Ndërlidhjet

“Tensionet në veri lëkundin decentralizimin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Shumëkush kishte qenë skeptik më 7 janar 2008, se dy partitë që dikur kishin pasur rival kryesor njëra-tjetrën, do të mund të funksiononin si duhet në një koalicion qeverisës. Një vit më pas, bindja në përgjithësi duket të jetë ndryshe. Zyrtarë të këtyre dy partive dhe analistë kanë vlerësuar të mërkurën, kur është bërë një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit, se PDK dhe LDK kanë funksionuar mirë dhe se rrethanat si janë tani për tani garantojnë edhe një funksionim më të mirë. Madje, sondazhet e fundit, të bëra nga institucione ndërkombëtare, tregojnë se qytetarët e kanë shtuar besimin tek institucionet e shtetit. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, ka thënë për “Infopress” se në përgjithësi gjërat kanë funksionuar mirë në këtë koalicion. “Të gjithë kishin qenë skeptikë kur ishte nënshkruar marrëveshja, megjithatë tërë kjo kohë ka dëshmuar se koalicioni ka funksionuar mirë, normalisht jo në mënyrë perfekte, por ka funksionuar mirë”, ka thënë Buja...

LAJM
Paralajmërimet e ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, se para Krishtlindjeve Kosova do të ketë një seri njohjesh, dolën të pasakta. 100-shi i proklamuar nga kryeministri Hashim Thaçi, nuk u arrit. 53 njohje megjithatë nuk janë pak, por ky numër, sipas opozitës, duhet të dyfishohet, në mënyrë që Kosova të aplikojë për anëtarësim në OKB, në vjeshtën e këtij viti. “Ministri Hyseni premtoi se në fund të vitit do të ndodhë edhe një valë e njohjeve, por nuk është bërë punë për ta deklaruar një gjë të tillë. Institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë të bëjnë deklarime të tilla, kur nuk e bëjnë punën. Duhet një angazhim më i madh dhe më konkret”, thotë për “Lajm” nënkryetarja e LDD-së, Besa Gaxherri. Autoritetet, sipas Gaxherrit, duhet t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet që kanë në dispozicion, në mënyrë që Republika e Kosovës të njihet nga sa më shumë shtete dhe kjo, sipas saj, mund të arrihet vetëm nëse në këtë proces do të ofrohet mundësia që të përfshihet edhe opozita dhe grupe tjera joformale...

KOSOVA SOT
Presidenca çeke e BE-së e ka dënuar fuqishëm dhunën në veri të Mitrovicës dhe ka shfaqur nevojën urgjente për hetimin e këtyre akteve nga autoritetet... Derisa shqiptarët në atë pjesë kërkojnë mbështetjen nga institucionet e Kosovës dhe shtrirjen e autoritetit të tyre në atë pjesë, disa nga përfaqësuesit politikë të serbëve akuzojnë EULEX-in lidhur me ngjarjet e fundit. Politika zyrtare dëshiron që ky mision të jetë më prezent në pjesën veriore, ku ende funksionojnë strukturat paralele, të cilat paraqesin një sfidë për nismën e reformave të pushtetit lokal. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, konsideron se është herët të thuhet nëse këto tensione do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në reformën e pushtetit lokal, duke pasur parasysh afatin e organizimit të zgjedhjeve lokale. Ai thotë se decentralizimi dhe mundësia e komunitetit serb që të qeverisin në zonat e tyre, është pikërisht e kundërta e strukturave paralele. “Pra, strukturat paralele mund t’i pengojnë vetë serbët që ata të marrin ato të drejta”, tha ai, duke shtuar se në momentin kur ata i marrin këto të drejta, atëherë nuk o të ketë dhe as ka pasur nevojë për struktura paralele...

EPOKA E RE
Kryetari i Parlamentit të Gjermanisë, Norbert Lammert, ka thënë të mërkurën se shteti gjerman është i përkushtuar që të lobojë edhe në të ardhmen te vendet evropiane dhe botërore që ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Jemi të përkushtuar që edhe në të ardhmen të lobojmë që shteti i Kosovës të njihet jo vetëm nga shtetet evropiane, por edhe nga ato shtete të botës që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Lammert, pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai ka thënë se Gjermania ka dhënë një kontribut të madh që Kosova të njihet nga 53 shtete, shumica nga to evropiane. Kryetari i Parlamentit gjerman, Norbert Lammert, e ka vlerësuar fatkeq arrestimin e tre gjermanëve nga autoritetet kosovare, i cili, sipas tij, as që është dashur të ndodhë...

BOTA SOT
Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës ende nuk ka raport përmbyllës për humbjet totale të mjeteve të kontribuuesve të Kosovës nga kriza financiare globale gjatë viti që e lamë pas. Gjatë nëntorit, ekspertët flisnin për humbje më shumë se mbi 100 milionë euro, ndërsa për fillimin e dhjetorit se ato kishin arritur në rreth 130 milionë euro. Por tash, për ekspertët kjo çështje më nuk ka rëndësi, pasi, sipas tyre, u ka humbur kuptimi shumave dhe humbjet kanë arritur atë pikë që janë të pakthyeshme. Vërshim Hatipi, zëvendësdrejtor i Trustit, thotë se raporti komplet për vitin 2008 (përkatësisht për dhjetor) prej menaxhuesve të mjeteve kompletohen nga 15 janari dhe atëherë do të kalkulohet çmimi i aksioneve të Trustit. Për shkak të krizës financiare në mbarë botën, vetëm në muajin nëntor të këtij viti rënia e vlerës së investimeve në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës është 8.77 milionë euro, ndërsa nga fillimi i vitit është 91.48 milionë euro, thotë Vërshim Hatipi...

EXPRESS
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar të mërkurën se është në mandatin e dytë në postin e shefit të shtetit. “Do të jap një përgjigje, është normale dhe është në kureshtjen tuaj”, është shprehur Sejdiu, i pyetur nga Express. “Ju e dini se ka qenë fillimi i mandatit tim më 2006 dhe konsideroj se kam përmbyllë me marrëveshje atë mandat dhe e kam filluar mandatin e dytë në janarin e vitit që kaloi”. Sejdiu ka shtuar se do ta përfundojë “këtë mandat mbi bazë kushtetuese”. “Natyrisht do të përfundohen mandatet në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka shtuar Sejdiu... Me një rezistencë disa javore pas zgjedhjeve të nëntorit 2007, Sejdiu kishte pranuar të hyjë në votim të ri dhe ishte rizgjedhur më 9 janar 2008, po në raundin e tretë, pasi kishte evituar një befasi në votimet e deputetëve që ka mundur të çojë edhe në kapitullimin e marrëveshjes së koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nenit 87, “pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë”...

KOHA DITORE
Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Kosovës do të mblidhet javën e ardhshme për ta shqyrtuar gjendjen e krijuar në veri të shtetit, ka bërë të ditur të mërkurën, kryetari i këtij komisioni, Rrustem Mustafa. Sipas tij, komisioni funksional parlamentar është duke i përcjellë nga afër zhvillimet si në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, ashtu edhe ne Karadak që gjendet në pjesën lindore të vendit. “Ne po i mbledhim informatat nga terreni dhe mbi bazën e tyre do të nxjerrim rekomandimet se si duhet vepruar më tutje, në mënyrë që gjendja e sigurisë të mos eskalojë”, ka deklaruar Mustafa. Ai ka pranuar se në dy javët e fundit, Komisioni për Siguri nuk i ka kërkuar ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ndonjë informatë zyrtare mbi gjendjen faktike në veri të vendit, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që një kërkesë e tillë të bëhet javën e ardhshme, gjatë mbledhjes së Komisionit...

ZËRI
Misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX) është në pritje të një ftese zyrtare nga përgatitësit e një takimi të mundshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Zyrtarë të këtij misioni kanë bërë të ditur të mërkurën për “Zëri”, se nëse do të ftoheshin për të qenë të pranishëm në takim, ata do ta shqyrtonin seriozisht mundësinë e pjesëmarrjes së këtyre në këtë takim. Dialogu Prishtinë – Beograd për çështje teknike, sipas të gjitha gjasave, do të mund të fillojë gjatë këtij muaji, nëse ndërmjetësit nga OKB arrijnë t’i bindin palët që të ulen rreth një tavoline... “Nëse dikush në këto bisedime për ndonjë arsye vlerëson se pjesëmarrja e EUELX-it është e nevojshme, atëherë ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë seriozisht ftesën eventuale për pjesëmarrje”, ka thënë dje një burim nga EULEX, i cili ka dashur të mbetej anonim. Por, në parim, misioni i BE-së në Kosovë dëshiron që të qëndrojë larg këtyre diskutimeve, “pasi që këto biseda nuk janë të iniciuara nga EULEX”...
XS
SM
MD
LG