Ndërlidhjet

logo-print

Këto ditë pritet që Qeveria e Kosovës të marrë vendim për ndalimin e hyrjes së mallrave nga Serbia dhe Bosnja në Republikën e Kosovës. Komuniteti i biznesit, me gjithë humbjet që mund t'i pësojë nga kjo ndalesë, e mbështet këtë vendim të Qeverisë.


Qeveria e Kosovës shumë shpejt mund t'i kundërpërgjigjet Serbisë dhe Bosnjës me masa të njëjta, duke ndaluar hyrjen e mallrave të këtyre shteteve në Kosovë.

Kjo mund të ndodhë nëse këto dy shtete vazhdojnë të bllokojnë hyrjen në territorin e tyre të mallrave kosovare, që mbajnë vulat e Republikës së Kosovës dhe nëse nuk ka ndonjë lëvizje në zgjidhjen e problemit nga Sekretariati i CEFTA-s.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, shpjegon:

"Në momentin kur përfundimisht nuk do të marrim një përgjigje pozitive nga këto instrumente, atëherë ne besojmë se do të procedojmë me marrjen e një vendimi politik që t’i bllokojmë mallrat me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja gjithashtu për aq kohë sa edhe ata i bllokojnë mallrat me prejardhje nga Kosova. Kjo nënkupton se vendimi do të merret në momentin e duhur, që besoj se nuk do të marrë më shumë se disa ditë", tha Krasniqi.

Me vendimin e tyre për bllokimin e mallrave të Kosovës, Serbia dhe Bosnja kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-s për tregti të lirë, nënshkruese të së cilës janë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë njofton se i ka bërë të gjitha përgatitjet teknike për të ndaluar futjen e mallrave të Serbisë në Kosovë.

Ministri Lutfi Zharku i tha Radios Evropa e Lirë përmes postës elektronike se Sekretariati i CEFTA-s është informuar me kohë mbi problemet në eksportet e mallrave kosovare.

"Përgjigjja e tyre ka qenë se kjo është çështje politike dhe nuk mund të na ndihmojnë", ka thënë Zharku.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thotë se nëse dialogu nuk jep rezultat, atëherë komuniteti i biznesit mbështet vendimin eventual të Qeverisë për bllokimin e mallrave serbe dhe boshnjake.

"Ne duhet edhe më tutje t’i shqyrtojmë mundësitë, le të themi diplomatike të zgjidhjes së këtij problemi. Nëse kjo nuk funksionon, atëherë biznesi fuqishëm e përkrah çdo vendim të Qeverisë në drejtim të mbylljes së kufirit me Serbinë dhe me Bosnjën",
tha Beqaj.


Ndërsa, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se masat e reciprocitetit janë të detyrueshme, në mënyrë që të mbrohen bizneset kosovare.

"Tashmë Kosova është duke humbur miliona euro, për arsye se nuk mund të lejohen nga ana e Serbisë këto mallrat e Kosovës të kalojnë transit. Dhe nëse ndodh kjo, që është një vendim goxha i vështirë të merret, atëherë efektet negative do të jenë nga të dyja anët", tha Shahini.

Ndryshe, vitin e kaluar, në Kosovë janë importuar mallra nga Serbia në vlerë prej më shumë se 200 milionë eurosh, ndërsa eksporti kosovar në këtë shtet ka kapur vlerën 2 milionëshe. Besim Beqaj thotë se është ekonomia serbe, ajo që do të humbë nga kjo bllokadë, sepse tregu kosovar do të gjejë rrugë alternative.

"Në një treg të hapur, çdo gjë është e zëvendësueshme. Ka gatishmëri edhe nga afaristë maqedonas, nga ata të Shqipërisë, Malit të Zi, por edhe nga Turqia dhe vendet tjera, që në një periudhë shumë të shkurtër të behët zëvendësimi i produkteve me prejardhje nga Serbia", tha Beqaj.

Që nga 3 dhjetori, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në doganat e Kosovës.

Po ashtu, mallrat me këtë vulë nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër Serbi, ndërsa prodhuesit kosovarë rrezikojnë t'i humbin tregjet me këto vende.

Kosova, sikurse edhe Serbia e Bosnja janë nënshkruese të marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA, e cila ka gjithsej 8 anëtarë. Por, në emër të Kosovës ka nënshkruar përfaqësuesi i UNMIK-ut, ndërkohë Serbia njeh ende si autoritet legal në Kosovë UNMIK-un, ndërsa bazë legale Rezolutën 12 44.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG