Ndërlidhjet

A po gjykohet korrupsioni në Kosovë?


Lufta kundër korrupsionit në 2008-ën ishte një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, thonë zyrtarët qeveritarë, por ata të Agjencisë Anti-korrupsion dhe të organizatave joqeveritare thonë se s'ka pasur angazhim të duhur në këtë drejtim.


Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë se angazhimi i kësaj qeverie në luftën kundër korrupsionit ka qenë i padiskutueshëm dhe u ka dhënë mbështetje organeve hetuese dhe policore për t’i luftuar rastet e korrupsionit.

“Që nga ditët e para ne i kemi bërë ftesë auditorit gjeneral që të mbikëqyrë çdo veprim, çdo transaksion financiar të të gjitha institucioneve, dhe karshi raporteve që ata do të nxjerrin, ne do të veprojmë. Në përgjithësi, besoj se është bërë e qartë se kjo qeveri e ka prioritet luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative. Për këtë arsye, të paktën kemi miratuar strategjitë, të cilat nuk kanë ekzistuar më herët dhe që do të jenë udhërrëfyese në luftën tonë kundër korrupsionit”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, raporti i Agjencisë Kosovare Kundërkorrupsion për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 ka treguar se kjo agjenci ia kishte përcjellë 68 informata për raste të dyshuara të korrupsionit prokurorive përkatëse.

Hasan Preteni, drejtues i Agjencisë Kosovare Kundërkorrupsion, thotë se nga prokuroritë janë marrë përgjigje vëtëm për 23 raste, prej të cilave në 12 raste prokuroritë kanë filluar hetimet, ndërkaq që 11 raste janë refuzuar. Prej tyre, sipas zotit Preteni, 10 raste kanë të bëjnë me gjyqësorin.

“Mendoj që nuk është koinçidencë që po refuzohen mu çështjet që kanë të bëjnë me gjyqësorin. Nuk është kjo kritikë që vjen vetëm nga Agjencia, por edhe raportet tjera kanë doza të kritikës për gjyqësorin në Kosovë, sepse unë them që korrupsioni jo që nuk po identifikohet, jo që nuk ka informata, por është e vërtetë shumë reale që korrupsioni në Kosovë nuk po gjykohet”, thotë Preteni.

Në anën tjetër, Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara, thotë se pavarësisht se nuk ekzistojnë të dhëna të sakta se sa raste të korrupsionit ka në Kosovë, nga anketimi që ky institut u ka bërë qytetarëve, sipas tij, del se qytetarët besojnë se ka nivel të lartë të korrupsionit në Kosovë dhe se ai nuk po luftohet.

Ai shpreh mendimin se krijimi i ligjit kundër korrupsionit, krijimi i Agjencisë Kundërkorrupsion nuk duhet të shërbejë si arsyetim i kënaqshëm se po bëhet diçka në luftën kundër korrupsionit.

“Prapëseprapë, në aspektin e implementimit të atyre gjërave, nuk është bërë shumë në atë drejtim. Ne ende nuk dimë për ndonjë rast të vetëm ku ndonjë i punësuar në sektorin publik në Kosovë, së paku të jetë larguar nga puna, e lëre më të flasim për ndonjë akuzë të ngritur apo edhe ndonjë dënim, që dikush të jetë dënuar për korrupsion në Kosovë”, shprehet Ahmeti.

Ndryshe, zoti Preteni thotë se Qeveria e ka mbështetur punën e Agjencisë Kundërkorrupsion. Ngjashëm, sipas tij, mund të thuhet edhe për qytetarët, të cilët kanë lajmëruar raste të dyshuara të korrupsionit, por kjo, siç thotë zoti Preteni, nuk mund të thuhet edhe për shërbyesit civilë.

“Them kushtimisht, janë ‘disciplinuar’ shërbyesit civilë dhe po hezitojnë që ta informojnë Agjencinë për veprimet korruptive nëpër institucionet e tyre. Ne kemi tentuar përmes fushatave të vazhdueshme t’i vizitojmë institucionet dhe komunat e Kosovës që t’i inkurajojmë shërbyesit civilë. Është vetëm një vullnet i tyre dhe as në aspektin material, por as në aspektin e rrezikimit, them kushtimisht, nuk u kushton zyrtarëve. Mirëpo, kanë hezituar dhe një prej karrigeve më të dobëta në sistemin e luftës kundër korrupsionit, është bashkëpunimi i shërbyesve civilë me Qeverinë e Kosovës”, thotë Preteni.

Ndërkaq, lidhur më këtë çështje, zoti Ahmeti thekson:

“Kjo e humb motivimin edhe për të gjithë ata që merren me këtë dukuri negative. Për shembull, nëse flasim për gazetarët, të cilët kanë hulumtuar dhe kanë ndjekur rastet e korrupsionit dhe këto pastaj janë përcjellë edhe te Agjencia Kundërkorrupsion dhe shohin se nuk ndodh asgjë, atëherë humbet motivimi që herën tjetër të shkruhet apo të hulumtohet një gjë e tillë. Mund të them se në të kaluarën dhe mendoj se prapë edhe për bashkësinë ndërkombëtare, edhe për klasën tonë politike, mbetet stabiliteti politik në vend si qëllimi numër një. Zakonisht, kur rrezikohet ndonjë ‘peshk i madh’, rrezikohet edhe stabiliteti dhe për atë arye gjërat ngecin”.

Sidoqoftë, zoti Preteni ka theksuar se të dhënat për informatat që i janë përcjellë prokurorive publike kompetente nga Agjencia Kosovare Kundërkorrupsion lidhur me rastet e dyshuara të korrupsionit për gjithë vitin 2008, do të publikohen në muajin shkurt të vitit 2009. Por, sipas tij, ekzistojnë të gjitha indikacionet se numri i rasteve do të jetë më i madh sesa në vitin 2007.
XS
SM
MD
LG