Ndërlidhjet

Ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe aftësimi i saj që të jetë operacionale deri në mesin e 2009-ës, janë sfidat kryesore për FSK-në, thonë udhëheqësit në nivelin politik si dhe ushtarak të kësaj Force.




Pas përzgjedhjes së komandantit të Forcës së Sigurisë, pason përzgjedhja e udhëheqjes komanduese të saj si dhe rekrutimi i pjesëtarëve të FSK-së, thonë në Ministrinë e FSK-së.

Ministri Fehmi Mujota beson se Forca e Sigurisë do të mund të jetë operacionale deri në mesin e qershorit, ndërkohë që premton përkujdesje institucionale për të gjithë pjesëtarët e TMK-së që nuk i përmbushin kriteret për këtë Forcë.

“Suksesi më i madh për vitin 2009 do të jetë nëse do të arrijmë t’i përmbushim objektivat tona të parapara për krijimin e Forcës së Sigurisë sipas kritereve dhe standardeve të NATO-s, në një pranim të përgjithshëm nga qytetarët e Kosovës dhe për një punë të vazhdueshme për ta trajtuar secilin pjesëtar të TMK-së që nuk arrin të kalojë në FSK, në mënyrën më të mirë të mundshme në mbrojtje institucionale”,
thotë Mujota.

Ndërkohë, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, thotë se nëse FSK-ja i kalon me sukses gjashtë muajt e parë të formimit të saj, përfshirë edhe zgjedhjet e udhëheqjes komanduese dhe pjesëtarëve të saj, kjo Forcë do të ishte e aftë dhe e gatshme edhe për operacione jashtë Kosovës, nëse këtë e kërkon NATO-ja.

“Varet edhe prej aftësive tona. Besoj se aftësitë nuk mungojnë, sepse jemi në bashkëpunim të ngushtë me ekipet e NATO-s, të cilat kanë ardhur për ngritjen e FSK-së dhe që do të merren me trajnimin dhe pajisjet e saj. Besoj se suksesi nuk do të mungojë dhe jemi të gatshëm që kjo Forcë shumë shpejt të jetë operacionale dhe të jetë e gatshme që të shërbejë edhe jashtë vendit”, thekson Selimi.

Sipas planeve të mëhershme, shpërbërja e TMK-së dhe formimi i FSK-së është dashur të ndodhë nga data 10 dhjetor, por kjo nuk ka ndodhur. Ministri Fehmi Mujota beson se këto vonesa nuk do të reflektohen në dinamikën e formimit të FSK-së, duke shpresuar se kjo Forcë, përveç komandantit Sylejman Selimi, shumë shpejt do ta ketë edhe strukturën tjetër komanduese.

“Procesi i përzgjedhjes, konfirmoj se ka filluar. Duhet edhe një kohë që të kalojë për t’i pasur të gjitha vendimet e nevojshme për zgjedhjen e liderëve kyçë të FSK-së dhe mendoj se këtyre ditëve do ta kemi vendimin për liderët kyçë të FSK-së”, tha Mujota.

Forca e Sigurisë, e cila nga kosovarët shihet edhe si bërthama e Ushtrisë së Kosovës, parashihet të ketë 2 mijë e 500 trupa të rregullta dhe 800 rezervë. Kjo Forcë do të pajiset me një armatim të lehtë dhe do të jetë e mbikëqyrur nga NATOja. Ndërkohë që një pjesë e TMK-së që nuk do t’i përmbushë kriteret për t’u integruar në FSK, parashihet të pensionohet apo të përfshihet në punë tjera institucionale.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është që asnjë prej pjesëtarëve të tashëm të TMK-së të mos mbetet pa përkujdesje institucionale.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG