Ndërlidhjet

Vazhdon ofensiva izraelite


Rripi i Gazës
Rripi i Gazës

Ofensiva e Izraelit në Rripin e Gazës ka hyrë në ditën e tretë. Në sulmet e fundit, aeroplanët izraelitë kanë bombarduar Universitetin Islamik dhe ndërtesat e Qeverisë së Hamasit.





Zyrtarët palestinezë thanë se rreth 300 njerëz janë vrarë që nga fillimi i ofensivës së Izraelit.

Kombet e Bashkuara deklaruan se në mesin e viktimave janë edhe 51 civilë. Tanket izraelite janë vendosur në kufirin me Gazën, ndërkaq kabineti qeveritar ka miratuar planin e thirrjes së 6 mijë rezervistëve në përgatitje për ndonjë invazion të mundshëm tokësor.

Zëdhënësi i Qeverisë izraelite, Mark Regev, tha se aksioni ushtarak do të vazhdojë derisa popullata në jug të Izraelit "nuk jeton më gjatë në frikë dhe terror nga sulmet me raketa nga Gaza".

Ofensiva e Izraelit në Gaza ka ngjallur protesta në Bregun Perëndimor dhe disa qytete evropiane. Protesta pati edhe në Iran, Irak dhe Indonezi.

Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndalimin e dhunës.

Shefi i diplomacisë britanike David Milliband tha se "është e papranueshme çdo humbje jete e njerëzve të pafajshëm".

Ministrja e Jashtme e Izraelit, Tzipi Livni tha se zvogëlimi kohës së operacioneve ushtarake në Gaza mund të ndodhë vetëm kur të bëhet e qartë se Izraeli ka të drejtë të mbroje vetën.

"Poashtu duhet siguruar se Izraeli mund të ndërmarrë gjitha veprimet për të ndryshuar gjendjen, komuniteti ndërkombëtarë duhet të mbështesë Izraelin dhe vazhdojë bashkëpunimin kundër Hamasit pa e legjitimuar atë", ka thënë Livni.

Ndërkaq, në deklaratën e grupit militant Hamas thuhet se "lufta e hapur në Gaza është kundër njerëzve dhe ajo vetëm do të rrisë rezistencën e Hamasit kundër armikut”.

“Ne do të vazhdojmë t'u përgjigjemi këtyre sulmeve. Do të mbrojmë njerëzit, familjet tona si dhe Palestinën", thuhet në deklaratën e Hamasit.

Ndërkohë, sot, lideri i grupit militant Hezbollah u ka bërë thirrje përkrahësve të tij që të jenë në gjendje gatishmërie, në rast të sulmeve izraelite në Liban.

Sheik Hasan Nasrallah tha se Hezbollahu është i gatshëm të konfrontohet me secilin agresor të Libanit, si dhe premtoi se grupi nuk do t'i lë vetëm palestinezët e Hamasit.

Siria ka pezulluar bisedimet jo të drejtpërdrejta me Izraelin në përgjigje ndaj ofensivës në Gaza.

Çmimi i naftës është ngritur gjatë 24 orëve të fundit për më shumë se 1 dollar për fuçi, si pasojë e dhunës në Gaza. Në tregjet aziatike çmimi për një fuçi naftë është 40 dollarë, për shkak të frikës nga përhapja e konfliktit.


XS
SM
MD
LG