Ndërlidhjet

Ekspertët: EULEX - mision teknik e jo politik


Pjesëtarë të misionit EULEX

Pjesëtarë të misionit EULEX

Misioni i BE-së për polici dhe drejtësi duhet të këmbëngulë që si mision teknik në Kosovë, të veprojë në bazë të mandatit të tij dhe ligjeve që dalin nga Kushtetuta e Kosovës, thonë ekspertët e drejtësisë në Kosovë.



Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, duhet të këmbëngulë që përgjatë punës së tij në sistemin e drejtësisë në Kosovë, të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe me planin e presidentit Martti Ahtisaari.

Kështu vlerësojnë ekspertët për çështje ligjore në Kosovë, të cilët thonë se misioni EULEX, si mision teknik, duhet t’u shmanget kushtëzimeve politike të Beogradit zyrtar për rrethanat dhe kornizat e veprimit të këtij misioni në Kosovë.

Eksperti Ismet Salihu thekson se EULEX-i duhet të këmbëngulë që edhe në zonat e banuara me serbë në Kosovë të vlejnë ligjet e Kushtetutës së Kosovës.

"Po qe se EULEX-i nuk e imponon dhe nuk ka sukses që të zbatohen legjislacioni i Kosovës, Kushtetuta dhe ligjet e tjera që kanë dalë nga Parlamenti i Kosovës, EULEX-i do të dështojë dhe do të ketë përgjegjësi të mëdha në përgjithësi", mendon Salihu.

Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tri korniza ligjore: ligjet e aprovuara në Kuvendin e Kosovës së bashku me Kushtetutën e Kosovës si aktin më të lartë juridik të shtetit, disa ligje të ish-Jugosllavisë, si dhe disa rregullore të UNMIK-ut, të cilat akoma nuk janë zëvendësuar me ligje të Kosovës.

Ekzistimi i këtyre kornizave ligjore duket se ndërlikon edhe më tej operimin e EULEX-it në gjykatat në veri të Kosovës, ku akoma nuk është bërë bartja e tërësishme e lëndëve dhe e dosjeve nga administrata e Kombeve të Bashkuara tek ky mision.

Sipas ekspertit Kujtim Kërveshi, rregulloret e UNMIK-ut, të cilat janë implementuar në Kosovë përgjatë 9 vjetëve të fundit, është dashur të zëvendësohen kohë më parë nga institucionet kosovare - gjë në të cilën, sipas tij, ka ndikuar mungesa e vullnetit politik.

"Rregulloret e UNMIK-ut është dashur që të freskohen nga vetë Kuvendi i Kosovës. Teknikisht, çdo gjë ka qenë në rregull, po e citoj punën e grupeve të tranzicionit në vitin e kaluar. Janë bërë të gjitha përgatitjet teknike që ato rregullore të shpallen në Kuvendin e Kosovës me ndryshime, mirëpo kjo nuk ndodhi. Institucionet e Kosovës patën një devijim dhe ngecje në punë dhe në realizimin teknik të asaj që teknikisht veç ka qenë e përgatitur", vlerëson Kërveshi.

Lidhur me bartjen e përgjegjësive, të lëndëve dhe të dosjeve nga UNMIK-u në EULEX, kohë më parë, nga administrata e OKB-së është paralajmëruar formimi i një zyre ndërlidhëse për sundimin e ligjit, e cila do ta lehtësonte këtë proces. Ekzistimi i kësaj zyre, sipas ekspertit Salihu, duhet të precizohet me një afat të caktuar kohor për të evituar stërgjatjen e procesit të tranzicionit.

"Si ide dhe si koncept është i mirë, por kësaj zyre ndërlidhëse duhet t'i caktohet një afat apo kalendar, brenda të cilit duhet të kryhet kjo punë. Përndryshe, nëse kjo bartje zgjat 2, 3 apo 5 vjet, nuk është më bartje. Kjo bartje duhet të bëhet brenda një apo dy muajsh", thekson Salihu.

Sfida më e madhe për misionin EULEX në Kosovë vazhdon të mbetet pjesa veriore e Republikës, si dhe pjesët e banuara me serbë në Kosovë, për shkak të kundërshtimeve të vazhdueshme të banorëve serbë ndaj veprimit të këtij misioni bazuar në ligjet e Kosovës.

Ndërkohë, EULEX-i vazhdon të zotohet se si mision teknik i BE-së, bazë ligjore e veprimit të tij në Kosovë mbetet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe aksioni i përbashkët i 4 shkurtit të vitit 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG