Ndërlidhjet

“Shqiptarët dhe serbët vetorganizohen në veri”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Për incidentet e së premtes mbrëma në pjesën veriore të Mitrovicës, ku u dogjën dy lokale dhe u lënduan disa persona, kryetari i këtij qyteti, Bajram Rexhepi, ka fajësuar grupe kriminale serbe që veprojnë në këtë pjesë të tensionuar të vendit. “Në konfliktin e së premtes, shqiptarët absolutisht nuk kanë qenë të involvuar, por ka qenë një qërim hesapesh mes grupeve serbe”, ka thënë Rexhepi, të dielën për Express. Ai ka deklaruar se këto grupe serbësh që provokojnë situatën në veri të qytetit, janë të identifikuara. Prefekti i qytetit ka kërkuar arrestimin e tyre. “Ata që ngritin tensionet dhe provokojnë situatën janë grupe të caktuara të komunitetit serb. Janë 4-5 banda të ndryshme që veprojnë në pjesën veriore, ndonjëherë kanë edhe konflikte të brendshme”, ka thënë Rexhepi. Se kur do të mund të arrestoheshin nxitësit e dhunës në Mitrovicë, ai thotë se për këtë çështje duhet të pyetet EULEX-i. “Këtë ne e kërkojmë vazhdimisht, kjo do të jetë punë e EULEX-it. Ato grupe janë të identifikuara. Sa na përket neve, kjo do duhej të bëhet sa ma shpejt që të jetë e mundur”...

EPOKA E RE
Ministri serb për Kosovën në Qeverinë serbe, Goran Bogdanoviq, e ka nisur vitin 2009 me vizitë në veri të Mitrovicës. Gjatë kësaj vizite, Bogdanoviq është takuar me përfaqësuesit e katër komunave në veri të Kosovës dhe me të ashtuquajturin kryetar të Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq. Ndërkohë, pavarësisht përpjekjeve të gazetës, ka qenë e pamundur të kontaktohen disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Ministri Bogdanoviq ka bërë apel te KFOR-i, UNMIK-u dhe EULEX-i që “të ndërmarrin masa shtesë për të siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”. Në konferencën për media të mbajtur pas këtyre takimeve, Bogdanoviq ka kërkuar nga misionet ndërkombëtare që të “mos lejojnë provokimet dhe eskalimet e konflikteve nga ana e shqiptarëve”...

KOHA DITORE
Zona më e ndjeshme sa i përket sigurisë, Lagjja e Boshnjakëve, në veri të Mitrovicës, të dielën, ka pasur disa grupe rojash të ndryshme: ushtarë të KFOR-it, policë, si dhe grupe të shqiptarëve dhe serbëve. Ata kanë qëndruar në vende të ndryshme të kësaj lagjeje, në një hapësirë prej rreth 50 metrave katrorë. Përfaqësuesit e banorëve shqiptarë të veriut thonë se banorët janë vetorganizuar dhe bëjnë rojë gjatë natës, meqë nuk kanë besim tek policët e Stacionit të veriut. Ata kërkojnë që atje të jenë të pranishme njësitet speciale të Policisë së Kosovës, si dhe kërkojnë kompensimin e dëmeve që kanë pësuar nga dhuna e strukturave të organizuara të Serbisë... Ndërkaq, përfaqësuesit serbë të tubuar rreth Këshillit Nacional Serb, kanë kërkuar nga KFOR-i që të vendosin pika kontrolli të përhershme në vija që ndajnë sipas përkatësisë etnike, mes shqiptarëve dhe serbëve...

KOSOVA SOT
Nëse viti që lamë pas ishte vit i konsolidimit të strukturës diplomatike, ky vit pritet të jetë ai i forcimit të pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare me njohje të reja... Një çështje tjetër, me të cilën do të përballet Kosova, është GJND-ja, për të cilën ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, siguroi se janë duke punuar intensivisht që deri më 17 prill të dorëzojnë deklaratën me shkrim. “Janë duke u bërë të gjitha veprimet e duhura që në këtë gjykatë Kosova ta shtrojë çështjen e vet në mënyrën më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse të mundshme”, tha ai, pa dhënë ndonjë hollësi rreth përmbajtjes së deklaratës. Kreu i diplomacisë kosovare tha më tej se vitin e ardhshëm Kosova do të hapë ambasada edhe në shumë vende të tjera, por me një proces të ngadalësuar për shkak të buxhetit të vogël të kësaj ministrie...

INFOPRESS
Viti i ri do të shënojë fillimin e një “lufte” të re diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë. Me të hyrë në 2009 kanë nisur paralajmërimet për një fushatë të ngjeshur diplomatike të të dyja vendeve. Nga njëra anë, Republika e Kosovës që do të vazhdojë përpjekjet për të shtuar numrin e njohjeve dhe nga ana tjetër, Serbia që përpiqet të stopojë njohjet dhe të “delegjitimojë” pavarësinë e Kosovës pa zgjedhur mënyrë apo mjet të arsyeshëm. Kjo ofensivë aspak e ndershme e Serbisë i ka shtyrë diplomatët e Kosovës që të kërkojnë nga homologët e tyre serbë të mos shkaktojnë probleme dhe të bashkëpunojnë në fushat me interes të të dyja vendeve. “Kosova nuk pret njohje të shpejtë të pavarësisë nga Serbia, të cilës nuk i ka dërguar as kërkesën për njohje, por pret që Beogradi të mos hapë probleme dhe të bashkëpunojë me Kosovën, si dy vende të pavarura, në fusha të interesit të përbashkët”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni...

ZËRI
Janë tri segmente të rëndësishme, dikush do t’i klasifikonte ato, e shumëkush do t’i vlerësonte me peshë të njëllojtë, kur bëhet fjalë për rolin e misionit të EULEX-it në Kosovë. Segmenti i parë tashmë është bërë realitet: ai i lansimit të këtij misioni më 9 dhjetor të vitit të shkuar dhe shtrirja e tij në gjithë territorin e Kosovës. S’ka dyshim se ky është një aspekt shumë i veçantë për EULEX-in dhe për vetë kosovarët, sepse Kosovës i duhet EULEX-i kudo, në të gjitha anët, për të gjithë qytetarët. Së dyti, është ai që përkon me mandatin e këtij misioni të BE-së, në të cilin marrin pjesë edhe pesë shtete që nuk janë anëtare të BE-së. Qëndrimet e autoriteteve më të larat ët Brukselit për mandatin e EULEX-it lidhen veçmas për vendimin e 4 shkurtit 2008, i cili, megjithëse nuk i referohet propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, do të mjaftonte që policët, gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it të kryejnë punën e tyre për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë...

BOTA SOT
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula, flet për projektet e këtij viti, duke premtuar më shumë energji, menaxhim më të mirë të ndërmarrjeve publike nën varësinë e kësaj ministrie, si dhe të mirat që do të vijnë nga privatizimi i tyre në të ardhmen. Ndërkohë pret vetëm të konsolidohet aspekti ligjor në vend për të ndërhyrë edhe atje ku nuk kanë mundur për afro dhjetë vjet pas dëbimit të okupatorit serb nga Kosova, t’i kthejnë konsumatorët e energjisë, pa dallim, në pagues të rregullt të faturave. “Serbët janë konsumatorë si të gjithë të tjerët. Vështirësitë rreth pagesës së energjisë janë të lidhura me zbatimin e ligjshmërisë në vend. Me vendosjen e ligjit në enklavat me shumicë serbe, KEK-u pret të zbatohet edhe ligji i obligimeve”, deklaron Shiroka Pula. E megjithatë, ajo hesht në lidhje me faktin se çfarë do të bëhet në të ardhmen me minierën e Trepçës...

LAJM
Situata është e qetë, por e tensionuar në veriun e Mitrovicës. Nga dy shpërthimet që ndodhën u lënduan gjashtë persona dhe u dogjën dy lokale – pronë e shqiptarëve që jetojnë në Lagjen e Boshnjakëve... Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha të dielën se siguria është delikate, përderisa ata që janë përgjegjës për këto incidente , ende nuk janë arrestuar... Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, shprehet mjaft optimist se situata atje do të normalizohet, sidomos pasi ai ka kërkuar masa shtesë të sigurisë... Por, përderisa institucionet e Kosovës bëjnë apel për vetëpërmbajtje të qytetarëve që jetojnë në veri dhe deklarojnë se siguria është në nivel, përfaqësuesit e opozitës i kritikojnë pushtetarët se nuk janë duke vepruar në bazë të ligjit dhe nuk janë duke mbrojtur Kushtetutën e vendit. Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së, thotë se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me forcën e ligjit, në mënyrë që të mbrohet jeta dhe prona e qytetarëve, pavarësisht se çfarë etnie i takojnë apo ku ata gjenden...
XS
SM
MD
LG