Ndërlidhjet

Pajaziti: Veriu ishte dhe mbetet sfidë për sigurinë


Zenun Pajaziti

Zenun Pajaziti

Gjendja e brishtë në pjesën veriore të Kosovës ka qenë dhe mbetet sfida kryesore e sigurisë në Kosovë, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.




Gjendja në pjesën veriore të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të paraqesë sfidë për sigurinë në Kosovë, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Ai tha se mosfunksionimi i pikave doganore 1 dhe 31 në kufi me Serbinë ka ndikuar në rritjen e kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Ministri Pajaziti tha se siguria në pjesën më të madhe të Kosovës, më nuk paraqitet e brishtë dhe se kjo është dëshmuar edhe në kohën e shpalljes së pavarësisë, kur gjendja ishte menaxhuar mirë dhe nuk ishin shënuar incidente. Por, nga ky stabilitet, ai tha se vazhdimisht duhet veçuar vetëm pjesën veriore ku gjendja e sigurisë ishte dhe mbetet fragjile.

“Siç e dini, pjesa veriore e vendit dhe situata fragjile e sigurisë që është atje, ka qenë dhe mbetet sfidë për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kemi pasur telashe me mosfunksionimin e pikave kufitare 1 dhe 31, ku është krijuar një ambient për kontrabandim dhe ushtrim të aktiviteteve të krimit në atë pjesë. Kanë qenë sfida edhe aktivitetet e ndryshme të grupeve të ndryshme të njerëzve në pikat kufitare, me tendencë të krijimit të incidenteve në vend”, tha Pajaziti.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Nebojsha Joviq, thotë se problemet në veri do të marrin mjaft shumë kohë që të qetësohen. Por, sipas tij, tani i përket misionit të EULEX-it që të dëshmojë se është i gatshëm të punojë në interes të të gjitha komuniteteve, në mënyrë që të kthehet besimi i ndërsjellë për një jetë të përbashkët dhe të qetë e pa incidente.

Nebojsha Joviq

“Çelësi është në duart e EULEX-it. Nëse ky mision do të veprojë në mënyrë të drejtë dhe nëse e përmbush obligimin që politikisht të jetë i paanshëm, mendoj se ai do të përfillet si nga shqiptarët, ashtu edhe nga serbët”,
thotë Joviq.



Në anën tjetër, ministri Zenun Pajaziti thotë se duke e ditur gjendjen mjaft të tensionuar në veri, autoritetet vendore dhe mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë në vazhdimësi kanë qenë të matur në veprimet e tyre në këtë pjesë të Kosovës.

Ai thotë po ashtu se autoritetet kosovare janë treguar të kujdesshme edhe në lidhje me refuzimin e policëve serbë që të punojnë në kuadër të Policisë së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Edhe në këtë rast, Pajaziti tha se në vend të masave ndëshkuese, këta policë janë paguar çdo muaj, ndërkohë që Ministria vazhdon t’i ftojë ata që të kthehen në vendet e tyre të punës.

Kurse, një nga sfidat e veçanta që është reflektuar edhe në punën e organeve vendore të sigurisë, ishte vonesa e tranzicionit nga UNMIK-u te institucionet e Kosovës, deklaroi Pajaziti.

“Një tejetër sfidë me të cilën jemi ballafaquar, ka qenë vonesa në tranzicion nga UNMIK-u tek institucionet vendore. Ju e dini që tranzicioni i paraparë për verën e hershme ka zgjatur deri vonë dhe kjo edhe në planet tona, në angazhimet tona, programet tona ka shkaktuar vonesa”, theksoi Pajaziti.

Ndryshe, sot Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur edhe certifikatat e reja të gjendjes civile, si certifikatat e lindjes, të shtetësisë, martesës, vdekjes, të lidhjes martesore etj., të cilat do të lëshohen tash e tutje nga autoritetet kosovare, si përmbushje e autorizimeve shtetërore kushtetuese. Paraprakisht ka filluar edhe lëshimi i pasaportave, lejeve të njoftimit dhe patent-shoferëve të Republikës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG