Ndërlidhjet

logo-print

Viti 2008 filloi me shpresa të mëdha në mbarë botën. Disa u realizuan, si për shembull në Kosovë u shpall pavarësia, por për shumë të tjerë viti 2008 solli zhgënjime.




Në 4 janar, senatori Barack Obama foli në Des Moines, pas fitores në garën e demokratëve në shtetin federal Iowa.

"Ne e zgjodhëm shpresën përballë frikës. Ne e zgjodhëm unitetin përballë përçarjes dhe dërguam mesazh të fuqishëm se në Amerikë po vjen ndryshimi", tha Obama.

Në 15 janar, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, foli për mbylljen e zyrave të Këshillit Britanik në Rusi.

"Marrëveshja jonë e vitit 1994 thekson se Këshilli Britanik duhet t'i kryejë aktivitetet e veta vetëm në pajtim me ligjet e Federatës së Rusisë. Por, Këshilli Britanik i hapi të gjitha degët e veta në territorin rus pa lejen e Qeverisë ruse dhe pa kërkuar leje fare", tha Lavrov.

Në 20 janar, presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, foli gjatë ceremonisë së inaugurimit pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të 6 janarit.

"Si president i Gjeorgjisë, para Zotit dhe njerëzve betohem se do ta mbroj Kushtetutën dhe pavarësinë, unitetin dhe pandashmërinë e vendit. Unë do ta kryej detyrën time presidenciale me nder dhe do të kujdesem për sigurinë dhe prosperitetin e popullit dhe të vendit", tha Saakashvili.

Në 4 shkurt, në Bruksel, shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Javier Solana, i uroi fitoren presidentit serb, Boris Tadiq.

"Jam shumë i lumtur t’i shoh rezultatet. E kam uruar presidentin Tadiq. Mendoj se ishte një sukses i madh për të dhe sukses i madh për popullin e Serbisë",
tha Solana.

Në 6 shkurt, shefi i CIA-s, Michel Hayden, foli para Komitetit të Senatit lidhur me përdorimin e teknikave gjatë hetimit, të kryera në vitet 2001 dhe 2002.

"Lagia me ujë është përdorur vetëm ndaj tre të arrestuarve. U përdor ndaj të dyshuarve të Al Kaedas, Khalid Sheikh Muhammad, Abu Zubaydah dhe Abd al-Rahim al-Nashiri. CIA nuk e përdor ujin tashmë pesë vjet", tha Hayden.

Në 17 shkurt, në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi e lexoi Deklaratën e Pavarësisë.

"Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik", tha kryeministri Thaçi.

Shpallja e pavarësisë u përcoll me entuziazëm të madh në gjithë Kosovën.

Në 21 shkurt, Beogradin e përfshinë protestat masovike kundër pavarësisë së Kosovës. Në protesta u sulmuan shumë seli diplomatike të Perëndimit, ndërsa ambasadës amerikane iu vu zjarri.

Protestat u thirrën nga kryeministri Vojisllav Koshtunica.

"Nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve me vendet, të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës", tha Koshtunica.

Në 24 shkurt, aktori Denzel Washington e shpalli fituesin për filmin më të mirë.

"Oskari shkon për filmin 'Nuk ka atdhe për këtë njeri', të producentëve Scott Rudin, Ethan Coen dhe Joel Coen", kumtoi ai.

Në 2 mars, foli fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Rusi, Dmitry Medvedev.

"Do të doja t'i nënvizoj konturat e ardhshme të degës ekzekutive brenda afatit ligjor. Do të punoj bashkë me Vladimir Putinin si kryeministër i ri dhe shpresoj që të kemi ekzekutiv efikas si rezultat i punës sonë", tha Medvedev.

Në 3 mars, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad, foli pasi Këshilli i Sigurimit miratoi sanksione të reja kundër Iranit.

"Rezoluta që sapo kaloi pa asnjë votë kundër, është hap i rëndësishëm për t'ia bërë të qartë Iranit se derisa nuk u bindet kërkesave të Këshillit, do të ketë pasoja dhe do të përballet me presione të reja", tha Khalilzad.

Në 16 mars, në Indi u prononcua zëdhënësi i Qeverisë së Tibetit në mërgim.

"Sot, në 16 mars, ka raporte të konfirmuara për 80 trupa të pajetë në Lhasa. Ka raporte se 72 tibetianë janë plagosur", tha Thubren Samphel.

Në 25 mars e bëri betimin presidenti i ri i Pakistanit, Yousuf Reza Gilani.

"Do të luftoj që ta mbroj Kushtetutën dhe ideologjinë islamike, e cila është bazë e krijimit të Pakistanit. Nuk do të lejoj që interesat e mia personale të ndikojnë sjelljen time zyrtare apo vendimet zyrtare", tha Gilani.

Në 1 prill, presidenti George Bush foli në një konferencë shtypi gjatë vizitës në Kiev.

"Ne vijmë me mesazh të fuqishëm për popullin e Ukrainës. Vendi juaj sovran ka mik dhe partner solid në Shtetet e Bashkuara. Popujt tanë e kanë sendërtuar miqësinë mbi dashurinë ndaj lirisë. Presidenti Viktor Yushchenko dhe unë e kuptojmë se demokracitë janë partnerët më të mirë për paqe dhe siguri në çdo pjesë të botës", tha Bush.

Në 3 prill, kreu i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, në Samitin e Bukureshtit njoftoi se aleanca i ka hapur dyert për Shqipërinë dhe Kroacinë.

Kryeministri Sali Berisha u zotua se Shqipëria do të vazhdojë me reformat.

"Do të doja sot, para jush, të bëj një betim solemn se ne e vlerësojmë këtë besim, mbi të gjitha, si një përgjegjësi e madhe e vendit tim ndaj vendeve tuaja, për të zbatuar çdo reformë dhe ligj, për të arritur standardet politike, ekonomike, sociale dhe ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s", tha Berisha.

Scheffer gjithashtu e lexoi deklaratën për Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

"NATO i mirëpret aspiratat euroatlantike të Gjeorgjisë dhe Ukrainës për anëtarësim në NATO. Ne sot u dakorduam se këto vende duhet të bëhen anëtare të NATO-s. Hapi i ardhshëm për to është Plani Aksional i Anëtarësimit", tha Scheffer.

Në 4 prill u prononcua kryeministri rus, Vladimir Putin.

"Paraqitja e një blloku të fuqishëm ushtarak në kufijtë tanë do të merret si kërcënim direkt për sigurinë e vendit tonë. Ne nuk mund të mbetemi të kënaqur me deklaratat se ky proces nuk është i drejtuar kundër Rusisë", tha Putin.

Në 6 prill, në Sochi, presidenti George Bush foli në një konferencë shtypi me presidentin Vladimir Putin.

"Sot u dakorduam se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duan të krijojnë një sistem për t'u përgjigjur ndaj kërcënimeve raketore, në të cilat Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të marrin pjesë si partnerë të barabartë. Ky është një vizion i rëndësishëm strategjik", tha Bush.

Në 8 prill, në Uashington, kryekomandanti i trupave amerikane në Irak, gjenerali David Petraeus, foli në Senat para Komitetit për Forcat e Armatosura.

"Në shumë fusha, konkurrimet etniko-sektare në Irak tash po zhvillohen përmes debatit dhe më pak përmes dhunës. Shkallëzimi i dhunës në Bagdad tash është adresuar me më shumë dialog, sesa me luftime", tha Petraeus.

Në 15 prill, Papa Benedikti XVI ndodhej për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

"Është e vështirë për mua të kuptoj se si priftërinjtë e kanë tradhëtuar misionin e tyre për t'i shëruar plagët dhe fëmijëve t'u japin dashurinë e Zotit. Ne jemi thellë të turpëruar dhe do të bëjmë çmos që kjo të mos ndodhë në të ardhmen", tha Benedikti XVI.

Në 5 maj, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, alarmoi për krizën në Birmaninë e goditur nga cikloni.

"Jam shumë i pikëlluar që populli i Birmanisë u godit nga ky ciklon. Kombet e Bashkuara do të bëjnë çmos që të sigurojnë asistencë humanitare. Për shkak të mungesës së komunikimeve, ende nuk i dimë përmasat e dëmeve dhe viktimave",
tha Ban Ki-Moon.

Në 7 maj, në Moskë u inaugurua presidenti i ri, Dmitry Medvedev.

"Konsideroj se detyra më e rëndësishme do të jetë zhvillimi i mëtejmë i lirive civile dhe ekonomike, krijimi i mundësive të reja për qytetarët, të cilët janë të lirë dhe përgjegjës për suksesin e tyre dhe mirëqenien e vendit", tha Medvedev.

Në 24 maj, Dima Bilan nga Rusia u shpall fitues i këngës së Eurovizionit në Beograd.

Në 26 maj filloi misioni Phoenix për eksplorimin e Marsit, nën drejtimin e kryeshkencëtarit, Peter Smith.

"Ky është vetëm fillimi. Tash e kemi misionin dhe varet nga ne nëse do t’i bëjmë gjërat e duhura që kjo të jetë diçka e mrekullueshme", tha Smith.

Në 2 qershor, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore bëri një deklaratë në Vjenë.

"Është për të ardhur keq që nuk kemi bërë progres rreth çështjes së Iranit, respektivisht qartësimit të dimenzioneve eventuale ushtarake të programit bërthamor të Iranit",
tha Mohamed ElBaradei.

Në 3 qershor, në Romë, kreu i OKB-së foli në samitin botëror të ushqimit.

"Kriza e ushqimit është edhe një mundësi për t'i rishikuar politikat e kaluara. Përderisa duhet t'i përgjigjemi menjëherë çmimeve të larta të ushqimit, ne duhet të sigurojmë ushqimin në plan afatgjatë", tha Ban Ki-Moon.

Në 13 qershor, kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, foli për Traktatin e Lisbonës.

"18 vende anëtare tashmë e kanë miratuar traktatin. Irlanda votoi 'jo'. Tash duhet të vazhdojmë me procesin dhe t'i shohim mundësitë kolektive, sepse çështja tërheq me vete përgjegjësi kolektive", tha Barroso.

Në 23 qershor, Ray Carbone, tregtari i naftës dhe president i kompanisë Paramount Options, foli për çmimet e naftës në tregun botëror.

"Mendoj se do të shkojë më lart se 140 dollarë/fuçi. Megjithatë, duhet ta vëzhgojmë dollarin, Nigerinë dhe retorikën ndërmjet Izraelit dhe Iranit, sepse mund të ketë ndonjë krizë dhe aksion ushtarak. Duhet shikuar shumë gjëra, por e vetmja që garantoj është se do të ketë paqëndrueshmëri", tha Carbone.

Në 30 qershor, kryeministri Jose Luis Zapatero foli për fitoren e spanjollëve në Kampionatin Evropian në futboll.

"Është e qartë se fitorja në këtë nivel, në Kampionat Evropian, është diçka që e forcon unitetin e vendit, ndjenjën e të qenit një vend", tha Zapatero.

Në 9 korrik, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, foli në një konferencë shtypi në Pentagon.

"Kjo sigurisht i adreson shqetësimet e ngritura nga rusët se iranianët nuk do të kenë raketa balistike me rreze të gjatë veprimi për 10 deri 20 vjetët e ardhshëm. Është fakt se ajo që tash e testuan, është raketë me rreze mjaft të zgjeruar veprimi. Kjo vetëm e nënvizon shqetësimin tonë për ngritjen e sistemit antiraketor në Evropë", tha Gates.

Në 22 korrik, në Beograd, prokurori i Serbisë për krime të luftës, Vladimir Vukçeviq, deklaroi:

"Mbrëmë, ne e përcaktuam vendndodhjen e Radovan Karaxhiqit dhe ai u arrestua. Ai ishte nën vëzhgim për disa javë. Nuk është e vërtetë se janë involvuar shërbime të huaja të sigurisë", tha Vukçeviq.

Në 4 gusht ndërroi jetë Aleksandar Solzhenjicin.

"Ai vdiq papritmas, relativisht papritur në shtëpi, ashtu siç shpresonte të vdesë gjithmonë. Nuk vuajti shumë, kah mesnata ndërroi jetë", tha i biri Stepan Solzhenjicin.

Në ditën e njëjtë, presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, vizitoi një spital ushtarak në qytetin Gori, afër Osetisë së Jugut.

"Ajo që po ndodh tani, është rezultat i politikës së gjatë të militarizimit histerik, i retorikës konstante të luftës, i propagandës së televizionit rus ndaj këtij rajoni me 30 mijë banorë", tha Saakashvili.

Në 8 gusht, kryeministri rus, Vladimir Putin, e bëri një deklaratë në Pekin, ku ndodhej për të ndjekur hapjen e Lojërave Olimpike.

"Që nga kohët e lashta, ka qenë traditë që armët të lihen mënjanë gjatë Lojërave Olimpike. Por, tash ndodh e kundërta. Në ditën e hapjes së lojërave, lidershipi i Gjeorgjisë ndërmori veprime tejet agresive kundër Osetisë së Jugut. Në fakt, ata e filluan aksionin ushtarak me armë të rënda, artileri dhe tanke. Ka viktima, të vdekur dhe të plagosur. Ka viktima edhe te paqeruajtësit rusë. Kjo do të pasojë me përgjigje", tha Putin.

Po atë ditë, presidenti kinez, Hu Jintao, foli në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Pekin.

"I deklaroj të hapura Lojërat e Pekinit, duke shënuar Olimpiadën e 29-të të kohës moderne", tha Jintao.

Në 18 gusht, presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf, iu drejtua kombit nga Islamabadi.

"Pasi analizova tërë situatën, pasi u konsultova me këshilltarët e mi legalë, unë e shpall sot dorëheqjen. Dorëheqja do t'i dërgohet kryetarit të Asamblesë Kombëtare", tha Musharraf.

Në 20 gusht, në Varshavë, sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, foli për mburojën antiraketore në Evropë.

"Kjo është një marrëveshje, e cila do të na ndihmojë ta vendosim mburojën raketore këtu në Poloni. Ky sistem do të na ndihmojë t'ia dalim mbanë me kërcënimet e reja të shekullit XXI, kërcënimet nga raketet me rreze të gjatë veprimi nga vendet si Irani apo Koreja e Veriut", tha Rice.

Në 26 gusht, presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev bëri një deklaratë në Sochi.

"Duke marrë parasysh vullnetin e lirë të shprehur nga populli i Osetisë dhe Abkhazisë, nisur nga parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktit Final i Helsinkit dhe OSBE-së, si dhe nga dokumentet themelore ndërkombëtare, unë i nënshkrova dekretet për njohjen e pavarësisë nga Federata e Rusisë të Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë", tha Medvedev.

Në 9 shtator, Asif Ali Zardari e bëri betimin si president i Pakistanit.

"Unë Asif Ali Zardari betohem solemnisht se do t'i jem besnik Pakistanit. Si president i Pakistanit do ta kryej me nder funksionin tim, në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës Islamike të Pakistanit", tha Zardari.

Në 19 shtator, presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, foli për krizën ekonomike.

"Sistemi ynë i ndërmarrjes së lirë mbështetet në bindjen se qeveria federale duhet të ndërhyjë në tregjet vetëm kur është e domosdoshme. Nisur nga gjendja aktuale e tregjeve finansiare dhe rëndësia jetike e tyre për jetën e përditshme të popullit amerikan, intervenimi i qeverisë nuk është vetëm i dëshirueshëm, por është esencial", tha Bush.

Në 29 shtator, zëdhënësi i zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut i dha këtë deklaratë Radios Evropa e Lirë.

"Vlerësimi ynë i përgjithshëm është se zgjedhjet parlamentare në Bellorusi, përkundër përmirësimeve të pakta, nuk i përmbushën standardet e OSBE-së", tha Jens-Hagen Eschenbaecher.

Në 7 tetor, kryeministri i Islandës, Geir Haarde foli në Rejkjavik për krizën finansiare në vendin e tij.

"Ajo që po bëjmë këtu është ruajtja e sistemit bankar, që të sigurohemi se ai do të funksionojë drejtë. Kjo nuk është kosto, por është përfitim", tha Haarde.

Në 8 tetor, presidenti i Ukrainës Viktor Yushchenko bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme.

"Jam thellë i bindur se koalicioni demokratik është rrënuar nga e vetmja gjë: ambicja e një njeriu të vetëm, lakmia për pushtet, dallimet në vlerat dhe dominimi i interesave personale mbi ato kombëtare", tha Yushchenko.

Në 10 tetor, ish presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ndërmjetësuesi për statusin e Kosovës, fitoi Çmimin Nobel për Paqe. Njoftimin në Oslo e bëri kryetari i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Ole Danbolt Mjoes.

"Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur t'i ndajë Çmimin Nobel për Paqe Martti Ahtisaarit për përpjekjet e tij të rëndësishme në disa kontinente gjatë më shumë se tri dekadave për t'i zgjidhur konfliktet ndërkombëtare. Këto përpjekje kontribuan për një botë më paqësore dhe vëllazëri ndërmjet popujve në frymën e Alfred Nobelit", tha Danbolt.

Në 4 nëntor, kandidati presidencial demokrat Barack Obama foli në ditën e zgjedhjeve në një tubim në Grant Park të Chicagos.

"Sonte, për atë që ne bëmë në këtë ditë, në këto zgjedhje dhe në këtë çast vendimtar, në Amerikë erdhi ndryshimi", tha presidenti i ri amerikan.

Në ditën e njëjtë, presidenti rus Dmitry Medvedev e mbajti fjalimin e tij të parë para Asamblesë Federale në Moskë.

"Konflikti në Kaukaz u përdor si pretekst për t'i sjellë luftanijet e NATO-s në Detin e Zi, dhe pastaj për ta çuar përpara vendosjen e sistemit amerikan të mburojës raketore në Evropë, i cili do të tërheqë masa hakmarrëse nga Rusia", tha Medvedev.

Në 18 nëntor në Athinë, ministri i Jashtëm i Saudisë, Princi Saud al-Faisal, foli për rrëmbimin e një tankeri saudit nga piratët e Somalisë.

"Ky veprim i pashembullt nga piratët, vetëm do ta përforcojë vendosmërinë e vendeve të Detit të Kuq dhe vendeve tjera për ta luftuar piraterinë. Pirateria është e drejtuar kundër të gjithëve, dhe ashtu si terrorizmi, ajo duhet të çrrënjoset", tha princi saudit.

Po atë ditë, në një fjalim televiziv, kryeministri irakian, Nuri al-Maliki foli për paktin e sigurisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Irakut.

"Pakti përcakton se trupat amerikane do të tërhiqen nga qytetet deri në 30 qershor, 2009, dhe ky është afat që nuk do të zgjatet. Pakti gjithashtu thotë se trupat amerikane duhet të largohen nga toka, nga ujërat dhe nga hapësira e Irakut deri në 1 janar, 2012. As ky afat nuk do të zgjërohet", tha al-Maliki.

Në 27 nëntor, Sonia Gandhi, kryetare e partisë në pushtet në Indi, u bëri thirrje qytetarëve të Mumbait të mos i zërë paniku.

"Sulmi i poshtër terrorist në Mumbai është një akt qyqar dhe meriton dënimin më të fuqishëm. Një numër i madh i civilëve janë vrarë dhe shumë janë plagosur në këtë kasaphanë brutale. U bëj thirrje banorëve të Mumbait të mbeten të qetë në këto kohëra sprovash. Jem e bindur se vendosmëria e njerëzve të Mumbait do të mbetet e palëkundur", tha Gandhi.

Në 1 dhjetor, presidenti i zgjedhur amerikan, Barack Obama foli në një konferencë për shtyp në Chicago.

"E kam njohur Hillary Clinton si mike, kolege, burim i këshillave dhe si rivale gjatë fushatës. Ajo ka një inteligjencë dhe vendosmëri të jashtzakonshme, dhe etikë të admirueshme pune. Jam krenar që ajo do të jetë sekretarja e ardhshme e shtetit", tha Obama.

Në 12 dhjetor, me rastin e 60 vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, kreu i OKB-së, Ban Ki-Moon foli në sesionin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

"Deklarata Unversale është dokumenti më i përkthyer në botë. Ajo mund të gjendet në 360 gjuhë. Parimet e saj janë absorbuar në kushtetutat e shumë vendeve të pavarura dhe të demokracive të reja. Fjalët e saj kumbojnë në çdo cep të planetit", tha Ban Ki Moon.

Në 15 dhjetor, gazetari irakian, Muntader al-Zaidi, korrespondent i televizionit Al Baghdadiya, stacion të pavarur irakian me seli në Kairo, i bërtiti dhe i hodhi këpucët e tij presidentit George Bush gjatë një konference për shtyp në Bagdad me kryeministrin Nuri al-Maliki.

"Kjo është dhuratë nga irakianët. Kjo është puthje lamtumire për ty. Kjo është nga vejushat, nga bonjakët dhe nga ata që janë vrarë në Irak", tha al-Zaidi.
XS
SM
MD
LG