Ndërlidhjet

logo-print

Analfabetizmi ende i pranishëm në Kosovë


Fenomeni i analfabetizmit është i pranishëm në Kosovë dhe kryesisht ka të bëjë me periudhën e tranzicionit nëpër të cilën ka kaluar sistemi i arsimit në Kosovë, thonë përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Ndërkaq, organizatat joqeveritare, të cilat merren me këtë çështje, akuzojnë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për papërgjegjësi dhe neglizhencë të treguar karshi këtij fenomeni.

Drejtoresha e Organizatës Joqeveritare "Aureola", Sanije Grajqevci, thotë se edhe përkundër mjaft angazhimeve të tyre për zhdukjen e analfabetizmit në Kosovë, numri i analfabetëve të rinj dhe atyre të vjetër është mjaft i shprehur.

"Përderisa Ministria e Arsimit flet për modernizimin e shkollave, flet për nivel, për zhvillim dhe përparime të ndryshme të shkollimit, është turp të flitet për analfabetizmin në Kosovë", thotë Grajqevci.

Ajo kërkon nga institucionet e Kosovës që të punohet më shumë në këtë drejtim, pasi që aktualisht në Kosovë mund të flitet për një numër mjaft të madh të analfabetizmit.

Grajqevci akuzon institucionet kompetente për papërgjegjësinë e treguar ndaj këtij fenomeni.

"Duhet të bëhet ligj që në Kosovë të mos ketë analfabetë; analfabetë të rinj nuk guxon të ketë, ndërsa analfabetët tjerë që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të shkollohen, të gjithë të mësojnë shkrim e lexim", shprehet Grajqevci.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se pavarësisht faktit që gjatë dekadave të kaluara niveli i arsimimit të grave është përmirësuar më shpejt se ai i meshkujve, ky nivel ka mbetur ende më i ultë në krahasim me nivelin arsimor të meshkujve.

Afërdita Jaha, zyrtare për arsim joformal në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thotë se ende nuk ka statistika të sakta se sa është niveli i kësaj dukurie në Kosovë, por të dhënat aktuale tregojnë.

"Edhe pse nuk ka ende regjistrim të popullsisë, 14 për qind e femrave të viseve rurale janë analfabete, krahasuar me 4 për qind të meshkujve", vlerëson Jaha.

Ndërsa, sipas raportit të UNDP-së, diferenca në analfabetizëm në mes të meshkujve dhe femrave të moshës mbi 35 vjeç, është e vogël. Niveli aktual i analfabetizmit në mesin e femrave të mjediseve rurale, sipas UNDP-së, është mbi 60 për qind.

Përqindja e grave që nuk dinë të lexojnë ose të shkruajnë është 14.8 për qind, ndërsa përqindja e grave që dinë pak nga të dyja është 12.5 për qind.

"MASHT, në bashkëpunim me UNICEF, ke hartuar projektin shkrim-lexim bazik për gra dhe vajza. Programi është hartuar sipas standardeve evropiane. Qëllimi i këtij projekti është ofrimi i arsimit themelor", shpjegon Jaha.

Ajo pohon se vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet nivelit relativ të analfabetizmit brenda grup-moshës 16 deri në 19 vjeç. Sipas Jahajt, edhe pse diferenca nuk është e lartë, është brengosëse që niveli i analfabetizmit në Kosovë për të dyja gjinitë është ndër më të lartit në Evropë.

Sidoqoftë, analfabetizmi në Kosovë duhet të eliminohet deri në vitin 2015 dhe është një nga standardet që Kosova duhet të përmbushë në nivelin e arsimit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG