Ndërlidhjet

IHT: "Obama dhe Putin – si të përmirësohen marrëdhëniet?"


“International Herald Tribune”

Duke pasur parasysh të gjitha ato me të cilat ballafaqohet, mund të ndodhë që Barack Obama të jetë i nxitur që ta anashkalojë Rusinë, por shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë. Marrëdhëniet amerikano – ruse kanë arritur në në një nivel të rrezikshëm të ulët, derisa Kremlini me veprim të shtuar u kundërvihet Shteteve të Bashkuara.

Në anën tjetër, aleatët evropianë të Amerikës nuk kanë qenë të disponuar që ta marrin pjesën e tyre për Rusinë nga Uashingtoni.

Shumica prej tyre i kanë rezistuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara që Gjeorgjia dhe Ukraina të integrohen shpejt në NATO. Aleanca, që formalisht i ka ndërprerë lidhjet me Rusinë, pas luftës Gjeorgji - Rusi në muajin gusht, ka filluar një "riangazhim të kushtëzuar dhe gradual" me Moskën.

Duke pasur parasysh deklaratën e NATO-s se nuk do të ketë raporte normale derisa Rusia nuk i tërheq të gjitha trupat e saj nga Gjeorgjia dhe tërhiqet nga aneksimi i dy provincave gjeorgjiane, riangazhimi duket si kundërmasë ndaj furnizuesit me energji. Por, kjo po ashtu reflekton erozionin e besimit evropian në lidershipin e presidentit Bush.

Ndikimi amerikan ndaj sjelljes së Rusisë ishte i kufizuar edhe nga bindja e përhapur ndër rusët se sa më tepër që ata duket se janë të butë, Shtetet e Bashkuara e marrin avantazhin ndaj tyre.

Lufta me Gjeorgjinë ishte një rezultat; rezultat tjetër ishte shpallja aktuale e shumës prej 140 miliardë dollarësh në furnizime ushtarake.

Por, presidenti i zgjedhur amerikan, Barack Obama, dhe ekipi i tij i politikës së jashtme nuk kanë asnjë iluzion lidhur me Kremlinin e Vladimir Putinit. Rusia është edhe në krizë të thellë ekonomike.

Popullariteti dhe forca e zotit Putin ishin të bazuara, në masë të madhe, nga profiti me fat nga rritja e çmimeve të energjisë. Tash bursa ruse është në rënie të lirë dhe fabrikat janë të mbyllura, ndërsa rejtingu i Putinit po rrëshqet.

Zoti Obama duhet t’i sinjalizojë rusët se ai dëshiron marrëdhënie më të mira. Kjo do të nënkuptojë thirrje për rusët për nivel të lartë të konsultimeve në fushat në të cilat të dy vendet mund të arrijnë bashkëpunim të shpejtë – siç është për shembull luftimi i piraterisë.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Barack Obama, duhet ta shqyrtojë mundësinë e ripërtëritjes së marrëvershjes Start 1 për reduktimin e forcave bërthamore strategjike, që skadon në dhjetor të vitit 2009.

Ai po ashtu mund ta ulë tonin lidhur me kërkesën për anëtarësim në NATO të Gjeorgjisë dhe Ukrainës, veçanërisht derisa asnjëri vend të mos jetë i gatshëm dhe t'i rishqyrtojë planet për vendosjen e sistemit raketor në Poloni dhe Çeki.

Për secilin gjest, Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë se presin përgjigje të prekshme, duke filluar me përfundimin e programit bërthamor të Iranit, vazhdimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe tërheqjen e trupave ruse nga Gjeorgjia.
XS
SM
MD
LG