Ndërlidhjet

logo-print

Të pagjeturit – prioritet i Qeverisë më 2009?


Fotografitë e personave të pagjetur të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës

Fotografitë e personave të pagjetur të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, zbardhja e fatit të të pagjeturve ishte paralajmëruar si prioritet i Qeverisë së Kosovës. Asociacionet e familjarëve shpresojnë që në vitin 2009 do të zgjidhet kjo çështje.


Familjarët e të pagjeturve thonë se janë të pakënaqur me angazhimin e institucioneve të Kosovës në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Ata konsiderojnë se institucionet kosovare në vitin 2008 kanë pasur mundësi të bëjnë më shumë në këtë çështje, por nuk kanë bërë. Kryetari i Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur, Haki Kasumi, thotë:

“Me keqardhje më duhet të konstatoj se, sikur edhe viteve të mëparshme, edhe ky vit përfundoi me punë jo të mjaftueshme, me përpjekje jo serioze për zbardhjen e fatit edhe të 1921 qytetarëve që i mungojnë Kosovës”.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se kjo çështje edhe më tej mbetet prioritet. Kryetari i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Prenk Gjetaj, thotë se institucionet e Kosovës kanë bërë dhe janë duke bërë përpjekje maksimale që të gjithë personat që fugorojnë të zhdukur, të gjenden.

Gjatë këtij viti normalisht se janë caktuar pioritetet. Prioritet i qeverisë është vazhdimi i kërkimeve për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, domethënë identifikimi përmes analizës i mbetjeve mortore që gjenden në morgun e Prishtinës, pastaj vazhdimi i dialogut me palën serbe, sepse ne konsiderojmë se e vetmja adresë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është Beogradi, gjegjësisht Serbia, sepse ata kanë mbajtur evidenca”, thotë Gjetaj.

Ndërkaq, zoti Kasumi shprehet i pakënaqur me rezultatet e institucioneve dhe konsideron se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë sa duhet lidhur me këtë çështje.

“Është bukur vështirë të konstatohet se çfarë është bërë, kur është bërë shumë pak. Në angazhimet e përgjegjësve, këtu do të përqendroja vëmendjen kryesisht tek institucionet e Republikës së Kosovës, nga të cilat, sidomos pas 17 shkurtit, kemi pritur shumë më tepër, por është bërë shumë pak”, thekson Kasumi.

Zoti Gjetaj thotë se rezultat i madh në punën për personat e pagjetur gjatë vitit 2008 ka qenë shkëmbimi i informacioneve në mes të komisioneve nga Prishtina dhe Beogradi.

“Grupet punuese kanë punuar në atë drejtim. Në kohën e fundit kemi marrë një hartë, e cila do të na mundësojë deminimin në pjesën e Kosharës, ku dyshohet të ketë edhe atje varreza, por është terren i papërshtatshëm dhe është i minuar. Kështu që kah fillimi i pranverës mendohet që të hyhet me deminim”, thotë Gjetaj.

Që nga paslufta, sipas Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur, persona të zhdukur konsiderohet të kenë mbetur edhe 1921. Kryetari i këtij asociacioni, Haki Kasumi, thotë se familjarët e personave të pagjetur shpresojnë që në vitin 2009 çështja e të pagjeturve të zgjidhet.

“Ne na mban shpresa se do të intensifikohet puna, do të bëhet ndonjë riorganizim i komisionit qeveritar dhe do të shtohet serioziteti i qasjes ndaj këtij problemi të dhimbshem”,
shprehet Kasumi.

Ndryshe, veç takimeve që pritet të mbahen gjatë vitit 2009, pas shaplljes së pavarësisë së Kosovës, grupet punuese nga Prishtina dhe Beogradi janë takuar dy herë me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG