Ndërlidhjet

Sejdiu: Serbia synon t’i ndalë proceset


Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti Sejdiu akuzoi Serbinë se do që t’i bllokojë proceset në Kosovë. Komentet vijnë pas letrës së presidentit serb, Boris Tadiq, që u ka dërguar mekanizmave ndërkombëtarë, ku thuhet se shqiptarët po provokojnë konflikt me serbët. Ambasadorja çeke në Kosovë, Janina Hrebickova, tha se Presidenca e BE-së do t'i presë hetimet para se të komentojë letrën.



Republika Çeke, si kryesuese e radhës e BE-së, do të presë rezultatin e hetimeve të incidenteve në veri, para se të marrë qëndrim ndaj letrës së dërguar nga presidenti serb, Boris Tadiq, i cili ka kritikuar shqiptarët se po provokojnë konfliktet me serbët. Këtë e ka bërë të ditur ambasadorja e Republikës Çeke në Prishtinë, Janina Hrebickova.

Presidenti serb, Boris Tadiq, u ka dërguar një letër vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ban Ki Moonit dhe Çekisë - si kryesuese e Bashkimit Evropian, në të cilën ka pohuar se "KFOR-i, EULEX-i dhe UNMIK-u nuk kanë reaguar me kohë dhe nuk kanë evituar sulmet ndaj serbëve në Kosovë".

"Është përgjegjësi e KFOR-it, EULEX-it dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë për t'i hetuar rastet e fundit dhe ne po presim rezultatet e këtyre hetimeve. Pra, përderisa nuk ka rezultate të këtyre hetimeve, ne nuk mund të themi asgjë, sepse ajo do të ishte vetëm një spekulim. Kjo është e para. E dyta ndërkaq, secili vend dhe secila qeveri i kanë pikëpamjet e tyre lidhur me zhvillimet, kështu që Qeveria e Kosovës e ka qëndrimin e saj dhe Qeveria e Serbisë po ashtu", tha Hrebickova, pas takimit që ka pasur me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Hrebickova ka thënë se BE-ja së shpejti do të dalë me një qëndrim lidhur me letrën e presidentit serb.

"Presidenca e Bashkimit Evropian është duke punuar me anëtaret tjera brenda BE-së, por edhe me vendet jashtë saj, për të parë se çfarë qëndrimit duhet mbajtur lidhur me letrën e presidentit Tadiq", ka thënë ambasadorja Hrebickova.

Në letrën e tij, Boris Tadiq kishte thënë se "qëllimi i vërtetë i autoriteteve kosovare dhe ekstremistëve shqiptarë është që përmes dhunës të provokojnë konflikte me serbët, në mënyrë që të pengojnë zbatimin e marrëveshjes gjashtëpikëshe që e kanë realizuar Serbia dhe Kombet e Bashkuara".

Presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka pranuar të komentojë këtë letër, duke thënë se qëndrimi i institucioneve të Kosovës është i qartë.

"S’kemi qëndrim t’i interpretojmë letrat e askujt, në këtë rast as të Serbisë. Ju e dini se përpjekjet e saj janë gjithmonë përpjekje për t’i ndalur proceset. Një gjë mund të them – atë që e themi së bashku – Kosova është e pavarur, Kosova është ndërkombëtarisht e njohur dhe do të ketë njohje të tjera. Kosova mirëpret shtrirjen dhe funksionet e rëndësishme që ka EULEX-i në territorin e saj, pra edhe punën që bën KFOR-i. Mund të them se është një rol i pazëvendësueshëm në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Institucionet e Kosovës do t’i mbështesin dhe është dobi e të gjithëve”, ka thënë presidenti Sejdiu.

Ndryshe, incidentet e javës së fundit në Mitrovicë si pasojë kanë lënë disa persona të lënduar dhe dëmtime në pronën private të qytetarëve.

Autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se do ketë shtim të forcave të sigurisë në këtë pjesë, ku incidentet kanë ashpërsuar raportet ndëretnike, të cilat edhe ashtu vazhdimisht kanë qenë të acaruara.

XS
SM
MD
LG