Ndërlidhjet

logo-print

Preshevë: Policia serbe arrestoi dhjetë shqiptarë


Preshevë - foto arkiv

Preshevë - foto arkiv

Dhjetë shqiptarët e arrestuar akuzohen për vrasje dhe rrëmbime në qytetin e Gjilanit, në vitin 1999. Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, deklaroi se arrestimet në Luginën e Preshevës nuk çojnë kah stabilizimi i situatës në këtë rajon.




Autoritetet e Serbisë kanë arrestuar të premtën dhjetë shqiptarë, të dyshuar se janë të involvuar në vrasje dhe rrëmbime në Kosovë në vitin 1999, ka njoftuar zyra e prokurorisë së Serbisë për krime të luftës.

"Prej qershorit 1999 e deri në tetor të vitit 1999, ata ishin të involvuar në së paku 51 vrasje dhe 159 rrëmbime në qytetin e Gjilanit në Kosovë", tha Bruno Vekariq, zëdhënës i prokurorisë së Serbisë për krime të luftës.

Sipas tij "të gjithë ata ishin anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës".

Më tutje, Bruno Vekariq tha se "aksioni ishte përgatitur në katër muajt e fundit" dhe shpjegoi se disa të arrestuar nuk kanë jetuar në Serbi, por kishin ardhur për ta kaluar Vitin e Ri me familje.

Nga ana tjetër, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, vlerësoi sot se arrestimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk çojnë kah stabilizimi i situatës në këtë rajon.

Ai tha se "ishte absolutisht e panevojshme që në aksionin e arrestimit të marrin pjesë më se 100 pjesëtarë të xhandarmerisë, me bllokim të rrugëve dhe me keqtrajtimin e banorëve".

Sipas tij, "dikujt i duhet që në jug të Serbisë, kohë pas kohe, të ngritët temperatura, për ta arsyetuar përdorimin e xhandarmerisë".

Deputeti Riza Halimi më tutje tha se "absolutisht kjo nuk është në rregull dhe nuk i kontribuon stabilizimit të këtij rajoni" dhe theksoi se aksioni i arrestimit ishte realizuar me shumë tejkalime të autorizimeve zyrtare, me ç'rast është rrahur një i ri dhe "ka pasur provokime policore të pjesëtarëve të xhandarmerisë".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG