Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e Libanit e dënoi sulmin me raketa


Raportohet se së paku tri raketa janë hedhur në veri të Izraelit nga Libani. Ende nuk ka informacione se kush i ka shkrepur këto raketa, ndërsa deri tash askush nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Nëpërmjet një kumtese, Qeveria libaneze i ka kritikuar këto sulme me raketa, ndërsa komandanti i paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në këtë vend ka bërë thirrje për "përmbajtje maksimale" në të dyja shtetet.

Raketat, që duket se nuk kanë shkaktuar ndonjë plagosje serioze, ishin të parat që u hodhën nga Libani prej luftës së Izraelit kundër militanëtve të Hezbollahut në Liban, në vitin 2006.

Ky zhvillim i ka shtuar shqetësimet se mund të hapet edhe fronti i dytë për Izraelin, që aktualisht po e vazhdon ofensivën e tij në Rripin e Gazës, për 13 ditë me radhë.

Sot, ushtria izraelite ndërmori sulme ajrore në gjithë Rripin e Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, duke marrë në shënjestër tunelet për kontrabandimin e armëve në kufirin Rripi i Gazës – Egjipti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Izraelit, të Hamasit dhe të Autoritetetit Palestinez pritet që të zhvillojnë takime me zyrtarët e Egjiptit, lidhur me propozimin për armëpushim të ofensivës izraelite.

Nga ky konflikt deri tash janë vrarë afro 700 palestinezë dhe 10 izraelitë.
XS
SM
MD
LG