Ndërlidhjet

Kosovarët në '09: zhvillim ekonomik, punësim, siguri..


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale, zbritja e nivelit të papunësisë dhe sundimi i ligjit janë pritjet kryesore për shumicën e njerëzve në Kosovë. Kështu vlerësojnë disa qytetarë të Prishtinës, të cilët thonë se presin zhvillime pozitive në këto fusha.

Qamil Musa pret që viti 2009 të jetë më i suksesshëm, sesa vitet paraprake.

“Viti 2009 - mendoj të na sjellë më tepër në aspektin ekonomik, punësim për të rinjtë, të stabilizohet siguria, të ketë sundim të ligjit, pagat të rriten pak më mirë... Shërbimet publike janë shumë të dobëta dhe nuk po na sigurojnë një mirëqenie të mirë dhe besoj që në vitin 2009 do të ketë një kthesë”, shprehet Musa.

Ngjashëm shpreson edhe Vesel Rexha.

“Në vitin 2009, unë pres të ketë punësim më të madh për rininë dhe stabilitet ekonomik për vendin tim. Unë personalisht i kam disa vite dhe nuk ka shumë rëndësi, por unë jam i interesuar për të rinjtë, sepse ka energji të madhe të të rinjve që lypin punë, e për ta brengosem më së shumti. Qeveria duhet të marrë hapa që t’u gjejë punë këtyre të rinjve, kësaj armate të punëtorëve”, thotë Rexha.

Nezafete Jakupi thotë së pret që në vitin e ardhshëm të ketë më shumë korrektësi gjatë punësimit të të rinjve.

“Ne presim që të hapen më shumë vende pune për të rinjtë, të cilët e kryejnë fakultetin, diplomojnë dhe rrinë në shtëpi. Ata që e kanë dikë të njofshëm, hyjnë në punë; të tjerët presin e presin dhe më në fund shkojnë diku të punojnë e që nuk e kanë profesion. Po zihet vendi i atyre që e kanë profesion me krejtësisht diçka të kundërt. Presim që kjo të rregullohet dhe gjërat të vijnë në vendin e vet”, thotë Jakupi.

Ndërkaq, Skender Halimi thekson:

“Realisht, ne si popull jemi mësuar të presim shumë, por çdo herë jemi ndarë të zhgënjyer me ato që kemi pritur. Është viti i parë që e presim në Kosovën shtet dhe nga aspekti ndërkombëtar presim njohje më të mëdha; kurse si shtet, ne të funksionojmë më mirë, do të thotë që ato ligje që miratohen në Parlament, të funksionojnë si duhet, si dhe të ndalet korrupsioni se boll ishte. Ai nuk mund të humbë dhe do të egzistojë edhe më tutje, por për vitin 2009 shpresoj se do të ulet në nivelin më të ulët që është e mundur”.

Në anën tjetër, qytetarët serbë të Kosovës presin që të ketë më shumë stabilitet ekonomik, liri të lëvizjes, si dhe të realizohet procesi i kthimit. Jovica nga Graçanica thotë:

“Shumçka do të duhej të ndryshojë, duke filluar që nga kushtet e jetesës për këtë popullatë serbe që jeton këtu. Ka shumë të papunësuar dhe shpresoj që vëmendja të drejtohet kah këta njerëz të varfër”.

Ndërkaq, Radmila Veliq, e cila aktualisht jeton në një shtëpizë-kontejner në Graçanicë, thotë se dëshiron të kthehet në shtëpinë e saj në Obiliq.

“Dëshiroj të ma ndërtojnë shtëpinë, të ketë punë dhe shëndet. Të gjithëve ju dëshiroj që të kthehen në vatrat e tyre në Kosovë”, tha Veliq.

Pritje të ngjashme ka edhe Milanka Cvejiq, nga fshati Krajishtë i Lipjanit.

“Pres që të kemi liri të lëvizjes dhe dëshiroj që të mos kemi frikë se mund të ketë luftë përsëri, të ketë punësim më të madh, si dhe të ketë kthim për secilin në shtëpinë e vet”, tha Cvejiq.
XS
SM
MD
LG