Ndërlidhjet

Reformat fiskale nuk sjellin investime në Kosovë


Autoritetet kosovare, reformat fiskale, të cilat kanë hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji, i konsiderojnë si një hap të mirë për ekonominë kosovare, ndërkaq ekspertë të ekonomisë thonë se këto reforma janë bërë në mënyrë parciale dhe më tepër për të fituar poena politike, sesa për ndonjë ndryshim esencial sa i përket politikës fiskale.

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë se parimisht Qeveria e Kosovës ka tentuar të bëjë një hap pozitiv në ndryshimin e politikave fiskale, gjë që, sipas tij, tregon se politikat fiskale, të cilat janë zbatuar deri më tani, nuk kanë qenë në funksion të biznesit kosovar dhe për tërheqjen e investitorëve të huaj.

Zoti Limani pohon se e gjithë kjo reformë fiskale është parciale dhe nuk është analizuar në mënyrë të drejtë për t’i parë efektet pozitive dhe negative të rritjes së TVSH-së dhe të zvogëlimit të normës së tatimit në fitim dhe në paga.

"Kjo reformë është bërë në mënyrë parciale më tepër për të fituar poena politike, sesa për ndonjë ndryshim esencial sa i përket politikës fiskale", thotë profesor Limani.

Ndërsa, sa i përket zvogëlimit të normave të tatimit në paga, ai konsideron se edhe këtu nuk është vepruar drejt. Sipas tij, edhe pse është zvogëluar norma e tatimit, përsëri personat që kanë paga më të ulëta, janë më të dëmtuar dhe në këtë drejtim përfitojnë ata që kanë paga më të larta.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se nga 1 janari i 2009-ës, Kosova është në hartën e shteteve me barrë fiskale për të hyrat individuale më të ulëta në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

"E gjithë kjo do t'u mundësojë afaristëve kosovarë dhe të gjitha kompanive vendore dhe ndërkombëtare që të jenë më shumë konkurrente në aspektin e ngarkesës së barrës fiskale dhe Kosovën e bëjnë vend atraktiv për investime", tha Shala.

Por, eksperti i ekonomisë, Limani, vlerëson se për të qenë Kosova atraktive për investitorët e huaj, duhet të shikohet në përfshirjen e të gjitha instrumenteve të politikave fiskale dhe jo ashtu siç është vepruar. Ai thotë se aktualisht situata politike, ajo ekonomike dhe e sigurisë nuk flasin në favor të tërheqjes se investimeve të huaja në Kosovë.

"Investimet e huaja kërkojnë stabilizim politik, stabilizimin e makroekonomisë, stabilizim të energjisë elektrike, sigurinë dhe shumë benificione të politikave fiskale", thotë Limani.

Ndërsa, Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, konsideron se deri para hyrjes në fuqi të këtyre reformave fiskale, Kosova ka pasur ngecje në reformimin e politikës tatimore.

Zoti Keqa vlerëson se reformimi i politikës tatimore do të ndikojë pozitivisht edhe në pagesat më të rregullta të bizneseve kosovare dhe tërheqjen e investitorëve. Gjithashtu, përfaqësuesi i OEK-ut thotë se punëtorët kanë përfituar nga këto reforma fiskale.

"Në tërësi punëtorët kanë përfituar nga kjo zbritje e normave tatimore, mirëpo ata, të cilët kanë të ardhura më të mëdha, kanë përfituar më tepër", thotë Keqa.

Ndryshe, në kuadër të reformave fiskale që kanë filluar të aplikohen në fillim të këtij muaji, të ardhurat deri në 80 euro nuk i nënshtrohen asnjë tatimi. Ndërkaq, ato prej 80 deri në 250 euro do të tatohen me 4 për qind, kurse të ardhurat prej 250 deri në 450 euro do të tatohen me 8 për qind. Të ardhurat mbi 450 euro ngarkohen me tatim 10 për qind.

Në këtë pako të ndryshimeve do të përfshihet edhe ngritja e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 15 për qind në 16 për qind.
XS
SM
MD
LG