Ndërlidhjet

Serbët kushtëzojnë bashkëpunimin me EULEX-in


Pjesëtarë të EULEX-it

Pjesëtarë të EULEX-it

Krerët e komunave paralele serbe në veri të Kosovës kanë vendosur që të ndërpresin çdo kontakt me EULEX-in, përderisa ky mision nuk vepron si neutral karshi statusit të Kosovës.



Zyrtarët lokalë serbë të Komunës së Mitrovicës, të dalë nga zgjedhjet jolegjitime serbe të 11 majit, në seancën e sotme të jashtëzakonshme, njëzëri kanë vendosur që të mos bashkëpunojnë me përfaqësuesit e EULEX-it dhe që komunikimin me këtë mision ta realizojnë përmes administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ata i kanë kërkuar Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë që të bëhet publike marrëveshja gjashtëpikëshe ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Beogradit zyrtar, në mënyrë që përfaqësuesit serbë të sillen ndaj EULEX-it në mënyrë të përgjegjshme.

Një nga udhëheqësit lokalë serbë në Mitrovicë, Miodrag Rakiçeviq, sqaron qëndrimin e tij:

"Kuvendi Komunal i Mitrovicës kërkon nga UNMIK-u që si institucion legjitim të pengojë EULEX-in që të rihapë doganat në lokacionet 1 dhe 31, përderisa nuk arrihet një marrëveshje adekuate me palën serbe",
tha Rakiçeviq.

Ata konsiderojnë që bashkëpunimi me EULEX-in duhet të ndërtohet pasi që qytetarët të jenë vërtetuar për neutralitetin absolut të EULEX-it.

"Kuvendi Komunal kërkon nga Beogradi që të provojë ta ndalojë formimin e një krijese të tillë ushtarake jolegale. Nëse nuk arrin këtë, atëherë Beogradi duhet në mënyrë kategorike të vazhdojë të insistojë që të përmbushet Rezoluta 1244 dhe Marrëveshja e Kumanovës për kthimin e 1000 ushtarëve dhe policëve serbë, si mbrojtje për serbët dhe bashkësitë joshqiptare në krahinën jugore të Serbisë", shtoi Rakiçeviq.

Edhe në seancën e jashtëzakonshme të Komunës së Zubin Potokut, mbi situatën aktuale të sigurisë dhe politike në Kosovë, zyrtarët lokalë njëzëri kanë konkluduar që të gjitha vendimet që do të sillen apo janë sjellë nga ana e institucioneve të Kosovës, pjesë të bashkësisë ndërkombëtare apo organizatave që e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk mund të implementohen në territorin e kësaj komune dhe do të konsiderohen me të drejtë si të pavlefshme dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

I ashtuquajturi sekretar i Komunës së Zubin Potokut, Nenad Bashçareviq, tha se Komuna e Zubin Potokut, organet dhe institucionet e saj edhe një herë vërtetojnë gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me misionin e UNMIK-ut dhe KFOR-in, por në bazë të Rezolutës 1244.

Përfaqësues të institucionit paralel serb të Komunës së Zubin Potokut nuk kanë përjashtuar mundësinë e ekzistimit të incidenteve të rënda, në rast se përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe të organizatave ndërkombëtare shfaqin çfarëdo tentimi që të vendosen simbole të shtetit të Kosovës në veriun e Kosovës, gjë për të cilën, siç thanë ata, Kuvendi Komunal i Zubin Potokut është përgjegjës.

"Vendkalimet administrative për në Republikën e Serbisë, e veçanërisht vendkalimet 1 dhe 31, Bërnjak dhe Jarinë, nuk munden kurrsesi të bëhen pikëkalime kufitare dhe nuk munden kurrsesi që qytetarët tanë të paguajnë doganë dhe tatime tjera, të cilat do të shkonin në favor të shtetit të vetëproklamuar të Kosovës", tha Bashçareviq.

Ata po ashtu kanë konstatuar që bashkëpunimi eventual me misionin e BE-së në Kosovë mund të vijë në shprehje vetëm nëse Kuvendi dhe serbët e Kosovës do të binden në neutralitetin esencial të EULEX-it.

Misioni EULEX ndërkohë ka filluar operimet në të gjithë territorin e Kosovës më datën 9 të këtij muaji, duke dërguar përfaqësues të doganave edhe në veri të Kosovës. Përfaqësues të këtij misioni janë zotuar se do të veprojnë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe në përputhje me aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG