Ndërlidhjet

Nga se rrezikohet siguria?


Nga incidentet e fundit në Lagjen e Boshnjakëve, 3 janar '09.
Nga incidentet e fundit në Lagjen e Boshnjakëve, 3 janar '09.

Zyrtarë kosovarë akuzojnë Beogradin se përmes strukturave paralele të sigurisë po nxit tensione ndëretnike. Ndërkaq, ekspertët thonë se vonesa në krijimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ka ndikim në këtë sferë.



Ditët e fundit kanë shënuar incidente të vazhdueshme ndëretnike në veriun e Mitrovicës, të cilat si pasojë kanë lënë disa persona të lënduar dhe dëmtime në pronën private të qytetarëve.

Institucionet e Kosovës akuzojnë Beogradin, se përmes strukturave paralele në veriun e Kosovës synon destabilizimin e situatës, në mënyrë që të pengojë ecjen përpara të shtetit kosovar.

Në një takim të përbashkët, zyrtarët më të lartë të Kosovës, përfaqësues të lartë të EULEX-it, të KFOR-it dhe të zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar kanë konstatuar se "është e nevojshme që të vazhdojë koordinimi i të gjithë mekanizmave të sigurisë dhe i institucioneve vendëse, në mënyrë që situata në veriun e Kosovës të mbahet nën kontroll dhe të parandalohen veprimet e atyre që kanë për qëllim destabilizimin dhe krijimin e tensioneve në Kosovë”.

Por, ekspertët kritikojnë edhe institucionet kosovare për neglizhencë në krijimin e mekanizmave të sigurisë, të paraparë me Kushtetutën e Kosovës.

Ata mendojnë se incidentet me karakter ndëretnik në veriun e Kosovës do të mund të ishin evituar, po qe se do të funksiononte Agjencia Kosovare e Inteligjencës. Në këtë kuadër, eksperti Fadil Kajtazi thotë se vonesa në emërimin e drejtuesve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës jo që është tejzgjatur, por ka kaluar çdo kufi.

"Prej miratimit të Kushtetutës – çdo ditë që ka kaluar, ka pasur efektet e veta negative. Sidomos ngjarjet në veri të Mitrovicës janë ngjarjet që e vërtetojnë këtë, për arsye se sikur të kishte ekzistuar AIK, me siguri Policia e Kosovës dhe organet tjera qeveritare, si dhe ato ndërkombëtare që merren me sigurinë e Kosovës, do të kishin një informacion paraprak, i cili do të sinjalizonte për incidentet që po ndodhin tani, por edhe për ato që do të ndodhin në të ardhmen. Faktet vërtetojnë se jemi vonuar",
thotë Kajtazi.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se, megjithatë, edhe pala kosovare bart pjesën e saj të përgjegjësisë. Ai thotë se mungesa e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ka lënë boshllëk të madh në sistemin e sigurisë.

"Situata në veriun e Kosovës është shumë e qartë, meqë dihet se në këtë ndikojnë negativisht strukturat paralele të krijuara nga Serbia. Në fakt, nuk janë vetëm strukturat, por ka edhe individë që janë të përfshirë në incidente. Por, pa marrë parasysh këtë, moskrijimi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ka krijuar një boshllëk të madh në sistemin e sigurisë e me këtë edhe moskrijimi i Këshillit të Sigurisë së Kosovës", tha Ibishi.

Ndryshe, Fadil Kajtazi pranon se provokimet nga Serbia nuk do të pushojnë, derisa të mos njihet pavarësia e Kosovës nga ky shtet. Por, të paktën, po qe se Kosova do të kishte të ngritur shërbimin informativ, atëherë, sipas tij, do të dihej se çfarë veprimesh antiligjore do të ndërmerren në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës.

"Nuk do të kishim përshkallëzim të situatës deri në këtë masë çfarë e kemi tani. Në momentin që fillon hedhja e bombave, djegia e lokaleve, sulmet fizike – kjo veç është një paralajmërim i keq, se shkalla e sigurisë në një territor siç është pjesa veriore e Mitrovicës, është serioze", thotë Kajtazi.

Por, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, hedh poshtë këto kritika. Ai vonesat në krijimin e AKI-së dhe të Këshillit të Sigurisë së Kosovës i arsyeton me faktin se, siç thotë, nuk ka mundur të bëhet shpejt përzgjedhja, meqë të dyja këto institucione janë shumë të rëndësishme.

"Ne kemi qenë shumë të vetëdijshëm për rëndësinë, për këtë arsye kemi pasur një vonesë në përzgjedhjen e udhëheqësve të agjencisë, pikërisht për arsye se është një çështje shumë e rëndësishme dhe nuk mund të bëhet shkel e shko, sa për të thënë se është bërë shpejt. Është shumë më e rëndësishme që të bëhet përzgjedhja e duhur, për këtë arsye ka pasur një zgjatje në procesin e përzgjedhjes nga ana e kryeministrit dhe presidentit të vendit", thotë Krasniqi.

Krasniqi thotë se janë në përfundim e sipër konsultimet mes presidentit e kryeministrit për emërimin e udhëheqësve të AKI-së. Ndërsa, sa i përket Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Krasniqi shpreson se gjatë këtij muaji mund të mbahet mbledhja konstituive e këtij këshilli.
XS
SM
MD
LG