Ndërlidhjet

logo-print

Riker: Idetë për ndarje të Kosovës të pabaza


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Filip Riker, ka deklaruar për Evropën e Lirë se administrata amerikane është thellë e angazhuar për stabilizmin e Ballkanit dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian.

Ndërsa, sa i përkët Kosovës, ambasadori Riker tha se SHBA-të nuk besojnë dhe i vlerësojnë të pabaza njoftimet për ndarje të Kosovës, apo për probleme në procesin e konsolidimit të misionit të Bashkimit Evropian.

“Zhvillimet në Ballkan ende nuk përfunduar, pasi qëllimi jonë është që ta shohim rajonin të integruar në Evropën e lirë dhe të sigurt. Vendosja e EULEX-it kaloi pa probleme dhe në esencë kjo ndihmon në përforcimin e Kosovës dhe të institucioneve të saj, meqë do ta bënte këtë shtet të ri të pavarur të funksionojë në një mënyrë më të mirë. Përforcimi i sundimit të së drejtës në këtë shtet do të ndihmojë edhe në stabilizimin e gjendjes, andaj edhe EULEX-i është atje”.

“Megjithatë, ka vlerësime se vendosja e EULEX-it do të çojë në ndarje apo do të hasë në vështërësi, por pikëpamjet e tilla nuk kanë kurrfarë baze. SHBA-të mbeten të angazhuara si me praninë në EULEX, ashtu edhe me aktivitetet diplomatike për t’u siguruar se Kosova po ec përpara në drejtimin pozitiv”, tha ambasadori Filip Riker, duke shprehur bindjen se edhe administrata e re amerikane që do të udhëhiqet nga presidenti i zgjedhur Barack Obama, nuk do të ndryshojë kursin e politikës amerikane ndaj Ballkanit.

“Besoj se Ballkani do të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme, pasi, siç e dini, politika më se 60 vjeçare e SHBA-ve është që Evropa të jetë e plotë, e lirë dhe në të të mbisundojë paqja. Kjo Evropë përfunimisht përfshin edhe Ballkanin, përfshirë këtu edhe Maqedoninë”, tha ambasadori amerikan, duke përsëritur edhe një herë mbështetjen për procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe unë personalisht besojmë se e ardhmja më e mirë e mundshme për Maqedoninë është NATO-ja dhe BE-ja, dhe besoj se të njëjtën e mendojnë dhe liderët, dhe qytetarët e Maqedonisë. Nuk do të doja të spekuloja se çfarë do të ndodhë nëse vendi nuk do të jetë pjesë e NATO-s dhe e BE-së. Historia më e re e Evropës vërteton se anëtarësimi në NATO nënkukton siguri dhe prosperitet për anëtaret e reja”, tha ambasadori Riker, duke shtuar edhe faktin se që të arrihet ky synim, nevojitet edhe arritja e kompromisit me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë.

“Kishim shpresa të mëdha, përfshirë këtu edhe presidentin tonë, se problemi mund të zgjidhet shpejt pas dëshprimeve nga Samiti i NATO-s në Bukuresht. Për fat të keq, kjo nuk ndodhi dhe sinqerisht mendoj se të dyja palët e përfshira në këtë kontest, mund të bëjnë më tepër; këtë problem Maqedonia dhe Greqia duhet patjetër ta zgjidhin”, u shpreh ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Filip Riker.
XS
SM
MD
LG