Ndërlidhjet

Gjykata Kushtetuese fillon punën në janar?


Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të mund të fillojë punën brenda këtij muaji, thonë përfaqësues qeveritarë - përgjegjës për këtë çështje. Ndërkohë, vonesat në kompletimin e këtij institucioni, sipas ekspertëve, do të jenë negative për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë në Kosovë.


Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të mund të inaugurohet gjatë muajit janar, duke vepruar fillimisht me një staf administrativ, i cili pas përzgjedhjes së gjykatësve nga ana e Kuvendit të Kosovës, do të mund të fillojë punën institucioni më i lartë shtetëror për mbrojtjen dhe interpretimin e Kushtetutës dhe të ligjshmërisë, duke trajtuar lëndët e para.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, më 30 dhjetor të vitit të kaluar kishte dekretuar Ligjin për themelimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin grupi i atëhershëm punues për themelimin e këtij institucioni ia kishte dorëzuar më 10 dhjetor.

Ish-udhëheqësi i këtij grupi punues dhe njëkohësisht ministër i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, thotë se ministria që ai drejton tanimë ka bërë gati objektin në të cilin do të funksionojë Gjykata Kushtetuese e Republikës.

"Unë mendoj se Gjykata mund të inaugurohet qysh javën e ardhshme me një staf administrativ dhe lëndët e para do të mund të procedohen te kjo gjykatë. Ndërkaq, është në agjendën e Parlamentit për të caktuar shpejtësinë e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe unë shpresoj që kjo çështje të jetë prioritet gjatë muajit janar. Gjatë muajit janar do të përfundojë dhe zgjedhja e gjykatësve të kësaj gjykate, në mënyrë që kjo gjykatë të kompletohet me stafin e gjykatësve", u shpreh ministri Bajrami.

Plani i presidentit Martti Ahtisaari, mbi të cilin bazohet Kushtetuta e Kosovës, parasheh që Gjykata Kushtetuese të ketë 9 gjyqtarë, të cilët, siç thuhet në dokument, duhet të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë. Gjashtë nga ta do të emërohen nga kryetari me propozim të Kuvendit, ndërsa tre gjyqtarët ndërkombëtarë do të emërohen nga kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ministri Bajrami thotë se tre gjyqtarët ndërkombëtarë tanimë janë përzgjedhur, ndërsa i bën thirrje Kuvendit të Kosovës të përfundojë sa më parë procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve kosovarë.

"Sipas informacioneve tona, tre gjykatësit ndërkombëtarë gati janë përzgjedhur. Faktori ndërkombëtar ka përfunduar procedurat e përzgjedhjes së këtyre tre gjykatësve dhe është shumë me rëndësi që Kuvendi i Kosovës të përshpejtojë me procedura", shtoi ai.

Mirëpo, eksperti ligjor, Riza Smaka, i cili është dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, tërheq vërejtjen se gjatë përzgjedhjes së gjyqtarëve mund të ketë zvarritje, të cilat, sipas tij, janë të pajustifikueshme.

"Vonesa është absolutisht e pajustifikueshme me çfarëdo qoftë. Është vonuar pa nevojë në dizajnimin e projektligjit dhe ligji ende nuk e ka marrë formën përfundimtare aplikative. Mund të pritet se do të ketë zhargitje dhe dualitete sa i përket propozimit dhe emërimit të gjykatësve. Kjo është e panevojshme dhe natyrisht e dëmshme", tha Smaka.

Smaka e vlerëson si të nevojshëm kompletimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese. Çdo vonesë e mëtutjeshme në formimin e këtij institucioni, sipas tij, do të mund të ketë pasoja negative në rendin juridik të shtetit të Kosovës.

"Pasojat janë paligjshmëria. Ka mjaft cenime të dispozitave kushtetuese dhe kur cenohet dispozita e Kushtetutës, cenohet rendi juridik", thekson Smaka.

Lidhur me emërimin e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, ligji për këtë gjykatë parasheh publikimin e një shpalljeje, përmes së cilës u bëhet thirrje institucioneve të caktuara të propozojnë kandidatët për gjyqtarë, të cilët do t'i nënshtrohen vlerësimit të një jurie profesionale.

Kjo juri do të dërgojë listën e kandidatëve të përzgjedhur në Kuvendin e Kosovës, i cili duhet të bëjë përzgjedhjen e gjyqtarëve me një shumicë prej dy të tretave. Akti përfundimtar, sipas ligjit, do të jetë te Presidenti, i cili do t'i dekretojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
XS
SM
MD
LG