Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet kosovare, vitin 2008, në aspektin ekonomik, e vlerësojnë mjaft të suksesshëm. Ndërkaq, ekspertë të ekonomisë flasin për ngecje në këtë fushë, duke konsideruar se ka munguar një qasje më aktive e institucioneve të Kosovës.


Ndonëse buxheti i shtetit të Kosovës, i cili është pak mbi 1 miliard euro e që konsiderohet të jetë më i vogli në rajon, për autoritetet kosovare konsiderohet i suksesshëm dhe me një ngritje prej 15 % krahasuar me vitin e kaluar, sipas ekspertëve të ekonomisë ky buxhet nuk do të garantojë shpëtim për gjendjen ekonomike të rëndë.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, 2008-ën e vlerëson një vit të suksesshëm në fushën ekonomike, me një rritje të vazhdueshme ekonomike në 5.2 %.

Edhe pse ekspertët e ekonomisë, kohë më parë, kanë vlerësuar se kjo rritje nuk është e mjaftueshme për t’i tejkaluar të gjitha sfidat që janë akumuluar dhe me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës, Shala e konsideron këtë vit të suksesshëm për faktin se kjo qeveri, sipas tij, kë bërë realizime të dukshme si në skemën e kursimeve, po ashtu edhe në ekzekutimin e projekteve.

“Të gjitha këto janë nisma që kjo qeveri i ka vënë edhe në projektet e planifikimeve buxhetore dhe planifikimeve të tjera, qofshin te involvimit të sektorit privat apo forma të tjera të financimit, të cilat do të vazhdojnë në vitin 2009. Këto do të lënë gjurmë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në gjithë përmirësimin e imazhit të Kosovës”, thotë Shala.

Ministri Shala thotë se mbi 250 % kjo qeveri ka qenë më e efektshme dhe më efiçente në aspektin e ekzekutimit të buxhetit, sesa qeveria e kaluar.

Sukseset më të mëdha në fushën e ekonomisë gjatë vitit 2008 që janë vlerësuar nga autoritetet kosovare, janë Konferenca e Donatorëve, e cila solli premtime 1.2 miliard euro për Kosovën, interesimi i kompanive evropiane dhe botërore për investime të mundshme në Kosovë, përmirësimi i politikave fiskale, si dhe investimet e bëra në infrastrukturë.

Megjithatë, nuk është dhënë ndonjë shpresë se gjendja sociale e qytetarëve të Kosovës do të mund të përmirësohet në një afat të shkurtër kohor. Shala thotë se kjo gjendje do të vazhdojë edhe për shumë vite.

“Aspektet sociale nuk mund të zgjidhen as për vitet e ardhshme, as për shumë vite të tjera në masën e duhur, megjithatë mënyra e shtrirjeve të prioriteteve dhe orientimi i investimeve publike në sektorët që do të krijojnë rritje ekonomike, është mënyra më e mirë e përzgjedhur për tejkalimin e problemeve sociale”, thekson Shala.

Më kritike për gjendjen e ekonomisë në vend është kryetarja e Odës Ekonomike Amerikane, Mimoza Kusari Lila. Ajo vitin 2008 e vlerëson si një vit neutral në aspektin ekonomik. Sipas saj, janë shënuar ngecje dhe njëkohësisht është folur shumë për ekonomi e është bërë shumë pak.

“Në aspektin ekonomik gjatë vitit 2008 ka pasur një tendencë për më tepër dinamizëm. Kjo është vërejtur menjëherë para dhe pas shpalljes së pavarësisë, me ardhjen e përfaqësuesve të kompanive të ndryshme nga rajoni dhe nga vendet tjera evropiane dhe botërore për investime të mundshme në Kosovë. Por, e gjithë kjo u karakterizua me një ngecje, për shkak të mungesës së qasjes më aktive të institucioneve të Kosovës”, thotë Kusari Lila.

Ajo konsideron se qeveria duhet të stimulojë dhe të krijojë ambientin për investime të drejtpërdrejta.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, mendon se gjatë këtij viti, zhvillimi ekonomik është menaxhuar mirë dhe e gjithë kjo ka ndihmuar që Kosova të identifikohet si partner potencial për zhvillim ekonomik dhe për mundësinë e investimeve të huaja. Megjithatë, edhe zoti Beqaj mendon se ka pasur ngecje në aspektin ekonomik.

“Zhvillimi si tërësi në Kosovë nuk ka shënuar ndonjë progres të theksuar, për shkak se edhe vetë kalimi nga një ekonomi komplete jo me strategji zhvillimore, jo me një orientim të qartë, por me orientime më shumë politike, shumë vonë është orientuar drejt strategjive zhvillimore të mirëfillta. Po ashtu ka ndikuar edhe kriza ekonomike globale dhe kriza financiare, e cila ka zbehur zhvillimin ekonomik të Kosovës”, shpjegon Beqaj.

Buxheti i vitit 2009 për Kosovën, që përllogaritet të jetë mbi 1 miliard euro, ndonëse më i varfri në rajon, sipas ministrit Shala, është mbi 15 për qind më i madh se vitin që shkoi, ngritje kjo që, sipas tij, “nuk është për t’u nënvlerësuar”.

"Kjo ngritje do të mundësojë strukturën e buxhetit dhe rritje të qëndrueshme ekonomike prej 6 %, në kohën kur shumë ekonomi botërore të vendeve të zhvilluara kanë ngecje, kanë zvogëlim, kanë ngecje në GDP", thotë Shala.

Ndër të tjera, ministri Shala thekson se Kosova nga viti 2009 deri në vitin 2011 synon të absorbojë investime të huaja mbi 5 miliardë euro.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG