Ndërlidhjet

Bisedime të reja teknike Prishtinë-Beograd në 2009?


Misioni i OKB-së në Kosovë paralajmëron një raund të ri bisedimesh teknike Prishtinë-Beograd për pjesën e parë të vitit 2009. Qeveria kosovare shprehet e vendosur të zhvillojë dialog me Serbinë vetëm në cilësinë e shteteve sovrane.


Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk e ka të qartë se a do të ndërmjetësojë sërish bisedimet e reja për çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat, sipas paralajmërimeve të zyrtarëve të lartë të UNMIK-ut, do të rifillojnë në fillim të vitit të ardhshëm.

Pas kalimit të pjesës më të madhe të përgjegjësive nga UNMIK-u në misionin e Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi, në Kosovë mbetet akoma e paqartë çështja se cili nga këto misione do të luajë rolin ndërmjetësues në bisedimet e reja teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russel Geekie, thotë se bisedimet për çështje teknike Prishtinë-Beograd, sipas të gjitha gjasave, do të jenë bisedime direkte të zhvilluara nga ekspertë të të dyja palëve, përfshirë pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë.

"Nuk mund t'ju jap detaje tani, por nëse flisni për çështjet e sundimit të ligjit, ju e dini se që nga 9 dhjetori forcat policore të UNMIK-ut nuk janë më operacionale - gjë për të cilën tani është përgjegjës EULEX-i. Mendoj se është e rëndësishme që, sipas të gjitha gjasave, do të ketë një dialog direkt, të zhvilluar nga ekspertë për çështje teknike, përfshirë dhe ndërkombëtarët qoftë nga UNMIK-u, apo EULEX-i", tha Geekie.

Bisedimet e fundit teknike Prishtinë-Beograd, të moderuara nga përfaqësuesit e OKB-së në Kosovë, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier dhe nga i dërguari i OKB-së, Andrew Ladley, kishin përfunduar me hartimin e dokumentit 6-pikësh, dokument ky i pranuar nga Beogradi dhe i hedhur poshtë nga Prishtina zyrtare.

Ky plan parasheh aranzhime të reja për policinë, doganat, gjykatat, administrimin e vijës kufitare, transportin dhe trashëgiminë kulturore e fetare serbe - çështje të ashtuquajtura teknike.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, hedh poshtë mundësinë e rifillimit të bisedimeve për këto çështje, duke theksuar se Serbia dhe Kosova do të mund të zhvillojnë bisedime vetëm në nivelin e shteteve sovrane.

"Unë mendoj se raportet Kosovë-Serbi janë raporte të dy shteteve sovrane dhe të pavarura, të cilat mund të bisedojnë si çdo shtet tjetër sovran për integrime rajonale apo partneritetin në integrime evropiane. Por, sa i përket statusit të Kosovës apo mekanizmave të tjerë që kanë të bëjnë me brendinë juridiko-kushtetuese të vendit tonë, mendoj se ajo punë tanimë është e kryer. Këto iluzione nuk duhet të ekzistojnë as në Beograd dhe as diku tjetër",
theksoi Kuçi.

Bisedime të reja eventuale ndërmjet Qeverisë serbe dhe asaj kosovare, sipas opozitës në Kosovë, nuk duhet të zhvillohen për çështje të brendshme të shtetit të Kosovës.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, konsideron se ekzekutivi kosovar gjatë bisedimeve eventuale me Serbinë duhet të veprojë në kohën e duhur para se të vihet para akteve të kryera.

"Pala kosovare duhet të jetë shumë e kujdesshme në raport me bashkësinë ndërkombëtare, duke qenë vazhdimisht në bisedime, por për çështje që kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Iniciativat duhet të merren nga institucionet e vendit për të pasur qasje në territor dhe për të bërë integrimin e minoriteteve në Kosovë", u shpreh Isufi.

Temat për bisedime të reja teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk dihen akoma, ndërkohë për 6 çështjet e mëparshme teknike të dy vendet vazhdojnë të kenë qëndrime diametralisht të kundërta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG