Ndërlidhjet

Serbët: Mitrovica implikon vendbanimet tjera


Ura qendrore në Mitrovicë
Ura qendrore në Mitrovicë

Duke iu referuar incidenteve të fundit në Mitrovicë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se përgjegjësia për këto zhvillime bie mbi autoritetet ndërkombëtare, si EULEX-i dhe KFOR-i, por edhe mbi liderët politikë në Prishtinë dhe në Beograd. Sipas tyre, vazhdimi i incidenteve në Mitrovicë mund të implikojnë zhvillime të ngjashme edhe në pjesët tjera të banuara me serbë.


Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kërkojnë nga autoritetet ndërkombëtare të sigurisë që t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe t’i ndriçojnë rastet e fundit të incidenteve në Mitrovicë. Ndërkohë që kërkohet po ashtu edhe shtimi i masave të sigurisë nëpër vendbanimet serbe.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se procesi i transferimit të përgjegjësive nga UNMIK-u tek EULEX-i i ka edhe pasojat e veta në fushën e sigurisë, pasi që aktualisht, sipas tij, ka një vakuum dhe nuk dihet se kush është përgjegjës nëpër fusha të caktuara.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i zbulojnë nxitësit e këtyre trazirave dhe destabilizimeve dhe këtë në radhë të parë presim që ta bëjë UNMIK-u, por edhe EULEX-i, i cili ka premtuar se garanton një stabilitet në Kosovë”, thotë Veliq.

Sipas tij, një rol të veçantë këtu mund ta luajë edhe KFOR-i.

Ndërkaq, Nenad Radosavleviq, një përfaqësues tjetër serb nga Leposaviqi, thotë se EULEX-i tashmë i ka marrë përgjegjësitë dhe nuk mund t’u ikë obligimeve që ka marrë në Kosovë.

“EULEX-i e ka marrë përgjegjësinë për sigurinë; kjo u përket forcave policore dhe gjykatave. Krejt ajo që ndodh, bie mbi supet e tyre dhe EULEX-i nuk mund t’i ikë kësaj përgjegjësie dhe ta drejtojë gishtin kah dikush tjetër”, thotë Radosavleviq.

Sipas tij, në gjithë këtë kaos, përgjegjës janë edhe shqiptarët dhe serbët, pjesëmarrës në incidente, si dhe liderët politikë në Prishtinë dhe ata në Beograd.

Ndërsa, Dragan Veliq thotë se destabilizimet e fundit janë dëshmi se ende duhet kërkuar zgjidhje për Mitrovicën, por edhe për Kosovën. Vazhdimi i një gjendjeje të tillë tensioni në Mitrovicë, thekson Veliq, do të implikojë zhvillime të ngjashme edhe nëpër viset tjera të banuara me serbë, duke e nxjerrë sërish ndarjen e Kosovës si opsion.

“Nëse dikush synon që përmes destabilizimit dhe trazirave të vijë deri te ndonjë zgjidhje, e cila mund t’i ngjajë edhe ndarjes, mendoj se ky është një projekt shumë i rrezikshëm që nuk do të sjellë kurrfarë zgjidhjeje”, thotë Veliq.

Ndërkohë, Nenad Radosavleviq vlerëson se moszgjidhja e problemit të Mitrovicës ka lënë mundësi që atje, kohë pas kohe, të ketë kaos dhe anarki që prodhon destabilizim të vazhdueshëm.

“Duhet gjetur zgjidhje pragmatike nëse ka vullnet të mirë dhe nuk duhet të shkohet në zgjidhjet përfundimtare, qoftë në ndarje apo në administrimin e plotë të Mitrovicës nga ana e Prishtinës. Mund të gjendet një zgjidhje kompromisi ndërmjet Prishtinës e Beogradit përmes Këshillit të Sigurimit”, thotë Radosavleviq.

Sidoqoftë, ai tërheq vërejtjen se ky problem mund të shfrytëzohet nga, siç thotë ai, ekstremistët, të cilët do të mund ta drejtonin procesin kah ndarja dhe dhuna.
XS
SM
MD
LG