Ndërlidhjet

Kriza, Obama, Kosova..


Pragë
Pragë

Gazetarët dhe redaktorët e radios Evropa e Lirë, me seli në Pragë, që vijnë nga 28 vende të ndryshme të botës, kanë votuar për ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2008 dhe kjo është radhitja sipas votave të tyre: 1/ Kriza financiare, 2/ Zgjedhja e Obamës president i Shteteve të Bashkuara, 3/ Lufta Gjeorgji – Rusi, 4/ Pavarësia e Kosovës...




1) Kriza financiare

Kriza finaciare e vitit 2008 është cilësuar më e rënda pas "Depresionit të madh" të vitit 1929. Kishte filluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj është përhapur në gjithë botën. Nisi me krizën e kredive për banim, ndërsa eskaloi me bankrotimin e bankave të mëdha, siç ishte Lehman Brothers, rënien drastike të aksioneve në bursat botërore dhe humbje të vendeve të punës.

Ish-kryesuesi i Rezervave Federale, përkatësisht Bankës Qendrore në Shtetet e Bashkuara, Alen Grinspen, lidhur me krizën në shtator, kishte deklaruar:

"Nuk besoj se kjo krizë financiare që mund të paraqitet një herë në shekull, mund të kalojë pa një ndikim të madh në ekonominë globale", kishte thënë Grinspen, duke sinjalizuar keqësim të krizës financiare.


Tash, frika është fokusuar te rreziku i bankrotimit të industrisë së automjeteve në Shtetet e Bashkuara, që do të keqësonte edhe më shumë gjendjen.


Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka premtuar se me të marrë të postit më 20 janar do të ndërmarrë masa shtesë për të tejkaluar këtë krizë, që rrezikon humbjen e miliona vendeve të punës.

Optimistët thonë se shenjat e para të daljes nga ky recesion i rëndë mund të hetohen nga mesi i vitit të ardhshëm, ndërsa pesimistët thonë se i gjithë viti 2009 do të jetë jashtëzakonisht i vështirë dhe se mëkëmbja do të pasojë në vitin 2010.


2) Obama zgjedhet president

Më 4 nëntor, votuesit në Shtetet e Bashkuara zgjodhën Barack Obamën president, ndërsa revista "Time", disa ditë më vonë, e shpalli personalitet të vitit.

Vota e amerikanëve për Obamën ishte sinjal i qartë i dëshirës së tyre për ndryshime në Shtetet e Bashkuara. Pas konfirmimit të fitores, Obama që është afro-amerikani i parë i zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, foli para mbështetësve të vet në Çikago.

Barack Obama
"Sonte, si rezultat i asaj çfarë bëmë në këtë ditë dhe në këtë çast vendimtar, ndryshimi ka arritur në Amerikë",
tha Obama, vetëm disa minuta pas shpalljes fitues i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Para Obamës tash gjenden sfida të mëdha: t'i japë fund luftës në Irak, siç ka premtuar, të intensifikojë luftën kundër talibanëve në Afganistan dhe të ballafaqohet me krizën financiare botërore.


3) Lufta Rusi-Gjeorgji

Kush dhe kur e filloi luftën Rusi-Gjeorgji? Kjo pyetje për luftën e përgjakshme që filloi në gusht, ende debatohet në qarqet ndërkombëtare.

Rusia pohon se Gjeorgjia pa asnjë provokim më 7 gusht kishte filluar sulmet ndaj (Tshkinvalit) kryeqendres së Osetisë Jugore. Tbilisi kishte thënë se vetëm ishte përgjigjur ndaj sulmeve të separatistëve pro moskovitë.

Rusia kishte dërguar trupat dhe tanket në Osetinë Jugore, por edhe në brendi të Gjeorgjisë.

Tanket ruse në qytetin Gori.

Atëbotë, presidenti i Gjeorgjisë, Mihael Shakashvili, për këto zhvillime dramatike kishte deklaruar:

"Trupat dhe tanket ruse që depërtuan në Osetinë Jugore dëbuan gjithë popullatën gjeorgjiane nga ky territor".


"Ata kanë bërë pastrim etnik në gjithë hapësirën e Osetisë Jugore",
kishte thonë Mihael Shakashvili.


Rusia më vonë ka njohur pavarësinë e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë.

Zhvillimet rreth Gjeorgjisë shkaktuan acarim në raportet e Uashingtonit dhe Brukselit me Moskën, ndërsa disa pohuan se ‘kishim të bënim me luftë të re të ftohtë’.


4) Pavarësia e Kosovës

Më 17 shkurt, Kosova shpalli pavarësinë, duke u bërë shteti më i ri në botë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se shteti i ri "demokratik, sekular dhe multietnik" do të jetë i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin.

"Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, përmes kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik", kishte theksuar kryeministri Hashim Thaçi.

Qytetarët festojnë Ditën e Pavarësisë

Natën e 17 shkurtit, Prishtina ishte vërshuar nga qindra mijëra shqiptarë që kremtuan me dinjitet ditën historike për Kosovën. Një shtetas i Shqipërisë, natën e 17 shkurtit e kaloi në Prishtinë duke festuar me kosovarët dhe ja se çfarë tha për agjencitë e lajmeve:



"Të parët e mi kanë lënë tokat shumë herët dhe kanë ikur nga Kosova. Dhe, ne sot jemi këtu (në Prishtinë), jo vetëm për veten tonë, por edhe për të parët tanë dhe për ata që dhanë jetën për Kosovën. Jemi shumë të lumtur. Jam student dhe kam lënë provimet dhe të gjithat; kam ardhur për të qenë afër këtu në këtë ditë të madhe për ne".


Deri më tash, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 53 vende.


5) Ndryshimet në udhëheqjen e Rusisë

Më 2 mars, Dmitrij Medvedev, ish-zëvendëskryeministër i Rusisë, zgjedhet nga Vladimir Putini, president i vendit.

"Do të punoj bashkë me kryeministrin e ardhshëm, Vladimir Putin, dhe besoj se do të kemi efektivitet ekzekutiv si rezultat i këtij bashkëpunimi", kishte deklaruar Dmitrij Medvedev.

Dmitry Medvedev dhe Vladimir Putin

Disa ditë më vonë, kryeministër i vendit ishte zgjedhur Vladimir Putin dhe është vlerësim unanim se nga ky pozicion ai ka ndikimin vendimtar në të gjitha sferat e jetës politike në Rusi.





Në muajin nëntor, Parlamenti i Rusisë filloi procesin e amandamentimit kushtetues, përmes të cilit mandati i presidentit zgjatej nga katër në gjashtë vjet. Disa thonë se amandamentet synojnë t'i mundësojnë Putinit të kthehet në postin e presidentit në vitin 2009, që do të pasonte pas dorëheqjes së pritur të Medvedevit në vitin 2009.

Në këto rrethana, Putinit do t'i hapej mundësia të mbajë postin e presidentit në periudhën 2009 – 2021. Vladimir Putin nuk ka përgënjeshtruar këto spekulime.


6) Sulmet terroriste në Mumbai të Indisë


Më 26 nëntor, 10 terroristë ndërmorrën një varg sulmesh terroriste në qytetin më të madh të Indisë, në Mumbai. Atje kishin arritur me anije dhe ishin të pajisur me armë automatike dhe me predha. Pasoi sulmi ndaj shumë caqeve të Mumbait dhe dy hoteleve të mëdha luksoze.

Forcat e sigurisë së Indisë zhvilluan betejë treditore me terroristët. Epilogu ishte 160 të vrarë, prej të cilëve 30 shtetas të huaj.

Mumbai - Hoteli Taj në flakë
Kryeministri i Indisë, Manmohan Sing, kishte deklaruar:

"Kemi pasur sulme terroriste edhe më herët, por këto ishin ndryshe. Ishin sulme të zhvilluara nga terroristë të trajnuar lart, të armatosur mirë dhe që goditën qytetet tona më të mëdha", kishte thënë kryeministri i Indisë, Manmohan Sing.

Përgjegjësinë për këto sulme terroriste e mori grupi militant i quajtur Lashkar e Taiba, që ka selinë në Pakistan. Këto sulme terroriste tensionuan raportet ndërmjet Indisë dhe Pakistanit.


7) Rritet dhuna e talibanëve në Afganistan

Në Afganistan gjenden 65 mijë trupa të huaja, prej të cilëve 30 mijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, këto shifra nuk kanë ndalur dhunën e talibanëve që gjatë vitit 2008 shënoi rritje.

Kombet e Bashkuara thonë se rreth 4 mijë veta u vranë gjatë luftimeve në Afganistan gjatë vitit. Pentagoni thotë se më shumë se 20 mijë trupa të tjera amerikane duhet dërguar në Afgansitan gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Talibanët në Kabul

Këshilli Ndërkombëtar për Siguri dhe Zhvillim pohon se talibanët mbajnë kontroll të vazhdueshëm në 72 për qind të territorit të Afganistanit, por kjo e dhënë është përgënjeshtruar nga NATO-ja, Qeveria afgane dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts.


"Talibanët nuk kontrollojnë asnjë territor. Sa herë që forcat tona vijnë në kontakt me ata, talibanët humbasin dhe rrjedhimisht pohimet se gjërat në këtë vend janë jashtë kontrollit ose se jemi duke shkuar drejt katastrofës, janë tepër pesimiste. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ballafaqohemi me sfida të mëdha",
kishte deklaruar Robert Gejts.


8) Ngritja e çmimeve të ushqimit

Kombet e Bashkuara pohojnë se ngritja e çmimeve të ushqimit në botë gjatë vitit 2008 ka bërë që 75 milionë njerëz tjerë të rrëshqasin në varfëri, duke e ngritur numrin e tyre në 1 miliard veta. Këtë çështje e trajtoi edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, në samitin ndërkombëtar kushtuar ushqimit, që u mbajt në Romë.

Ban Ki Moon gjatë samitit në Romë.

"Vetëm duke vepruar bashkërisht, ne mund ta tejkalojmë këtë krizë të ushqimit, me të cilën po ballafaqohen qindra- miliona njerëz në botë. Nuk ka asgjë më degraduese se uria. Ajo shkakton zemërim, desintegrim shoqëror, shëndet të dobët dhe rënie ekonomike",
kishte thënë Ban Ki Moon në Romë.

Krizën ushqimore të vitit 2008, ekonomisti i njohur, Xhefri Saks, e cilësoi si më të rëndën në 30 vjetët e fundit.


9) Lojërat Olimpike në Kinë

Lojërat Olimpike në Pekin i kishte hapur presidenti i Kinës, Hu Xhintao.

Sportistët dhe adhuruesit e sportit kishin pëlqyer ceremoninë e hapjes dhe arkitekturën e tereneve sportive, por kishin kritikuar Pekinin për ndotje të madhe të ajrit.

Pekin - Hapja e Lojërave Olimpike 2008.

Sportist më i dalluar i kësaj olimpiade ishte notuesi amerikan, Michael Phelps, që fitoi numër rekord të medaljeve të arta – 9 sosh.

Zgjedhja e Kinës për të organizuar Lojërat Olimpike nxiti shumë kontradikta.


Flaka Olimpike ishte ndaluar në disa qytete botërore, në shenjë proteste për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë.


10) Radovan Karaxhiqi dërgohet në Tribunalin e Hagës

Viti 2008 dërgoi Radovan Karaxhiqin në Tribunalin e Hagës. Për shumë vite ai ishte fshehur i maskuar me një mjekër të gjatë dhe flokë të bardha.

Prokurori për krimet e luftës në Serbi, Vladimir Vukçeviq, pas zënies së tij kishte deklaruar:

"Mbrëmë përcaktuam vendndodhjen e Karaxhiqit dhe ai është arrestuar. Spekulimet se në zënien e tij janë të ndërlikuara shërbimet e huaja, nuk janë të sakta", kishte deklaruar Vukçeviq.

Karaxhiq me identitet të fshehur.

Dhjetë ditë më vonë, përkatësisht më 31 gusht, para Tribunalit të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi doli Karaxhiqi, që tash kishte hequr mjekrën dhe flokët e gjata dhe që ballafaqohet me akuzën për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.




Njeriu, që në botë njihet si "Kasapi i Ballkanit", përfundoi në Hagë, por jo edhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Ratko Mlladiq.
XS
SM
MD
LG