Ndërlidhjet

Izraeli: Jemi në luftë totale me Hamasin


Ministri i Mbrojtjes i Izraelit Ehud Barak tha se Izraeli është i përfshirë në "luftë totale kundër Hamasit" në Rripin e Gazës.

Komentet e tij në parlamentin izraelit u bënë në kohën kur ofensiva e Izraelit në Rripin e Gazës hyri në ditën e tretë, me synim dëmtimin e aftësisë së militantëve për të bërë raketa dhe për t'i shkrepur ato kundër qyteteve fqinje izraelite.

"Ne po i ndjekim terroristët dhe po ndërmarrim çdo masë që të mos i dëmtojmë civilët. Ndërkohë, pjesëtarët e Hamasit dhe organizatave tjera terroriste, me qëllim operojnë dhe fshehen në zemër të popullatës civile", tha Ehud Barak.

Zyrtarët palestinezë thanë se më shumë se 300 njerëz janë vrarë nga fillimi i ofensivës në Gaza. Kombet e Bashkuara thanë se në mesin e tyre janë 51 civilë.

Një izraelit u vra sot kur një raketë palestineze goditi qytetin izraelit Ashkelen.

Tanket izraelite janë vendosur në kufirin me Gazën, ndërsa kabineti ka miratuar mobilizimin e 6 mijë rezervistëve në përgatitje për ndonjë invazion të mundshëm tokësor.

Hamasi tha se "lufta e hapur në Gaza është kundër njerëzve dhe ajo vetëm do të rrisë rezistencën e Hamasit kundër armikut”.

“Ne do të vazhdojmë t'u përgjigjemi këtyre sulmeve. Do të mbrojmë njerëzit, familjet tona dhe Palestinën", thuhet në deklaratën që e lexoi Fawzi Barhoum.

Grupi militant Hezbollah u ka bërë thirrje përkrahësve të tij që të jenë në gjendje gatishmërie, në rast të sulmeve izraelite në Liban.

Sheik Hasan Nasrallah tha se Hezbollahu është gati të përballet me çdo agresor të Libanit, dhe premtoi se nuk do t'i lë vetëm palestinezët e Hamasit.

XS
SM
MD
LG