Ndërlidhjet

Zyrtarët kosovarë shprehen optimistë se gjatë pjesës së parë të 2009-ës, pavarësia e Kosovës do të njihet nga një numër i konsiderueshëm shtetesh. Rrjedhimisht, ata nuk shohin ndonjë nevojë të ndryshimit të strategjisë lobuese.


Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ndryshuar strategjinë e veprimit për të lobuar për njohje të reja për Kosovën në vitin 2009. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, mënyra e veprimit për njohje të reja është e njëjtë me atë të 2008-ës.

"Strategjia për lobim është konstante, është atypari dhe nuk është shumë vështirë të dihet se çka përmban kjo strategji lobimi. Esencialisht ajo identifikon vendet, të cilat janë më afër njohjes së Kosovës, identifikon grupe vendesh që ndërlidhen mes vete mbi bazën e interesave specifike në politikën e jashtme. Dhe, mbi bazën e këtyre indikatorëve, natyrisht Ministria e Punëve të Jashtme, ministri, ka një strategji dhe një politikë specifike, konkrete të fokusimit në vende të caktuara",
tha Hyseni.

Nga ana tjetër, Ylli Hoxha, drejtor i Klubit për Politikë të Jashtme, pohon se Kosova është duke humbur shumë nga mungesa e një strategjie konkrete për lobim.

"Kjo tregon një shkallë jo të kënaqshme, në të cilën gjendet aplikimi i politikës sonë të jashtme - zhvillimi i kësaj politike, dhe kjo e reflekton gjendjen e politikës sonë të brendshme në stadin në të cilin jemi. Kjo nënkupton që duhet një angazhim tejet më i shtuar, në mënyrë që kjo çështje të ecë më tutje. Konstatimi se politikën tonë të jashtme e bën tjetërkush, jo institucionet e Kosovës, po del si konstatim me vend", tha Hoxha.

Si shumë të rëndësishme për Kosovën vlerësohen njohjet nga pesë shtetet e BE-së, që ende hezitojnë t'i bashkohen 22 anëtareve tjera të këtij unioni, që kanë njohur dhe kanë ngritur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Për përfaqësuesit e Klubit për Politikë të Jashtme, institucionet kosovare edhe në sigurimin e njohjes nga këto shtete janë duke vepruar pa strategji konkrete.

"Kosovës i duhet një platformë koncensuale lidhur me politikën e jashtme, i duhet një copë letër, e cila paraqet një platformë, një strategji se si të zhvillohet politika jonë e jashtme. Fatkeqësisht, deri në ditën e sotme, institucionet nuk kanë qenë në gjendje të nisin e lëre më të aprovojnë një strategji, e cila do të ndihmonte në artikulimin e politikës së jashtme", tha Hoxha.

Ministri Hyseni shpjegon se strategjia e diplomacisë kosovare mund të ndryshojë, vetëm nëse vërehet se nuk ka farë lëvizjeje në drejtim të njohjes. Megjithatë, ai shpreh bindjen se Kosova do të njihet shumë shpejt nga vende të ndryshme, duke mos specifikuar se për cilat vende apo rajone të botës bëhet fjalë.

"E kam përmendur një shifër në një pyetje shumë sugjestive nëse do të ketë më shumë se 70 njohje në këtë vit ose do të kalojë numri 70. Unë prapë po e them se jam i sigurt se do të ketë njohje. Një numër i konsiderueshëm i vendeve do ta njohin Kosovën gjatë pjesës së parë të vitit. Nuk mund të them numra", tha ministri Hyseni.

Deri më tash, Kosova është njohur si shtet i pavarur e sovran nga 53 shtete të botës. Njohës ndërkombëtarë të çështjes së Kosovës konsiderojnë se njohjet e deritanishme të Kosovës si shtet, janë të kënaqshme. Megjithatë, ata mendojnë se përfaqësuesit e Kosovës duhet të vazhdojnë të punojnë me vendet tjera që ende nuk kanë vendosur për njohje.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG