Ndërlidhjet

logo-print

Stavileci: Mbetja e UNMIK-ut – konfuzion pushtetesh


Esat Stavileci

Esat Stavileci

“Ky konfuzion bëhet edhe më i madh me synimin e Serbisë, që nëpërmjet zbatimit të 6-pikëshit të OKB-së, të mbetet në garë për pushtet dhe ligj në Kosovë”, thotë akademik Esat Stavileci.






RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Stavileci, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka nisur punën në Kosovë. Si e shihni rolin e këtij misioni?

ESAT STAVILECI
Nisur nga nevoja e vendosjes së rendit dhe të ligjit në Kosovë, misionin e shoh të rëndësishëm.

Mirëpo, për rolin e vërtetë të EULEX-it, ende nuk kam përgjigje të prerë, sepse duhet të pritet se sa do ta ndihmojë shtet-bërjen në Kosovë në përputhje me misionin e mandatuar, që nuk është, siç është thënë prej zyrtarëve tanë, vetëm monitorues e lehtësues, por i veshur edhe në fuqi ekzekutive, veçanërisht në fushat e drejtësisë, gjyqësisë dhe policisë e sigurisë, që ndryshe përbëjnë shtyllat e një shteti të pavarur dhe sovran.

E gjithë kjo i bën institucionet e Kosovës t’i përgjigjen atij dhe jo të kundërtën. Kjo do të thotë se Kosova, ndonëse shtet i pavarur, do të bashkëqeveriset. Mbetja e UNMIK-ut, qoftë edhe të konfiguruar, krijon një konfuzion pushtetesh dhe autorizimesh. Ky konfuzion bëhet edhe më i madh me synimin e Serbisë, që nëpërmjet zbatimit të gjashtëpikështit të OKB-së, të mbetet në garë për pushtet dhe ligj në Kosovë.

Thuhet se EULEX-i mund të ketë kuptim nëse shtrihet në tërë territorin e Kosovës. Por, unë nuk e shoh aty çelësin e problemit. Për mua çelës është nëse ai do të respektojë një realitet të vetëm në Kosovë, pra një pushtet dhe një ligj.

Ndryshe, do t’i hapej rruga bosnjizimit të Kosovës. Nuk mund të shërbejë Kosova gjithmonë për të bërë eksperimente në zgjidhjen e konflikteve, veçanërisht jo në dëm të saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Krahas EULEX-it dhe natyrisht institucioneve vendore, i pranishëm vazhdon të jetë edhe UNMIK-u. Cili mendoni se do të jetë pushteti më vendimmarrës?

ESAT STAVILECI

Keni shtruar një pyetje me plot vend. Kosova është ballafaquar me realitetin e mosfunksionalitetit të shtetit që në lindjen e tij. Kosova, të shprehem në gjuhën e mjekësisë, ka kaluar vetëm fazën e kurimit intensiv, por vazhdon të mbahet në tretman të bashkësisë ndërkombëtare – formalisht e instaluar si prani evropiane, por, faktikisht, si të thuash, filiale e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga e cila do të mbikëqyret misioni i EULEX-it.

UNMIK-u do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë me mandatin e Rezolutës së pashfuqizuar 1244, pavarësisht se çfarë ne mendojmë për të. Në këtë mënyrë, EULEX-i nuk do të jetë pashai i vetëm dhe i fundit në Kosovë. Në këto rrethana më së vështiri do ta kenë institucionet e Kosovës.

Unë mendoj se mostërheqja e UNMIK-ut do të mund të shkaktonte jo vetëm dy realitete paralele të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, por do t’i kontribuonte mungesës së koordinimit të tyre dhe për pasojë do të rriste shkallën e mosfunksionimit të shtetit të Kosovës.

Në këtë mënyrë do të rritej ndërvarësia e institucioneve të Kosovës, qoftë karshi UNMIK-ut, të thuash të dobësuar, qoftë karshi EULEX-it jo plotësisht të lirë për të vepruar veçanërisht aty ku prania e tij do të mund të mënjanonte dualitetin e qeverisjes.

Druaj që, të shprehem figurativisht, UNMIK-u do të mbetej serb, EULEX-i do të bëhej shqiptar, sepse ekziston një përplasje autorizimesh në mes të OKB-së dhe EULEX-it, sado që për të botërisht nuk bëhet fjalë. Druaj po ashtu që vendosja e EULEX-it nën ombrellën e UNMIK-ut do të jetë, të thuash ndoshta një taktikë tjetër për ndarjen etnike të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kushtetuta e Kosovës edhe më tutje nuk po zbatohet në gjithë territorin e vendit. Në anën tjetër thuhet se edhe më tutje vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele serbe. A mendoni se nga kjo gjendje mund të krijohet ndonjë ndarje etnike?

ESAT STAVILECI
Shumë flitet se nuk do të ndodhë ndarja, mirëpo asgjë nuk ndërmerret që të ndodhë bashkimi. Nuk ka një projekt serioz për këtë dhe druaj se me heshtje po i marrim përgjigjet për veriun e Kosovës. Nuk mjafton të premtohet se nuk do të lejojmë të ndodhë diçka që tashmë ka ndodhur ose po ndodh.

Edhe pse sikur të gjithë të deklarohen kundër ndarjes etnike, ajo ka trokitur në derë prejse është sajuar modeli i decentralizimit me petkun etnik, prapa të cilit fshihet synimi i Serbisë për territorializimin etnik të Kosovës.

Vetë ndarja eventuale e autorizimeve të UNMIK-ut dhe të EULEX-it dhe krijimi i dy realiteteve ndërkombëtare do të trimëronte dhe do të nxiste veprimin e strukturave paralele, që do të shënonte jo vetëm sugjerimin e ndarjes, por edhe hyrjen për ligjin e saj.

Qëllimi i Serbisë është i qartë – të ruhet kontrolli i plotë mbi veriun e Kosovës e të sigurohet bashkëqeverisje me institucionet e Kosovës në të ashtuquajturat komuna me shumicë serbe, që do të dilnin nga projekti i decentralizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se do të jenë sfidat përballë institucioneve të Kosovës në vitin 2009?

ESAT STAVILECI
Kosova do të përballet me shumë sfida, as të lehta, as menjëherë të kapërcyeshme; ndoshta jo modeste. Po shkruaj një libër me titull “Çka pas pavarësisë?”. Po përpiqem që në të t’u përgjigjem shumë pyetjeve të hapura, sepse mendoj se Kosova duhet të dalë nga inkubatori dhe të pushojë të marrë infuzion, në mënyrë që në të të mos krijohet një mentalitet i ri varësie nga ndërkombëtarët.

Unë nuk jam me vokacion ekonomist, por më shqetëson shumë gjendja në këtë fushë. Në Kosovë jetohet nga tregtia, e jo nga ekonomia. Sundimi i ligjit përbën sfidën e dytë të madhe. Nëse nuk do të ndërtohet shteti i së drejtës, Kosovën do ta kërcënojë rreziku që të bëhet një shtet i së padrejtës.

Integrimet evropiane dhe veri-atlantike përbëjnë një objektiv tjetër për Kosovën. Shkalla ende e ultë e njohjeve të Kosovës do të mund të zvarriste aderimin e saj në mekanizma të rëndësishëm ekonomikë dhe politikë ndërkombëtarë.

Po përpiqem që përgjigjen në këtë pyetje ta përmbyll në pesë pika. Së pari, Kosova duhet t’i marrë përgjegjësitë e plota për ta qeverisur veten. Së dyti, Kosova duhet të shtrijë pushtetin, kontrollin dhe ligjin në gjithë territorin e saj. Së treti, Kosova duhet të sigurojë supermacionin e Kushtetutës së saj ndaj rregullave të tjera, sepse, sipas mendimit tim, plani i Ahtisaarit nuk mund t’i qëndrojë si pranga në këmbë.

Së katërti, Kosova duhet të përqafojë vlerat e demokracive perëndimore. Së pesti, Kosova duhet të vishet me subjektivitet të plotë politik, juridik, kushtetues e ndërkombëtar dhe përfundimisht Kosovës i duhet shikimi me sy përpara, jo për të harruar të kaluarën, por për të ndërtuar të ardhmen.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG