Ndërlidhjet

Serbia dëshiron të diskreditojë EULEX-in


Nga incidentet e fundit në Lagjen e Boshnjakëve.

Nga incidentet e fundit në Lagjen e Boshnjakëve.

Incidentet e fundit në veri të Kosovës kanë për qëllim sfidimin e autoriteteve kosovare dhe ndërkombëtare që veprojnë atje, thonë analistët. EULEX-i thekson se do të vazhdojë të mbështesë Policinë e Kosovës për mbajtjen nën kontroll të situatës së sigurisë në Mitrovicë, ku të martën kanë vazhduar incidentet.


Serbia dëshiron të diskreditojë misionin e Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi në Kosovë, duke destabilizuar situatën e sigurisë në qytetin e Mitrovicës, në veri të Republikës.

Këtë vlerësim e japin analistët në Prishtinë, sipas të cilëve, incidentet e fundit që ndodhën në veri të Mitrovicës, mund të çojnë në eskalim të situatës, po qe se nuk merren masa preventive dhe nuk krijohen strategji adekuate nga mekanizmat veprues në këtë pjesë.

Analisti për çështje politike dhe të sigurisë, Lulzim Peci, thotë se planet e Beogradit zyrtar për pjesën veriore të Kosovës kanë për qëllim ndarjen e vendit.

"Serbia e ka pranuar deklarativisht EULEX-in, por, në anën tjetër, është shumë e interesuar që ta diskreditojë atë. Diskreditimi i EULEX-it do të nënkuptojë diskreditimin e qeverisjes në Kosovë. Në anën tjetër, Serbia tenton që përmes kësaj strategjie ta bëjë zonën e veriut një lloj zone me status special, që si qëllim të fundit mund ta ketë vetë ndarjen e Kosovës", shprehet Lulzim Peci.

Zyrtarë të misionit EULEX nuk i kanë cilësuar si kërcënuese për mandatin e këtij misioni incidentet e fundit në veri, duke siguruar se EULEX-i është i gatshëm të veprojë në përputhje me obligimet që ka ky mision në tërë territorin e Kosovës.

EULEX, kohë më parë, kishte lëshuar një deklaratë për media, ku thuhej se pjesëtarët e policisë së këtij misioni, në bashkëpunim me ushtarët e KFOR-it, do të vazhdojnë ta mbështesin Policinë e Kosovës për ta mbajtur rendin publik në qytetin e Mitrovicës.

Mirëpo, përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se e vetmja mënyrë për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë në veri, është ndalimi i hyrjes së armatimit nga Serbia për në Kosovë - armatim ky i cili, sipas kryetarit të Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme, Rrustem Mustafa, u mundëson serbëve në veri të shkaktojnë trazira.

"Tash e shohim lehtë se armatimi dhe municioni nuk fluturon në veri të Kosovës, por vjen përmes lidhjeve të komunikimeve. Pra, jemi në një pozitë ku e dimë që shteti fqinj është nisur dhe krejt çka mund të bëjnë institucionet e vendit, bashkë me përgjegjësit për sigurinë e vendit - KFOR-in dhe NATO-n, është paralizimi i këtyre nismave dhe ndalimi i zhvillimit të tyre", thotë Mustafa.

Vargu i incidenteve që kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të qytetit të Mitrovicës ka vazhduar të martën mbrëma, ku në fshatin Suhodoll janë dëmtuar dy vetura civile, njëra pronë e një serbi dhe një tjetër pronë e një shqiptari.

Pas kësaj ngjarjeje, banorët shqiptarë dhe serbë të fshatit Suhodoll kishin bllokuar rrugën kryesore të këtij fshati, mirëpo Policia e Kosovës thotë se situata aktuale, ndonëse e tensionuar, është nën kontrollin e mekanizmave të sigurisë që veprojnë atje. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, sqaron:

"Situata aktuale është e qetë. Nuk ka ndonjë problem, por natyrisht se është e tensionuar që nga 30 dhjetori i vitit të kaluar, ku kishin filluar incidentet e para. Mirëpo, ne kemi forca të mjaftueshme policore, EULEX-in dhe KFOR-in, në mënyrë që të parandalojmë që të bëhet një gjë e tillë, por në rast se ndodh, të jemi në gjendje që të reagojmë", thekson Elshani.

Qeveria e Kosovës, ndërkohë, akoma nuk ka dalë me një strategji konkrete për instalimin e autoritetit në pjesën veriore të Kosovës. Përfaqësues të opozitës kishin propozuar shtimin e nënstacioneve policore në veri, si hap për mbajtjen nën kontroll të situatës atje, gjë që ishte hedhur poshtë nga zyrtarë qeveritarë, sipas të cilëve, hapja e nënstacioneve policore kudo në Kosovë nuk është vendim politik, por bëhet sipas nevojave të komunitetit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG