorit.

Bazuar në këtë, ne vlerësojmë se EULEX-i duhet të punojë vetëm në bazë të kontratës së parë pra të marrëveshjeve mes Prishtinës dhe Brukselit – nënkupton ftesës që i është bërë nga Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, ekziston edhe interpretimi nga Beogradi. A mendoni se do të krijohen probleme në terren, siç ishin problemet e javës së kaluar me hyrjen e trenit në Kosovë?

RAMUSH HARADINAJ
Janë zhvillime që në një mënyrë nuk janë të mira. Këto dëmtojnë përpjekjet për të krijuar besim dhe për të krijuar ndjenjën e mirë të ndërsjellë në Kosovë.
Besoj se prej Prishtinës zyrtare duhet të ketë masa konkrete se si t’u jepet fund zhvillimeve të tilla, pra të ndërpriten, mos të ndodhin më tej.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të duhej të ishin këto masa konkrete?

RAMUSH HARADINAJ
Në përgjithësi vendosja e një sistemi doganor të plotë dhe funksional edhe në pikat doganore 1 dhe 31, dhe po ashtu vendosja e juridiksionit në veri – nënkupton të gjyqësorit, të policisë dhe të administratës në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se është e vështirë të qeveriset me institucionet e Kosovës në njërën anë dhe me misionet ndërkombëtare në anën tjetër?

RAMUSH HARADINAJ
Nuk mendoj se kemi qeverisje të dy institucioneve. Në Kosovë qeveris Kosova, institucionet e vendit, ndërsa institucionet ndërkombëtare janë në një rol tjetër, jo qeverisës, por janë në një rol monitorues dhe përkrahës.

Sikurse dihet, ne me kënaqësi kemi ftuar këtë mision për një përkrahje dhe monitorim të asaj çfarë ne kemi rënë dakord me Pakon Gjithëpërfshirëse të Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova e ka ftuar këtë mision, megjithatë misioni i UNMIK-ut ende nuk po ik nga Kosova, ndërkohë që është planifikuar që të mbetet një Zyrë Ndërlidhëse për Sundimin e Ligjit...

RAMUSH HARADINAJ
Më mirë do të ishte sikur UNMIK-u të kishte përfunduar plotësisht punën në Kosovë. Më mirë do të ishte sikur EULEX-i të kishte filluar punën në bazë të marrëveshjeve të para mes Kosovës dhe BE-së.

Gjendja e tashme është një lloj degradimi, të them ashtu, i prezencës ndërkombëtare, mirëpo besoj se UNMIK-u e ka humbur rolin e vet total në Kosovë dhe EULEX-i po e merr.

Ajo që unë e vlerësoj me rëndësi është se EULEX-i, gjatë marrjes së rolit të vet, duhet të ketë parasysh se Prishtina zyrtare e ka fjalën e vet në të gjitha zhvillimet që ndodhin në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, keni pasur kritika ndaj qeverisjes së Kosovës, por çfarë në fakt ka arritur opozita në këtë vit që po lëmë pas?

RAMUSH HARADINAJ
Ne besoj se e kemi ballafaquar Qeverinë me realitetin e politikave që ndodhin në vend, e kemi ballafaquar Qeverinë me defektet e veta dhe ua kemi shpjeguar qytetarëve të vendit dhe të gjithë të interesuarve se në Kosovë mund të ofrohen ekipe shumë më të afta sesa që ka sot në qeverisje.

Pra, nuk është e tëra ajo që shihet sot - kualitetet që ka Kosova; për fat të keq, një pjesë e këtyre kualiteteve, mos të them më të mirat, kanë mbetur jashtë qeverisjes, dhe ky ka qenë edhe misioni ynë si opozitë dhe këtë e kemi bërë në vazhdimësi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG