Ndërlidhjet

“Wall Street Journal”


Më 17 shkurt, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, duke u bërë kështu shteti më i ri në botë dhe më i pazakonti njëkohësisht. Shumica e qytetarëve janë myslimanë, një gjë jo e rëndomtë në Evropë, por, për dallim nga vendet me shumicë myslimane, Kosova është jashtëzakonisht pro-amerikane dhe raportet e saj me Izraelin janë shumë të mira gjithashtu.

Asnjë vend arab nuk e ka njohur ende ekzistencën e shtetit të tij dhe vetëm Arabia Saudite ka thënë se do ta bëjë. Mbase, kjo nuk është edhe aq e çuditshme për faktin se kosovarët dallojnë në mënyrë radikale nga vëllezërit në botën arabe, më shumë se cilido popull islamik në botë.

Etiketa islamike e Kosovës mund të jetë më liberalja në botë. Gratë nuk i mbajnë ato veshjet konzervative islamike dhe të tilla nuk ka më shumë se në Manhattan për shembull.

Nuk ka aparteid gjinor, madje as në fshatrat e Kosovës. Alkooli qarkullon lirshëm nëpër restorane dhe kafiteri, aty ku mund të shihen shumë vajza me veshje moderne, njësoj sikurse edhe në çdo vend të Evropës Perëndimore. Dhe, përveç minareve që shihen në hapësirat e qytetit, nuk ka ndonjë shenjë të dukshme që mund të dëshmojë se Kosova është një vend me shumicë myslimane.

"Njerëzit këtu janë myslimanë, por mendojnë si evropianë", thotë Xhabir Hamiti, pofesor i shkencave islamike në Universitetin e Prishtinës.

Një polic amerikan thotë se "myslimanët në Kosovë identifikohen si myslimanë të lehtë".

Afrim Kastrati, i cili punon në një kafiteri, thotë: "Ne jemi myslimanë, por në fakt s'jemi".

Luan Berisha pajtohet: "Ne asnjëherë nuk e kemi praktikuar myslimanizmin ashtu siç bëhet në Lindjen e Mesme. Fillimisht jemi shqiptarë. Feja vjen e dyta".

Arsyeja për këtë qasje të relaksuar të Kosovës karshi fesë qëndron tek historia. Shqiptarët, përfshirë këtu pra edhe ata në Kosovë, janë pasardhës të paganëve antikë grekë dhe ilirëve. Ata kanë qenë fillimisht të krishterë, por nën sundimin Otoman, shumica i është kthyer fesë islame.

Dhe, arsyeja më e madhe pse kosovarët ndjenjë antipati karshi islamizmit radikal, përshkruhet vetëm me një fjalë, Amerika, vend ky i cili ka qenë Ylli Verior për shqiptarët brenda dhe jashtë Kosovës, që prej ndërhyrjes së NATO-s më 1999.

Në një hulumtim të organizatës Gallup të vitit 2004, në të cilin matej opinioni në botë për politikën e jashtme amerikane - vetëm 10 vende kanë votuar në favor të kësaj politike dhe në mesin e tyre Kosova u gjet në vendin e parë, me 88 për qind.

Në vazhdimësi është thënë se kosovarët janë aleatët më të besueshëm të Amerikës në botë. Flamujt amerikanë valojnë çdokund, përveç në enklavat e banuara me serbë, ndërkaq nëpër rrugë dhe kiosqe mund të gjesh simbole të ndryshme, ku thuhet "Faleminderit Amerikë!".

Kosovarët gjithashtu e duan edhe George Bushin, për faktin se ai e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por thjesht edhe për faktin se është president amerikan.

Dhe, Bill Clinton, i cili urdhëroi ndërhyrjen ushtarake më 1999, është shndërruar në një person të jashtëzakonshëm. Izeri Mustafa është duke e punuar bustin e ish-presidentit amerikan, i cili së shpejti do të vendoset në Prishtinë.

"Amerikanët janë miqtë tanë më të mirë në botë", thotë një kamarier në njërin nga restoranet e Prishtinës. Britanikët, thotë ai, janë të dytët.

Shqiptarët e Kosovës gjithashtu ndjejnë një mbështetje të fuqishme edhe për Izraelin. Të paktë janë ata jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët dinë për heroizmin e këtyre vendeve gjatë Hollokaustit.

"Ne ndjejmë simpati të madhe për ata që kanë pasur fatin e rëndë sikur ne", thotë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke shtuar: "Ne ishim myslimanë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, myslimanë më të fuqishëm se tani, por edhe atëherë ne mbrojtëm hebrenjtë me jetët tona".

Profesori Hamiti ndërkaq thotë se shqiptarët kudo janë të vetëdijshëm se hebrenjtë duan t'i ndihmojnë në këtë konflikt. Dhe, hebrenjtë gjithashtu janë të vetëdijshëm dhe mirënjohës karshi shqiptarëve që shpëtuan jetët e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore".

XS
SM
MD
LG