Ndërlidhjet

Ngritja e çmimeve të energjisë rëndon jetën e qytetarëve


Përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe të Sistemit të Transmisionit të Energjisë, KOSTT, thonë se tarifat e energjisë elektrike për vitin 2009 do të reflektojnë koston reale të prodhimit, e që, sipas tyre, duhet të jenë më të larta se tarifat aktuale.

Ngritja eventuale e çmimeve për energjinë elektrike, sipas përfaqësuesve të BSPK-së dhe qytetarëve, nuk do t'i zgjidhë problemet në Korporatën Energjetike të Kosovës, por vetëm sa do ta rëndojë edhe më tej gjendjen sociale e ekonomike të tyre.

Izet Mustafa, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ngritjen e mundshme të tarifave të energjisë e konsideron si një vendim që do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe të punëtorëve të Kosovës.

"Një vendim i tillë do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe të punëtorëve të Kosovës, ku edhe ashtu po ballafaqohen me një gjendje të rëndë sociale. Me këtë vendim do të dëmtohet rëndë popullata, punëtoria e Kosovës, si dhe ekonomia e Kosovës", thotë Mustafa.

Ai vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të ndikojë tek organet kompetente për ta rishikuar këtë vendim dhe me këtë ta mbrojë interesin e përgjithshëm të popullatës.

Zyrtarë të transmisionit KOSST, të cilët marrin pjesë me 9 deri 11 për qind në të hyrat e përgjithshme nga energjia, thonë se çfarëdo përqindjeje që aplikohet në 9 për qind ose 10 për qind pjesëmarrje në të hyra, nuk paraqet ndonjë rritje enorme në çmimin përfundimtar.

Zëvendësdrejtori për zhvillim në KOSST, Naim Bejtullahu, thotë se kanë aplikuar për rritje në tarifat e transmisionit me rreth 20 për qind, rritje kjo e cila pritet të aprovohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

"Ne kemi bërë kërkesë për 20 për qind rritje në tarifat e transmisionit, por kjo nuk e ka efektin e madh në çmimin e përgjithshëm",
pohon Bejtullahu.

Në anën tjetër, zëdhënësi i KEK-ut,Viktor Buzhala, konfirmoi se ende nuk kanë dërguar kërkesën finale për caktimin e tarifave për energji elektrike në vitin 2009, por kërkesë e KEK-ut, sipas Buzhalës, është që tarifat të reflektojnë koston reale të prodhimit, e të cilat duhet të jenë më të larta se tarifat aktuale.

"Kjo nënkupton se tarifat aktuale realisht nuk mbulojnë koston, për arsye të shumë faktorëve, si ngritja e çmimit të lëndës së parë, ngritja e çmimit të importit dhe proceseve tjera të ndërlidhura me afarizmin e korporatës", tha Buzhala.

Ndërkohë, qytetarët thonë se një rritje e tarifave të energjisë elektrike do ta rëndojë edhe më tej jetën e tyre.

Fatlum Sveçla, qytetar nga Prishtina, thotë se do të ishte më reale të ketë zbritje të tarifave të rrymës, pasi që në këtë mënyrë mund të rritet edhe inkasimi.

"Më e drejtë do të ishte të bëhet lirimi i energjisë dhe jo shtrenjtimi i saj. Është papunësi e madhe dhe e gjithë kjo po ndikon në jetën tonë sociale-ekonomike. Qytetarët nuk kanë pasur ta paguajnë energjinë me tarifat aktuale, e lëre më nëse do të shtrenjtohet", thotë Sveçla.

Ndërsa, qytetari Gëzim Gashi thotë:

"Krizë e madhe ekonomike - do të ishte më mirë të lirohet dhe jo të shtrenjtohet. Duhet ndërmarrë masa konkrete dhe të ndihmohet popullata",
mendon Gashi.

Ndryshe, konsumatorët kosovarë aktualisht janë duke paguar prej 3 deri në 9 centë për një kilovat orë të rrymës, varësisht nga sasia e rrymës të cilën ata e shpenzojnë dhe nga koha kur e përdorin rrymën.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG