Ndërlidhjet

Nushi: Ka çalime në fushën e të drejtave


Pajazit Nushi
Pajazit Nushi

"Edhe nga ana e institucioneve vendore, por edhe nga ana e institucioneve dhe organeve ndërkombëtare kemi shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut", thotë Pajazit Nushi, drejtor i KMDLNJ-së.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nushi, për nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë kanë dalë vlerësime të ndryshme. Sipas jush, sa po respektohen të drejtat e njeriut?

PAJAZIT NUSHI
Sikurse është e njohur fusha e të drejtave dhe lirive të njeriut, sikur edhe e obligimeve që ka secili qytetar për respektimin e këtyre të drejtave, këto fusha janë të ndryshme, prandaj është vështirë të jepet një vlerësim gjeneral për të gjitha fushat.

Por, mendoj se më mirë do të ishte sikur të flasim për një diferencim të këtyre fushave të ndryshme, me të cilat po ballafaqohemi në jetën e përditshme dhe në aktivitetin tonë të përditshëm.

Ky vit, mendoj se është më progresiv në zbatimin dhe respektimin e të drejtave individuale të atyre që kanë përkatësi etnike, përkatësisht kombëtare, të ndryshme dhe përkatësi fetare të ndryshme.

Nuk ka qenë ky rast i viteve të tjera, por ky vit, nëse duam ta shënojmë me një dimension karakteristik për këtë fushë, ka shënuar disa përparime në këtë pikëpamje, bie fjala për anëtarët, pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët në përgjithësi komunitetet. Në veçanti për serbët, çfarë mund të na thoni?

PAJAZIT NUSHI
Ato që mund t'i them për të gjitha komunitetet, vlejnë në rend të parë për komunitetin serb në Kosovë. Është një vlerësim i përgjithshëm se komuniteti serb, në pikëpamje të përkujdesjes që po ka nga ana e ndërkombëtarëve, por në lidhshmëri të ngushtë edhe me organet qeveritare të Kosovës, po ka një përkujdesje të veçantë.

Nuk më janë të njohur të gjithë faktorët se pse të ketë një përkujdesje kaq të veçantë komuniteti serb nga komunitetet e tjera, por, pavarësisht prej asaj, mund të them se kjo përkujdesje e veçantë e tyre po shkakton një disharmoni me përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, të cilët po bëjnë vërejtje përse anëtarëve ose pjesëtarëve të komunitetit serb u kushtohet kujdes shumë më i madh përballë komuniteteve të tjera, siç është komuniteti boshnjak në disa vende, komuniteti rom, turk etj.

Por, megjithëkëtë, rrugën që kemi ndjekur në zhvillimin e kushteve edhe të raporteve për t'i siguruar një mirëqenie komunitetit serb, duhet ta ndjekim edhe për komunitetet e tjera, pavarësisht se cilës etni i takojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut?

PAJAZIT NUSHI
Edhe këtu do të thosha se në fusha të ndryshme, shkelësit janë të ndryshëm. Por, ajo që është e përgjithshme, është se të drejtat e njeriut dhe liritë njerëzore në Kosovë më tepër kuptohen jo si obligime, por si të drejta. Kështu që po humb kuptimi domethënës dhe vlera domethënëse e të drejtave.

E drejtë e individit njëkohësisht është obligim i tij për ta respektuar tjetrin. Në këtë pikëpamje ka çalime serioze te qytetarët e Kosovës, por ka çalime të veçanta edhe nga ana e organeve të veçanta të pushtetit lokal, edhe të pushtetit qeveritar.

Me fjalë të tjera, po kemi edhe nga ana e institucioneve vendore, por po kemi edhe nga ana e institucioneve dhe organeve ndërkombëtare shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë sfidat përballë institucioneve në këtë drejtim?

PAJAZIT NUSHI
Mund të jenë të përgjithshme, por mund të jenë specifike, raste-raste mund të kenë përmasa edhe subjektive. Të përgjithshmet janë sfidat që janë të lidhura me një zhvillim të ngecur financiaro-ekonomik në Kosovë përgjithësisht, ku, sikurse është e njohur tashmë, 15 për qind e popullsisë jeton në një nivel të ultë financiar të përditshëm dhe nuk është në gjendje t'i plotësojë me atë nivel elementet e domosdoshme të jetës së vet.

Ndërkaq, fuqia ekonomike e organeve sociale dhe e organeve ndihmëse është shumë e ultë dhe në këtë pikëpamje, bie fjala, shkelen të drejtat e fëmijëve më tepër, pason dhuna në familje, pason dhuna në shkolla, e cila, për fat të keq, këtë vit ka marrë një dimension të posaçëm dhe po bëhet karakteristikë gjithnjë e më e madhe e sistemit shkollor.

Ndërsa, institucionet e veçanta që janë përgjegjëse për këto shkelje të të drejtave, duket se me personelin e tyre, me programin dhe me projektet e tyre, sikurse edhe me synimet e tyre për zhvillim të përgjithshëm, më tepër po janë të orientuara kah krijimi i kushteve fizike, e më pak kah krijimi i atyre kushteve që kanë të bëjnë me bërthamën e edukacionit dhe me zhvillimin e sistemit të vlerave të veçanta njerëzore.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të ishin rekomandimet e juaja për të arritur përmbushjen e standardeve ndërkombëtare në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut?

PAJAZIT NUSHI
Rekomandimet do të ishin specifike kur kanë të bëjnë me ato që janë karakteristike për këtë vit dhe do të kemi një varg rekomandimesh që kanë karakter të përgjithshëm dhe që burojnë prej së kaluarës sonë.

Para së gjithash, vetëdijesimi i të gjithë qytetarëve me anë të atij sistemit të vlerave që kanë pasur rëndësi të përhershme dhe që kanë karakterizuar etninë shqiptare.

Në këtë pikëpamje, jam fort i bindur se vlerësimet e të gjithë neve për rolin e edukatës familjare dhe rolin e edukatës shkollore në këtë kohë, janë vlerësime negative, sepse nëpërmes arsimit, jo vetëm që duhet zhvilluar sistemin e dijenive, por, në radhë të parë, sistemi i këtyre dijenive duhet të ndikojë në formimin e tipareve të karakterit dhe të personalitetit të shëndoshë të individit, i cili respekton tjetrin dhe kërkon me të drejtë të respektohet dinjiteti i tij.

Pikëpamjet e anës specifike – jemi të detyruar të themi se nuk duhet bërë dallime në respektim të të drejtave universale mes përkatësive dhe etnive të ndryshme në Kosovë, sepse janë të barabartë; siç janë të barabartë para ligjit, ashtu duhet të jenë ta barabarta edhe relacionet në komunikimin e përditshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga çështjet që vazhdon të jetë edhe më tutje e pazgjidhur, është ajo e personave të pagjetur. Ju keni kryesuar delegacionin kosovar në vitin e kaluar në bisedime. Çfarë mund të pritet në vitin 2009?

PAJAZIT NUSHI
Kam kryesuar dhe ende jam në krye të këtij grupi punues për bashkëpunim me grupin punues të Qeverisë serbe për personat e pagjetur. Këtë vit ne kemi mbërritur zvogëlimin e numrit të të pagjeturve; para dy vjetësh ka qenë rreth 3,500 – këtë vit ka mbërritur në 1912 veta.

Por, duhet të them se vështirësitë janë jashtëzakonisht të mëdha për vitin që vjen, sikurse edhe për vitet tjera, për disa shkaqe. Duket se pjesa më e madhe, për të mos thënë një numër i caktuar i këtyre individëve janë zhvarrosur, eshtrat e tyre janë bartur prej Kosovës, nuk dihet se ku janë vendosur.

Ka edhe thashetheme – përmenden rastet se ekzistojnë mundësi që disa prej tyre të jenë rrëmbyer dhe të jenë të gjallë. Shpresa që të jenë të gjallë nuk duhet të zhduket kurrë nga ana jonë, megjithëse shanset për të qenë të gjallë pas dhjetë vjetësh e të mos dëgjohet asnjë fjalë prej tyre, në kohën kur edhe Serbia ka ndryshuar, nuk është Serbia e Millosheviqit, në kohën kur organizatat ndërkombëtare bëjnë një aktivitet të lakmueshëm në Serbi dhe në Kosovë, vështirë të besohen se mund të ketë të gjallë edhe nga ata 1912 veta.

Por, megjithatë, ne do të kërkojmë me çdo kusht që ky numër të zvogëlohet dhe do të kërkojmë me çdo kusht që informacionin e fundit t'ua japim të gjithë familjarëve kudo që gjenden, por duhet të kemi durim, sepse procesi është shumë i ndërlikuar, procesi është i lidhur drejtpërdrejt me dënimin e krimit, se ai që ka bërë vrasje duhet të dihet, kush e ka bërë atë vrasje, përse e ka bërë atë vrasje dhe duhet ta marrë dënimin e caktuar.

Për këtë arsye, dhënies së informacioneve për të pagjeturit i ikin shumë veta, qoftë nga ana e shqiptarëve, qoftë nga ana e palës serbe.
XS
SM
MD
LG