Ndërlidhjet

logo-print

Qeverisja dhe zgjedhjet e lira


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partitë e koalicionit qeverisës në Kosovë, PDK dhe LDK, mendojnë të vazhdojnë me prioritetet dhe angazhimet në kuadër të qeverisë edhe gjatë 2009-ës, ndërsa ato opozitare thonë se sfidë mbetet përgatitja e tyre për zgjedhje të lira në të dyja nivelet.



Partitë më të mëdha politike në Kosovë kanë prioritete të ndryshme në lidhje me pritjet e tyre gjatë vitit 2009.

Ndërsa dy partitë në pushtet, PDK dhe LDK, përgatiten vetëm për zgjedhjet lokale dhe vazhdimin e qeverisjes deri në vitin 2011, ato opozitare kërkojnë që në 2009-ën të mbahen zgjedhjet në të dyja nivelet.

Për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministrin Hashim Thaçi, sfida për vitin 2009 mbeten prioritetet e qeverisë së tij, kurse në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme, ai nuk sheh ndonjë mundësi që ato të mbahen, siç kërkon opozita.

“Zgjedhje lokale do të ketë në nëntor, ndërsa unë jam për respektimin e kushtetutshmërisë dhe konsensusit ndërpartiak. Kërkesat për zgjedhjet nga këta individë nuk janë serioze, por janë më tepër sa për të bërë zhurmë. Ata nuk janë në favor të organizimit të zgjedhjeve dhe e dinë se do të ndahen edhe më keq sesa në zgjedhjet e 17 nëntorit. Me këtë sjellje destruktive të këtyre individëve, qytetarët edhe atë besim prej 7 apo 8 për qind do t’ua marrin në zgjedhjet e ardhshme”, thotë Thaçi.

Ndërkohë, partneri i PDK-së në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, mëton që t’i vazhdojë reformat e filluara në parti. Edhe LDK-ja pret që të jetë e gatshme për zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2009, por jo edhe për zgjedhjet parlamentare. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se sfidë kryesore e partisë do të jenë reformat, të cilat, sipas tij, kanë për synim ta kthejnë LDK-në në krye të spektrit politik.

“Unë besoj thellë që viti i ardhshëm do të jetë vit i LDK-së. LDK-ja do të identifikohet dhe mbahet mend për një vit që do ta rikthejë në skenën politike si parti lidere. Implementimi i procesit të reformave tashmë është i përgatitur. Ne përgatitemi që viti 2009 të jetë vit i zgjedhjeve lokale, vit i zbatimit të programit qeveritar të paraparë dhe të miratuar në vitin e kaluar dhe vit i detyrimit të reformave”, deklaron Haziri.

Në anën tjetër, partitë opozitare, synim kryesor kanë përgatitjet për zgjedhjet në të dyja nivelet. Duke u thirrur në pakon e Ahtisaarit, këto parti presin që zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare të mbahen në vjeshtë. Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se zgjedhjet e lira janë të domosdoshme për realitetin e ri që është krijuar në Kosovën e pavarur.

”Zgjedhjet duhet të mbahen vitin e ardhshëm dhe për këtë ekzistojnë tri argumente. Ekziston Kushtetuta e Kosovës, e cila është treguesi i mjaftueshëm, për arsye se këto institucione të sotme janë të dala nga korniza kushtetuese dhe për atë s’po mund ta zbatojmë Kushtetutën e Kosovës. Argumenti i dytë është pakoja e Ahtisaarit, të cilën nëse e kanë marrë për obligim ta zbatojnë institucionet e Kosovës, atëherë duhet ta zbatojnë; dhe elementi i tretë - gjendja e partive politike, të cilat janë në rrugë të reformimit të tyre dhe duhet t’u përgjigjen kushteve që janë pas pavarësisë së vendit”, thotë Isufi.

Edhe partia tjetër opozitare, Aleanca Kosova e Re, prioritet kryesor e ka mbajtjen e zgjedhjeve. Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se zgjedhjet në të dyja nivelet janë të domosdoshme për të përmbushur krijimin e institucioneve të reja në Republikën e Kosovës.

“Institucionet e dala nga zgjedhjet e fundit kanë qenë të përkohshme në mbështetje të kornizës kushtetuese. Tash kemi Kushtetutën dhe tash duhet në mbështetje të saj të kemi zgjedhje të lira dhe t’i formojmë institucionet e përhershme të vendit dhe kjo është arsyeja kryesore pse duhet të mbahen zgjedhjet qendrore në vitin që po hyjmë”, thotë Makolli.

Prioritete identike me dy partitë tjera opozitare ka edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë. Sekretari i saj i përgjithshëm, Lulëzim Zeneli, thotë se mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare është një prej obligimeve që ka marrë Kosova para faktorit ndërkombëtar në kohën e shpalljes së pavarësisë.

“Gjithsesi zgjedhjet do të duhej të mbahen, kemi obligim që rrjedh prej përgjegjësive ndërkombëtare. Në kuadër të pakos së presidentit Ahtisaari, Kosova i ka marrë këto përgjegjësi dhe obligimet që do t’i realizojë me kohë. Jemi të bindur se zgjedhjet e ardhshme do të reflektojnë krejt një frymë tjetër dhe një përgjegjësi të re në shtetin e pavarur të Kosovës. Dhe, fundi i fundit, të kemi një proces llogaridhënieje për atë se çka ka ngjarë dhe çka është duke ngjarë në tërë hapësirën e shtetit të pavarur të Kosovës”, thekson Zeneli.

Sidoqoftë, organizimi i zgjedhjeve si një çështje e rregulluar me Kushtetutë, do të kërkojë edhe interpretimin ndërkombëtar. Marrë parasysh se zgjedhjet e fundit janë mbajtur në nëntorin e vitit 2007 dhe ka interpretime të ndryshme për legjitimitetin e institucioneve, njëherësh zgjedhjet mund të jenë edhe produkt i ndonjë marrëveshjeje eventuale politike.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG