Ndërlidhjet

logo-print

"Ringjallet debati për zgjedhjet nacionale"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Partitë në pushtet në Kosovë thonë se nuk shohin asnjë arsye politike apo juridike që votuesit kosovarë të dalin para kutive të votimit gjatë këtij viti për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kanë thënë të martën se Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2009, por partitë opozitare në Kosovë kanë argumente të kundërta. Presidenti Sejdiu thotë se Kushtetuta e Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi në qershor të vitit të kaluar, lejon që zgjedhje të përgjithshme të ketë vetëm dy vjet pas hyrjes në fuqi të saj, përderisa ato lokale nuk pengohen që të mbahen edhe gjatë këtij viti... Nga ana tjetër, partitë në opozitë nuk dëshirojnë t’ua dinë argumenteve të reja të përfaqësuesve të pushtetit në Kosovë. Besnik Tahiri, zëdhënës i AAK-së, thotë se kërkesa e kësaj partie për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare gjatë këtij viti buron nga Propozimi Gjithëpërfshirës i Ahtisaarit për statusin e Kosovës dhe, sipas tij, ka mbështetje juridike, politike dhe etike...

LAJM

Ata që kanë mandat, nuk i zbatojnë planet për Mitrovicën; ata që kanë plan, nuk kanë mandat institucional për ta realizuar atë. Para pak kohësh, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e publikoi strategjinë për integrimin e veriut të Mitrovicës, ndërsa së fundi edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e bëri të njëjtën gjë... Qeveria e “pa plan”, ndërkaq, e ka mirëpritur idenë e liderit të AAK-së, por hëpërhë po e shqyrton, për të parë nëse ka apo jo bazë ligjore për ta marrë në konsideratë. “Çdo plan duhet të ketë mbrojtje ligjore. Ne nuk bëjmë plane jashtë ligjit, jashtë mundësive buxhetore dhe situatës në terren. Kushdo është i mirëseardhur për të dhënë ide të mira për vendin dhe ne nuk i refuzojmë ato. Por, fillimisht e shqyrtojmë bazën ligjore dhe i shikojmë mundësitë tona për realizim. Para së gjithash, jemi për zgjidhje politike nëpërmjet institucioneve të vendit”, tha për “Lajm” zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi...

EXPRESS
Njohje të reja pritet të vijnë në adresë të institucioneve të Prishtinës, përpara që kosovarët të nisin festimet për një vjetorin e lindjes së shtetit të tyre. Dhe, kjo falë miqve të pavarësisë, të cilët po lobojnë tek një numër i konsiderueshëm shtetesh. Një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës, në kusht anonimitetit për Express, ka treguar se David Miliband, ministër i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, u ka dërguar letra 30 homologëve të tij nga vende të ndryshme të botës, ku u sugjeron që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas këtij zyrtari, besohet se shumë prej këtyre vendeve do të përgjigjen pozitivisht, por nuk ka precizuar kohën se kur mund të ndodhë kjo. “Ajo që dihet aktualisht është se deri 10 vende mund ta njohin Kosovën para 17 shkurtit, kur bëhet një vit nga shpallja e pavarësisë”, ka thënë zyrtari i Qeverisë, që foli për Express...

KOHA DITORE
Autoritete të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) kanë konfirmuar fillimin e konsultimeve me spektrin politik kosovar rreth mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të reja nacionale. Por, ata janë treguar të përmbajtur në komentimet nëse do të ketë zgjedhje gjatë këtij viti, duke cilësuar se “nuk do të ishte e shëndetshme të spekulohet” rreth kësaj çështjeje të ndjeshme”. “Mbajtja e zgjedhjeve është një çështje që po diskutohet me institucionet e ndryshme. Deri tani nuk ka ndonjë rezultat të caktuar nga këto bisedime”, ka deklaruar zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffie. Paraprakisht ai ka shpjeguar se kosovarët janë përgjegjës për organizim të zgjedhjeve të reja, ndërkaq kreu i kësaj zyre, Pieter Feith, sipas tij, ka përgjegjësi që të përkujdeset që procesi elektoral të jetë në harmoi me planin e presidentit Ahtisaari. “Është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që t’i organizojnë zgjedhjet. Detyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar është të sigurojë se a bëhen ato në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës për Status”, ka sqaruar McGuffie...

INFOPRESS
Ndërkohë që situata e sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës vazhdon të mbetet e tensionuar, institucionet e Republikës së Kosovës thonë se në bashkëpunim me EULEX-in e KFOR-in janë duke përgatitur planin për vënien e rregullit në këtë pjesë të vendit. Edhe pse ato nuk mund të parashikojnë të ardhmen dhe nuk mund të presupozojnë nëse do të arrihet ndalja e dhunës në veri të Mitrovicës, megjithatë akuzat janë të drejtuara në adresë të politikës serbe, e cila, sipas zyrtarëve institucionalë, ka treguar disponimin e saj destruktiv në raport me Kosovën. Ndërkaq, në kuadër të vlerësimit të situatës së sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës, liderë të institucioneve të Kosovës janë takuar të martën në Prishtinë me udhëheqësit e mekanizmave të sigurisë për të diskutuar gjendjen e sigurisë në vend...

EPOKA E RE
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka deklaruar të martën se në Qeverinë e Serbisë nuk ekziston ideja e ndarjes së Kosovës. Ai ka mohuar se plani 6-pikësh i Beogradit është një hyrje drejt ndarjes. “Po punojmë në krijimin e rrethanave për hapjen e bisedimeve. Për përmbajtjen e tyre do të flasim kur të arrihet deri te bisedimet”, u ka thënë Jeremiq medieve serbe... Ndërkaq, moslejimi i komandantit të KFOR-it për sektorin e veriut, gjeneralit francez, për t’i vizituar zjarrfikësit e lënduar, ka shkaktuar reagime të ndryshme te serbët. Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka vlerësuar se Qeveria e Serbisë duhet të ndërrojë udhëheqjen e spitalit në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak se komandantit të forcave të KFOR-it në veri nuk i është lejuar t’i vizitojë të plagosurit në incidentet e fundit që kanë ndodhur në Mitrovicë. Ivanoviq këtë e ka quajtur skandal diplomatik...

KOSOVA SOT
Ani pse janë shkaktarë të rregullt të incidenteve të dhunshme në veri të Republikës së Kosovës, Serbia e adreson fajin te shqiptarët, ndërsa lidershipi ynë pret të takohet me ndonjë diplomat të vendeve anëtare të BE-së, për të shprehur reagimet e tij. Letra e presidentit serb, Boris Tadiq, drejtuar Brukselit, ku akuzohen shqiptarët e Kosovës, nuk është vetëm shprehje e “ndjenjës separatiste” siç e komentoi presidenti ynë Sejdiu. Ky veprim është pjesë e garës për të denoncuar pavarësinë dhe nxjerr në pah pozitën ende inferiore të shtetit kosovar përballë BE-së. Autoritetet tona kanë ftuar një mision evropian për të dhënë mbështetje në zbatimin e ligjit, ndërsa efikasiteti i tij ende nuk shihet. Një plan gjashtëpikësh, që është edhe argument në letrën e Tadiqit, e komplikoi në fundvitin e shkuar vendosjen e EULEX-it, ndërsa tash po shihen pasojat në terren dhe në fushatën propagandistike që ndjek fqinji i keq, Serbia. Ajo që në fakt ka arsye të forta jo vetëm për t’i shkruar Brukselit, por edhe për të protestuar, është Kosova...
XS
SM
MD
LG