Gjendja e sigurisë në Mitrovicë raportohet e qetë pas incidenteve të djeshme në pjesën veriore të qytetit.
Zëdhënësi i policisë Besim Hoti, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se situata është nën kontroll, edhe pse ajo konsiderohet të jetë mjaft delikate, duke marrë parasysh prapavijën e incidenteve, e veçanërisht në zonat e banuara me popullatë të përzier.
Zëdhënësi i SHPK, Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se policia, në bashkëveprim me forcat tjera të sigurisë, KFOR-in dhe njësitë e formuara policore të EULEX-it, kanë një situatë komplet nën kontroll.
Dje policia ndaloi dy shqiptarë të dyshuar se e kanë therrë me thikë një serb në veri të Mitrovicës.
I plagosuri është hospitalizuar dhe është në gjendje stabile.
Më pas, qindra serbë u vunë zjarrin disa dyqaneve të shqiptarëve dhe i shkatërruan disa vetura me targa të Kosovës.
Gjatë trazirave, u plagos me armë zjarri një shqiptar, gjendja e të cilit është jashtë rrezikut për jetë.
Paqëruajtësit e NATO-s kanë dërguar trupa shtesë në teren për të siguruar zonën.