Ndërlidhjet

Topi: Ballkani perëndimor të shkëputet nga nacionalizmi


Bamir Topi

Bamir Topi

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, gjatë vizitës që po i bën Kosovës, i ka bërë thirrje Serbisë që në vend të implikimeve negative në destabilizimin e Kosovës, t'i respektojë të drejtat e komunitetit shqiptar në Serbi në shkallën që e bën Kosova për minoritetin serb.



Ballkani perëndimor duhet të shkëputet përfundimisht nga nacionalizmi dhe të orientohet drejt integrimeve euroatlantike, tha sot në Prishtinë presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Gjatë vizitës së tij dyditëshe në Kosovë, presidenti Topi është pritur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, ka mbajtur një fjalim para Parlamentit dhe ka takuar udhëheqës të partive politike.

Presidenti shqiptar tha se ndihej i kënaqur që agjendën e tij për këtë vit po e niste me vizitën në Kosovën e pavarur.

“Ky është një vit i mbarë, siç ishte fillimi i vitit të kaluar, kur vizitova Kosovën vetëm pak ditë para shpalljes së pavarësisë”, tha Topi.

Ndërkaq, duke iu referuar incidenteve të fundit në Mitrovicë, Topi tha se veprime të tilla nxiten nga ultra-nacionalistë nga Serbia. Topi tha se Serbia duhet të interesohet për minoritetin e vet në Kosovë, por njëkohësisht edhe t’i nxisë serbët që t’i shfrytëzojnë të drejtat kushtetuese që u ofron Republika e Kosovës. Ndërkaq, kërkoi nga Serbia që standardet e njëjta për minoritetet që i kërkon në Kosovë, t’i respektojë edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Do të kishim dëshirë të madhe që kjo frymë integrimi të mbështetej edhe nga vendet e tjera fqinje të Kosovës, sidomos nga Serbia, e cila në fakt duhet të interesohet për minoritetin serb në Kosovë, duke bashkëpunuar me institucionet e ligjshme të këtij shteti sovran dhe të pavarur, ashtu edhe për t’i nxitur ata të gëzojnë të drejtat politike, ekonomike e sociale, që ua garanton Kushtetuta e Kosovës”.

“Respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve është parim universal. Ai duhet të jetë njëlloj i zbatuar sa në Shqipëri, aq edhe në Kosovë apo në Serbi, si në qendër të Shqipërisë, aq edhe në veri të Kosovës apo në Luginën e Preshevës”, deklaroi Topi.

Presidenti Topi tha se pavarësia e Kosovës ishte një zgjidhje e drejtë për këtë vend me një popull të shtypur - ishte zgjidhje e çështjes së fundit të pazgjidhur në Ballkan, por që ishte arritur në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët.

Topi rikujtoi para Parlamentit të Kosovës një intervistë që presidenti Bill Clinton kishte dhënë për Radion Evropa e Lirë, në nëntorin e vitit 2005, ku ai kishte shprehur qartë mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës.

“Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, duke dhënë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 12 nëntor të vitit 2005, shprehet ‘ne duhet të gjejmë rrugën për të jetuar të gjithë së bashku, për të punuar së bashku dhe të ecim përpara së bashku’. Natyrisht ai pyetej për situatën në Kosovë”, tha presidenti Topi.

Presidenti shqiptar tha se ky rajon ka një perspektivë të qartë evropiane dhe se Kosova dhe Shqipëria do të jenë shembuj të bashkëpunimit drejt integrimeve euroatlantike. Ai tha se Tirana do ta mbështesë praninë e vazhdueshme të Kosovës në tryezat rajonale, që edhe zëri i shtetit të Kosovës të dëgjohet e respektohet aty ku diskutohet për të ardhmen e Ballkanit.

Njëherësh, Topi tha se Tirana do të angazhohet dhe lobojë në vazhdimësi për njohjet e reja të Kosovës, duke vënë theksin në vendet e botës islame dhe në shtetet e Amerikës Latine.

“Do të ketë vetëm njohje të reja. Do të ketë aderime të Kosovës, të institucioneve të saj në organizma ndërkombëtarë, në tavolina rajonale. Kosova është një realitet i ri gjeopolitik në rajon, i domosdoshëm qoftë nga pikëpamja e marrëdhënieve politike, diplomatike, por edhe ekonomike”, u shpreh Topi.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Kosova e Shqipëria do të nënshkruajnë një marrëveshje për lehtësimin e lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, duke potencuar se një marrëveshje e tillë do të iniciohet edhe me vendet tjera të rajonit, për të marrë shembull Evropën e Bashkuar ku njerëzit lëvizin lirshëm.

“Unë e kam dhënë një ide dhe e kemi biseduar edhe me presidentin Topi, që të jetë një ‘mini Shengen’ i Evropës Juglindore, që të jetë një shembull i mirë ku qytetarët, sikurse që lëvizin lirshëm verës - ju e dini se nuk ka procedura pasaportash as për ta vizituar Ulqinin, Sarandën, Vlorën dhe ajo realizohet pa pengesa, kurse është fluksi më i madh i qytetarëve - pse të mos bëhet njësoj edhe në pjesën tjetër të vitit”, tha Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se politikat e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë janë pro-perëndimore dhe pro-evropiane. Andaj, Thaçi tha se Kosova nuk pajtohet që të ketë ndarje territoresh e popujsh, duke bërë të qartë se Kosova nuk mund të pajtohet me ndarjen e Mitrovicës.

“E vetmja zgjidhje për Mitrovicën është integrimi. Nuk do të lejohet ndarja etnike qoftë në kuptimin qytetar apo territorial”, tha Thaçi.

Presidenti Topi takoi edhe liderët e partive opozitare, përveç kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas një sqarimi, mosmbajtja e takimit ndërlidhet me një paqartësi protokolli rreth vendit të mbajtjes së takimit.

Në këtë agjendë të ngjeshur, Topi takoi edhe përfaqësuesit e partive nga radhët e minoriteteve që përfaqësohen në Kuvend. Një takim i tillë u realizua edhe me kryetarin e Partisë Liberale, Sllobodan Petroviq, partia e të cilit përfaqësohet në Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës. Ai tha se është mirë për rajonin që ka një lider si presidenti Topi, duke pasur parasysh edhe rolin që ka Shqipëria për paqen e stabilitetin në rajon.

“Shqipëria posaçërisht është një faktor stabiliteti në Kosovë, çka nënkupton se është faktor stabiliteti edhe brenda komunitetit serb që reflektohet në ekzistencën dhe jetën e tyre në Kosovë”,
tha Petroviq.

Ai tha se e ka njoftuar presidentin shqiptar për qëllimet e partisë së tij për bashkëjetesë në Kosovë mes komuniteteve.

Nesër, presidenti Bamir Topi pritet të shpallet qytetar nderi i Ferizajt dhe para largimit për në Tiranë, ai do të mbajë edhe një konferencë për media. Vizita e parë e Topit ishte realizuar në janarin e vitit të kaluar, pak ditë para shpalljes së pavarësisë, kurse kjo tani paraqet vizitën e tij të parë në Kosovën e pavarur.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG