Ndërlidhjet

logo-print

“Prishtina: Beogradi po destabilizon Kosovën”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Forcat politike parlamentare, sidomos ato opozitare, e kanë fokusuar vëmendjen në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Teksa krahu opozitar insiston në mbajtjen edhe të zgjedhjeve të përgjithshme, të mëdhenjtë e politikës parlamentare kanë përjashtuar mundësinë e mbajtjes së tyre, duke u përqendruar vetëm në ato lokale. Presidenti Fatmir Sejdiu, në intervistën dhënë gazetës, ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. “Është një cikël normal i zgjedhjeve lokale më 2009. Ndërsa, zgjedhjet e reja nuk parashihen, sepse është një cikël 4-vjeçar i ndërtimit të institucioneve dhe ky ndërtim i institucioneve, me zgjedhjet e vitit të kaluar, është bërë mbi bazën e pakos Ahtisaari”, ka thënë presidenti Sejdiu... Njësoj është shprehur edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili i është referuar Kushtetutës së Kosovës. “Duhet të mësohemi t’i referohemi Kushtetutës për proceset politike, e jo vullneteve të ngushta grupore”, tha Thaçi. Sa u përket zgjedhjeve lokale, të gjitha forcat politike thonë se janë në vazhdën e përgatitjeve, të cilat do të finalizohen në mars të këtij viti...

ZËRI
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi pritet që ta ftojnë shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier, për t’i kërkuar sqarime lidhur me dialogun Prishtinë – Beograd, për të cilin shefi i administratës së OKB-së thotë se po angazhohet që të zhvillohet së shpejti. Autoritetet në Prishtinë thonë se nuk e kanë idenë se për çfarë po flet Zannier, pasi që ai nuk i kishte njoftuar paraprakisht institucionet vendore për këtë dialog. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha dje se deri më tani nuk ka asnjë ofertë zyrtare nga ana e UNMIK-ut apo dikujt tjetër lidhur me këtë dialog. “Presidenti dhe kryeministri do të thërrasin Zannierin dhe do ta pyesin se çka po pëshpëritet për këtë çështje”, tha Kuçi. “Por, duhet sqaruar se nëse mendohet se bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me statusin, me sovranitetin dhe çështje të ngjashme, ato bisedime nuk është e mundur që të mbahen...”, deklaroi zëvendëskryeministri Kuçi...

BOTA SOT
Mesazhi më i mirë për paqen do të ishte arrestimi i keqbërësve, në të kundërtën ata do të trimërohen, vlerësoi kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, në takimin e të hënës të Komitetit për Siguri i Kuvendit të qytetit. Kryetari Rexhepi tha se grupe të caktuara dhe të organizuara serbe në veri të qytetit janë duke shkaktuar incidente, me qëllim të tensionimit të situatës, ku më pastaj pësojnë banorët e pafajshëm. Kryetari Rexhepi edhe kësaj radhe apeloi për vetëpërmbajtje të popullatës në atë pjesë të qytetit, ku përballen me provokime të përditshme. “Banorët duhet të bashkëpunojnë me KFOR-in dhe EULEX-in, në mënyrë që këtyre strukturave të sigurisë t’u lehtësohet veprimi dhe kryerja e përgjegjësive që kanë”, tha ai...

KOHA DITORE
Katër ditë pas përleshjeve në veriun e Mitrovicës, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës ia kanë hedhur fajin Beogradit zyrtar për tentativë të destabilizimit të Kosovës dhe për krijim të imazhit të keq të shtetit të ri në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka akuzuar drejtpërsëdrejti autoritetet e Beogradit për shkaktimin e këtyre trazirave në qytetin që vazhdon të jetë i ndarë etnikisht që nga paslufta. “I gjithë angazhimi i Serbisë është për të bërë instruksione të ndryshme për Kosovën, duke instrumentalizuar qytetarët serbë të Kosovës, me qëllimin e vetëm për të dhënë një pasqyrë para opinionit ndërkombëtar se gjoja Kosova nuk prodhon siguri, është një vendi pasigurt. Kjo në fund të fundit është një politikë e vjetër serbe, ndoshta që nga koha e Çubriloviqit”, ka thënë Krasniqi, duke komentuar ngjarjet atje...

EPOKA E RE
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar të hënën hapjen e tre nënstacioneve policore në pjesën veriore të Mitrovicës, në Lagjen e Boshnjakëve, në Suhodoll dhe në fshatrat e Leposaviqit, për ta mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë... “Hapja e tre nënstacioneve policore në veri do të ishte ndihmesë për të garantuar siguri dhe për të mos ndodhur incidente të tjera. Ky veprim ka mundësi të zhvillohet në harmoni me EULEX-in që është i pranishëm në veri, me forcat e KFOR-it po ashtu, në mënyrë që një pjesë e asaj që quhet rend, të ndodhë drejtpërdrejt dhe të garantohet prona, jeta e njerëzve, por edhe të evitohen incidentet e mundshme çfarë i kemi parë në këtë kohë”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se taktika e vendosjes së këtyre nënstacioneve është përdorur edhe më herët...

LAJM
Pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) janë në pritje të zarfeve që përmbajnë përgjigjen që do ta definojë statusin e tyre të ardhshëm. Ndonëse s’ka ndonjë datë të caktuar, brenda janarit do të dihet vendimi përfundimtar, i cili njëkohësisht do të shënojë edhe shpërbërjen definitive të TMK-së. Zyrtarët e kësaj trupe nuk janë në dijeni për ditën e saktë të shpërbërjes së TMK-së, por presin që ky proces të përfundojë brenda këtij muaji. Enver Dugolli, zyrtar për informim, tha të hënën për “Lajm” se janë duke pritur vendimin nga strukturat më të larta për shuarjen e TMK-së. “Janë strukturat e NATO-s, të Ministrisë së FSK-së dhe TMK-së ato që marrin vendimin për shpërbërje. Po ashtu do të bëhet i ditur edhe seleksionimi i pjesëtarëve të TMK-së që do të jenë në FSK”...

INFOPRESS
Dy ditë pas ngjarjeve në Mitrovicë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë vendosur të kompensojnë dëmet që u janë shkaktuar pronarëve të lokaleve në pjesën veriore të Mitrovicës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim të hënën në Prishtinë që të ndajë shumën prej 100 mijë eurove, në mënyrë që të kompensohen dëmet e shkaktuara. “Me rastin e dëmeve të shkaktuara në lokalet e pronarëve dhe bizneseve private në Mitrovicë, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori vendim për ndarjen e 100 mijë eurove për kompensim të dëmeve”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të kryeministrit... Ndryshe, të hënën paradite, udhëheqësit e institucioneve kanë diskutuar për gjendjen në veri...

EXPRESS
Dy subjektet që duhet të sigurojnë furnizim të rregullt me energji elektrike, reciprokisht akuzohen për reduktimet që po ndodhin. Zyrtarët të Operatorit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) pohojnë se kanë shpërndarë tërë energjinë që e kanë pasur në dispozicion nga Korporata e Energjisë (KEK). Ndërkaq, prodhuesi i vetëm pohon se shpesh energjinë që kanë pasur është dashur ta dërgojnë në rrjetin ndërkombëtar, përkatësisht në eksport. Askush nga KOSTT-i nuk pranon se KEK-u ka pësuar humbje për shkak të tyre. Madje, as kur është djegur trafoja. “Shpesh kemi pasur energji që nuk kemi mundur ta shpërndajmë për shkak se rrjeti nuk ka përballuar”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala. Ndërkaq, drejtorët e KOSTT-it e pohojnë krejtësisht të kundërtën. “Kemi shpërndarë të gjithë energjinë që e kemi pasur në dispozicion nga KEK-u”, tha drejtori i Departamentit të operatorit të sistemit, Sabri Musiqi. Ai shton se gjatë festës së Vitit të Ri kanë mundur të shpërndajnë më shumë energji se që u ka ofruar KEK-u. “Rrjeti ka mundur të përçojë 958 megavat për orë, ndërkaq KEK-u ka ofruar vetëm 947 megavat për orë”, tha Kadri Kadriu, zëvendësdrejtor për operime në KOSTT. Humbjet eventuale që mund të jenë shkaktuar, ende janë llogaritur...
XS
SM
MD
LG